CMG-ja: Europa, e shqetësuar për mungesën e gazit
2022-09-08 14:46:19

Foto:VCG

Foto:VCG

Në fillim të vitit 2022, 25 % e energjisë së BE-së vinte nga gazi natyror dhe 50 % e tij importohej nga Rusia. Ndërsa tani, gazi nga Rusia zë vetëm 9 % të importit të Europës. Të hënën, presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje francezëve të kursejnë energjinë, duke përfshirë pakësimin e përdorimit të kondicionerëve në verë dhe uljen e temperaturës së ngrohjes qendrore në dimër në 19 gradë celsius.

 

Tani vendet europiane janë të shqetësuara për mungesën e gazit dhe do të përballojnë vështirësi edhe më të madhe, sepse Rusia deklaroi që, për shkak të problemeve teknike, gazsjellësi “Nord Stream-1” do të ndalojë krejtësisht furnizimin me gaz derisa sa të zgjidhen këto probleme. Para kësaj, “Nord Stream-1” e kishte ulur shumë herë vëllimin e furnizimit për vendet europiane. Ky gazsjellës vitin e kaluar zuri 40 % të eksportit të gazit nga Rusia për në Europë, prandaj mund të merret lehtësisht me mend se çfarë do të thotë ndalimi i plotë i këtij sistemi, thuhet në një koment të CMG-së.

 

Krahas furnizimit, edhe ngritja e çmimit është një shkak për mungesën e gazit. Në muajin gusht, çmimi i energjisë në Eurozonë u ngrit me 38.3 %, duke u bërë faktori kryesor për ngritjen e inflacionit. Në këtë muaj, inflacioni në Eurozonë ishte 9.1%. Mediat britanike njoftojnë që ky është niveli më i lartë qysh nga lindja e monedhës së përbashkët europiane.

 

Për të garantuar sigurinë energjetike, vendet europiane po përpiqen me të gjitha forcat. Franca po shqyrton mundësinë e rifillimit sa më parë të prodhimit të energjisë bërthamore. Gjermania shpalli projektin e ndihmës prej 6.5 miliardë eurosh dhe do të zbatojë “tatimin mbi fitimin e tepërt” ndaj ndërmarrjeve që nuk varen nga gazi natyror, me synim që të subvencionohen ndërmarrjet që kanë harxhim të lartë të energjisë elektrike dhe banorët e thjeshtë. Po ashtu, raportohet që qeveria greke do të vendosë sanksione ndaj institucioneve publike që nuk mbyllin dritat dhe nuk rregullojnë temperaturën, duke mos i lejuar institucione të tilla të marrin punonjës të rinj...

 

“The Economist” publikoi një artikull, ku thuhet që rritja e madhe e çmimit të energjisë elektrike do të ngrejë nivelin e recesionit ekonomik në Europë. Shumë analistë janë të mendimit që kjo krizë energjetike ka shkaktuar një sërë reaksionesh zinxhir dhe Europa jo vetëm duhet të harxhojë shumë kohë e kosto për të ndryshuar strukturën e tanishme energjetike, por mund të pasojnë edhe trazira shoqërore.

 

Kjo krizë energjetike kryesisht është pasojë e sanksioneve të shumta të Europës ndaj Rusisë. Duke ndjekur ShBA-në, Europa vendosi sanksione ndaj Moskës, por tani europianët po e shikojnë që ata vetë janë viktima të pafajshme dhe ShBA-ja nuk po ndalon veprimet e saj hipokrite, vijon komenti i CMG-së.

 

Presidenti turk Erdogan vuri në dukje të martën që me krizën energjetike europianët “korrën atë që mbollën”. Ekspertët britanikë janë të mendimit që, nëse Europa dhe ShBA-ja nuk ndalojnë sanksionet ndaj Rusisë, kriza energjetike në Europë do të vazhdojë në mënyrë të pashmangshme.