“Mural Fest Tirana”, më shumë vajza artiste do të pikturojnë muret e kryeqytetit
2022-09-07 10:28:10

“Mural Fest Tirana”, një prej festivaleve më të veçanta, nisi në kryeqytetin shqiptar. Kjo traditë është nismë e Agjencisë së Dekorit nga Bashkia e Tiranës, këtë herë edhe në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.  

Kuratori i “Mural Fest Tirana”, Helidon Haliti, deklaroi se e veçanta e këtij viti është se do të ketë më shumë vajza artiste, si dhe do të ketë tre vepra kushtuar rinisë, përcjell “RTSH”.

“Mural Fest ka nisur prej 5 vitesh, i realizuar nga “Dekor Tirana”, duke afruar artistë nga e gjithë bota. Risia e Bashkisë së Tiranës është se ka një grup që ka artistë brenda, të cilët pikturojnë përditë. Ata i njohin muret e Tiranës dhe pikturojnë gjëra përditë. Dera e “Mural Fest” është e hapur për të gjithë të pasionuarit pas artit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën”, - tha Haliti.  

Ai theksoi se këtë vit Kongresi Rinor Kombëtar ka sjellë artistë të huaj, si Noe nga Uruguai, Pablo nga Spanja, Bogdani nga Rumania.  

Drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci, deklaroi se është e lumtur që Kongresi i është bashkuar këtë vit “Mural Fest”, në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” dhe se shpreson që në vitet e ardhshme kjo nismë të zhvillohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.  (Elona)