Sulmi kibernetik, Shqipëria ngrin marrëdhëniet diplomatike me Iranin
2022-09-08 10:05:41

Shqipëria ka ngrirë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, të cilin e akuzon se fshihet pas sulmit kibernetik që përfshiu shërbimet publike online në vend. Shqipëria i ka dërguar notë verbale Ambasadës së Iranit, ndërsa vendimi është marrën ditën e mërkurë në mbledhjen e qeverisë, bën të ditur “RTSH”.

Për ngjarjen, kryeministri Edi Rama tha se qeveria i ka kërkuar Ambasadës së Iranit largimin brenda 24 orëve nga Shqipëria.

“Kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar, por krejtësisht e detyruar, është në proporcion te plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”,- tha Rama.

Kryeministri Rama tha se Irani kishte angazhuar 4 grupe për sulmin ndaj Shqipërisë, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar.

“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron. Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj Shqipërisë”, -tha Rama.

Gjatë muajit korrik shërbimet publike online të AKSHI-së u ndërprenë pas një sulmi kibernetik, më i madhi që Shqipëria kishte përjetuar ndonjëherë. U deshën disa javë për rikthimin e shërbimeve në punë, ndërsa qeveria garantoi se të gjitha të dhënat e qytetarëve ishin ruajtur dhe nuk ishin cenuar. (Elona)