Erlind Fusha: Skulptura rrjedh në gjakun tim
2022-09-07 09:50:31


Poçeria mbahet ende gjallë nga familja Fusha në fshatin Farkë të Tiranës.  Fushajt, janë ndër mjeshtrit më në zë të Tiranës e përtej saj  dhe e trashëgojnë këtë mjeshtëri prej pesë shekujsh. Poçeria Fusha ka krijuar historinë e vet dhe është vizituar prej shumë personalitetesh në periudha të ndryshme. Nga përzgjedhja e baltës tek përzierja me shtufin, pastrimi e pjekja në furrë, procesi për të pasur enën e dëshiruar prej balte është i gjatë dhe e gjithë puna realizohet në mënyrë artizanale.

Erind Fusha, njeri nga bijtë e kësaj familjeje artizanësh ka përfunduar studimet për skulpturë dhe qeramikë, por që i vogël është marrë me krijimin e enëve prej balte. Ai enën e parë e ka krijuar që në moshën 4-5 vjeçare  dhe është rritur duke parë babanë, vëllezërit e gjyshërit që punonin në poçeri, ku tani ka arritur të marë diçka prej mjeshtërisë së secilit prej tyre. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Erlindi na tregon për këtë traditë në familjen e tij si dhe pasionin e tij për skulpturën.

CMG: Si lindi tradita e poçerisë në familjen tuaj dhe si është trashëguar ndër breza kjo traditë?

Erlind Fusha: Kjo traditë ka filluar rreth 500 vite më pare. Nuk e nisëm ne por ne e gjetëm në fshatin Farkë. Unë jam nga Farka me origjinë dhe kemi rreth 500 vite që e trashëgojmë mjeshtërinë nga  katërgjyshërit, stërgjyshërit e të tjerë me radhë. Jemi akoma në fisin tim katër pjesëtarë, që e trashëgojmë këtë traditë të poçerisë.

CMG: Çfarë produktesh realizoni më shumë në poçeri?

Erlind Fusha: Përgjithësisht poçeria jonë është primitive në realizimin e punëve apo në pjekjen e produktit. Ne realizojmë me teknikë të vjetër 2000 vjeçare, me një qark që lëviz në mënyrë manual  dhe kohët e fundit kemi futur edhe qarkun elektrik, të cilin nga fisi im e zotëroj vetëm unë. Gjë tjetër është se produktet që ne realizojmë janë kryesisht tavat tradicionale të dheut, tava e Tiranës, tava e fërgesës,  që shërbehtet nëpër lokale dhe dasma, vorbe për fasule dhe për supë, pastaj janë dhe katruvet e ujit. Gjithashtu kemi dhe enë dekorative, amfora etj.

CMG: Përveç lokaleve, ka dhe njerëz apo turistë të huaj që vijnë e marrin këto produkte?

Erlind Fusha: Mbi të gjitha janë lokalet, sigurisht periudha e gushtit dhe shtatorit kur janë dasmat, ka një fluks tepër të madh të porosive. Pastaj pjesa tjetër janë edhe turistët që vijnë dhe kërkojnë të ruajnë akoma tradicionalen e Shqipërisë.

CMG: Si e dinë njerëzit që ju realizoni këto produkte, ku e bëni publicitetin?

Erlind Fusha: Ka shumë njerëz që e dinë që në Farkë realizohen produktet e tavave të dheut, por përgjithësisht ne përdorim rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram. Gjithashtu njerzit e kanë marrë vesh edhe kur kemi dalë nëpër intervista bashkë me babain.

CMG: Ju vetë kur e keni realizuar produktin e parë prej balte?

Erlind Fusha: Produktin e parë e kam realizuar rreth 4-5 vjeç, ku u përpoqa të bëj një tigan dhe ishte shumë kënaqësi. Nuk është se më futi njeri aty, unë them gjithmonë që e pavetëdijshmja jonë na shtyn që të bëjmë atë që prindërit tanë bëjnë. Unë duke parë babain gjithmonë, fillova të futem edhe vetë nga pasioni dhe dëshira, kurioziteti mbi të gjitha.

CMG: Ju keni studiuar në degën e skulpturës në Liceun Artisik dhe më pas në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ishte tradita poçerisë që ju shtyu drejt skulpturës?

Erlind Fusha: Sigurisht që futja ime në Liceun Artistik vjen si rrjedhojë e traditës time familjare me poçerinë. Në Lice  studiova 3 vite në degën e skulpturës dhe qeramikës. Në Universitetin e Arteve kam mbaruar studimet për skulpturë dhe qeramikë, në drejtimin e profesor Sadik Spahisë dhe do të filloj për skulpturë në vitin e parë të masterit.

CMG: Përveç traditës në poçeri, çfarë synimesh keni në të ardhmen në fushën e skulpturës dhe qeramikës?

Erlind Fusha: Unë kam një projekt timin personal dhe kam dëshirë ta realizoj brenda këtij viti. Ndërsa një projekt tjetër do ta realizoj në nëntor. Titullohet  “Artium” dhe do ta realizoj në bashkëpunim me shokun tim Artemir Zogo. “Artium” është ekspozitë, e cila përmbledh të gjitha mediumet e artit piktura, skulptura, instalacione të videoartit. Gjithashtu përmban standup komedi, por dhe shumë elementa të tjera nga arti, duke filluar me aktrimin, koncerte muzikore e të tjera.

CMG: Po në qeramikë çfarë produktesh realizoni?

Erlind Fusha: Përtej produkteve artizanale, përsa i përket qeramikës unë jam munduar gjithmonë që ta shmang pak pjesën tradicionale, por duke u bazuar edhe tek ajo. Preferoj që të jem pak më komercial sepse nëse do të jetosh sot, është e rëndësishme që produkti që të shitet duhet të jetë pak komercial në kuptimin që të prodhosh diçka masive. Unë preferoj që të bëj gjëra për lokale, restorante të cilat kanë fluks shitje, si për shembull gota kokteili ose piatanca të ndryshme.

CMG: Ju i keni krijuar të gjitha mundësitë që këto produkte t’i realizoni në Farkë?

Erlind Fusha: Ndonjëherë të gjitha mundësitë nuk janë për arsye se furra ime është furrë me dru, dhe për pjekjen e glazurës është pak e vështirë, por mund të realizohet. Produkti nuk del 100 për qind ashtu si unë dëshiroj, por është si teknika çeke që ti e fut diçka në furrë dhe nuk e di sesi do dalë, pra del gjithmonë e papritur, por del e bukur.

CMG: Keni pika të tjera shitjeje të këtyre produkteve në Tiranë, apo qytete të tjera?

Erlind Fusha: Kemi pika të tjera shitjeje tek Pazari i ri, Tregu çam dhe Tregu te Medreseja në Tiranë. Ne shpërndajmë dhe nëpër qytete të tjera të Shqipërisë, por dhe në Europë.  Kemi dërguar produktet deri në Hollandë, Gjermani, Serbi, Malin e Zi dhe vende të tjera.

CMG: Duke ditur se ju e keni trashëguar brez pas brezi këtë traditë, mendoni ta trashëgoni dhe te brezat e tjera që do vijnë?

Erlind Fusha: Shpresoj, por nuk jam i sigurtë. Ndjej një indiferencë të të rinjve ndaj traditës tonë për arsye se janë shumë të fokusuar te rrjetet sociale dhe teknologjia. Unë do përpiqem që pasardhësve të mi qoftë edhe vajzave, sepse ne në fisin tonë e kemi pasur traditë që mos t’ja trashëgojmë vajzave, duke qenë se shkojnë te bashkëshorti i tyre edhe na e çojnë traditën në fis tjetër. Kjo është pak e çuditëshme, por ka qenë gjithmonë një traditë e fisit tonë, ndërsa tani unë përpiqem që edhe motrës t’ja mësoj, që mos të humbi si traditë, kështu që do mundohem gjithmonë.

CMG: Çfarë pasionesh të tjera keni përveç skulpturës?

Erlind Fusha: Pasioni im më i madh pas skulpturës, që mbase mund të ishte dhe pasioni i parë është muzika. Kur isha i vogël, shokët te lagjia që ishin pak më të rritur se unë, merrnin një kovë të vogël dhe më thonin që të bëja një ritëm, sepse kam pasur veshin muzikor shumë të mirë. Më është dhënë mundësia në Lice që bashkë me disa shokë të realizonim një grup, ku të performonim live muzikë jazz. Kemi dhënë disa koncerte te Pallati i sportit “Asllan Rusi” me 5000 mijë spektatorë dhe ka qenë fantastike.

CMG: Nuk kishit mundësi që t’i realizonit të dyja këto pasione?

Erlind Fusha: Të merresh me muzikë dhe njëkohësisht me skulpturë ishte tmerrësisht e vështirë, për arsye se muzika do kohë dhe përkushtim maksimal, por edhe skulptura do përkushtim të madh. Kështu që do të mbaja njërën dhe të lija tjetrën. Unë skulpturën nuk e lija dot sepse ishte pjesë e imja, dhe unë e them shpesh që ajo rrjedh në gjakun tim, kështu që vendosa të zgjedh skulpturën. Por kur kemi evente me shokë mundohem që të luaj në bateri ose edhe në piano, nëse kemi mundësi.

CMG: Mendon se ke bërë zgjedhjen e duhur në përzgjedhjen e skulpturës?

Erlind Fusha: Besoj se po sepse muzika është pak më personale, për faktin që ti do dalësh në skenë dhe do luash, pra nuk ke shumë kontakt me njerëz. Kurse unë te skulptura jam munduar që të krijoj dhe rolin tim si kurator. Unë nuk jam curator, por jam munduar që të krijoj organizime ekspozitash studentore dhe më pëlqen shumë që të kem kontakt me njerëz, kurse duke qenë instrumentist është pak më personale.

CMG: Si ndjehen miqtë tuaj kur shohin këtë sukses që keni arritur?

Erlind Fusha: Shumë miq nga Farka ndjehen të lumtur që një shok i tyre i përfaqëson ata nëpër evente artisike të ndryshme  dhe sa herë që shkoj nëpër klubet e lagjes më falenderojnë.

CMG: Shumë nga  moshatarët  tuaj mendojnë të ikin jashtë vendit për një të ardhme më të mirë. Ju mendoni të largoheni apo dëshironi të investoni në Shqipëri?

Erlind Fusha: Unë të ardhmen time e shoh në Shqipëri, dhe mendoj se të gjithë kanë mundësi që të kenë një të ardhme në Shqipëri apo Tiranë, vetëm duhet të lëvizësh dhe ta kërkosh punën,  sepse asgjë nuk vjen vetë. Përsa i përket pjesës jashtë Shqipërisë do të doja thjesht të shkoja për momente afatshkurtëra, thjesht që të marr eksperienca të ndryshme si në ekspozita arti, të cilat unë kam filluar t’i frekuentoj kohët e fundit. Rasti i fundit isha përfaqësues i Shqipërisë në ekspozitën frankofone në Bullgari, ku u prezantuam mjaft mirë bashkë me katër kolegë të tjerë nga Universiteti i Arteve  dhe tani shpresoj që të bëj të njëjtën gjë në Austri dhe SHBA.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.

Erlind Fusha: Unë i përshëndes të gjithë  dhe ju them që nëse dëshironi të ndiqni  ëndrrat tuaja, thjesht bëjeni dhe mos u dorëzoni kurrë!

Intervistoi: Gazmend Agaj