Sektorë të ndryshëm përqafojnë transformimin 5G
2022-09-07 15:25:55

Teknologjia 5G është përqafuar gjerësisht në Kinë, që nga fabrikat, spitalet e sektorët e bujqësisë, për t’i ardhur në ndihmë procesit të përditshëm të punës dhe për të pasur më shumë lehtësira në prodhim dhe në aktivitete. Madje kjo teknologji ka shkurtuar edhe kohëzgjatjen e një procesi që dikur merrte orë të tëra.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina ka zgjeruar infrastrukturën e saj 5G me një ritëm të shpejtë, duke përdorur teknologjinë e gjeneratës së re “wireless” për të lehtësuar digjitalizimin e sektorëve të ndryshëm të vendit. Deri në fund të qershorit, u ndërtuan rreth 1.85 milionë stacione bazë 5G, duke u ardhur në ndihmë mbi 450 milionë përdoruesve, që përbëjnë mbi 60 për qind të totalit global. Rrjeti i telekomit me zgjerim të shpejtë, me shpejtësi të lartë dhe besueshmëri të lartë, ka mundësuar skenarë futuristikë në sektorë si prodhimi, shërbimet mjekësore dhe bujqësia.

 

Fabrikat inteligjente

 

Prodhuesi kryesor kinez i baterive litium-jon të automobilave “Contemporary Amperex Technology Co Ltd” (CATL) po digjitalizon impiantet e baterive.

Prodhimi i kontrolluar nga qendra, inspektimi i cilësisë vizuale me shpejtësi jashtëzakonisht të lartë dhe sistemi i ekspertizës së realitetit të shtuar në fabrikën e prodhimit “CATL” janë të gjitha të aktivizuara 5G.

Teknologjia 5G lejon inxhinierët që të monitorojnë të gjithë makineritë në kohë reale dhe të trajtojnë shpejt çështjet teknike nga distanca.

 

 

Veshja e qelizave është një nga proceset më delikate në prodhimin e baterive pasi materialet duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë në fletë bakri ose alumini me trashësi mikrometër. Në fabrikë, punonjësit përdorin kompjuterë tabletë për të kontrolluar me ritëm të plotë materialet.

Një makinë lyerjeje dykatëshe, me gjatësi 100 metra, mund të trajtojë një fletë metalike prej 100 metrash në minutë, duke prodhuar një njësi në 1.7 sekonda. Marzhi i defektit të saj është regjistruar vetëm një në një miliard, falë transmetimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm 5G.

Fabrika ka gjithashtu më shumë se 200 automjete të automatizuara të aktivizuara me 5G që kalojnë nëpër linjat e saj të montimit për të transportuar bateri dhe materiale të tjera.

Chen Ling, shefi i informacionit të “CATL”, tha se kompania planifikon të zbatojë teknologjinë 5G në 10 bazat e saj të prodhimit global.

Kantieri i anijeve “Jiangnan” nën kompaninë “China State Shipbuilding Co Ltd” në Shangai po përqafon gjithashtu teknologjinë 5G.

Ndërtuesi shtetëror i anijeve po punon me shkencëtarët nga Universiteti i Shangait Jiao Tong, për të zhvilluar një sistem inteligjent të aktivizuar me 5G për të shkurtuar procesin e punës në ndërtimin e anijeve nga 14 orë në rreth dy orë.

Objektet inteligjente të prodhimit në Kinë si “CATL” dhe “Jiangnan”  kanë vazhduar të shtohen, duke e shndërruar në një tendencë prodhimin e teknologjisë së lartë.

 

Operacionet në distancë

 

Në vitin 2019, një kirurg në Spitalin Huashan me bazë në Shangai kreu një operacion endoskopik për të hequr një tumor në trurin e një pacienti.

Rreth 20 kilometra larg, afro 60 praktikantë ndoqën nga afër operacionin, i cili u transmetua drejtpërdrejt në një ekran me definicion të lartë 4K. Kjo gjë u mundësua falë pajisjeve “wireless” 5G të zhvilluara nga gjiganti kinez i telekomunikacionit “Huawei” .

Ai shënoi fillimin e bazës së parë pilot mjekësore inteligjente 5G të Shangait. Procedurat kirurgjikale në Kinë po evoluojnë për shkak të shpejtësisë së rrjetit 5G.

Më 17 janar të këtij viti, kirurgët në Spitalin Huashan bënë një përpjekje për të hequr një tumor në tru, të përforcuar nga teknologjia e realitetit të përzier 5G (MR) e zhvilluar nga një “startup” me bazë në Shangai. Duke mbajtur syze VR, ata prenë indet e synuara pikërisht përmes një prerjeje prej pesë centimetrash. Imazhet holografike 3D të përmirësuara të trurit u projektuan në kohë reale në lëkurën e kokës së pacientit për të treguar vendndodhjet e sakta brenda trurit.

Kirurgjia me teknologjinë e realitetit të përzier 5G e Huashan u rendit në mesin e 10 rasteve më të mira në Konventën Botërore 5G të këtij viti të mbajtur në Harbin, në provincën kineze Heilongjiang, në fillim të gushtit.

Teknologjia 5G gjithashtu mbështet operacionet robotike të telekomanduara. Punonjësit mjekësorë nga dy spitale në qytetin lindor kinez të Nanjing  dhe prefekturën më perëndimore të Kezilesu Kirgiz në Rajonin Autonom të Xinjiang Ujgur bashkëpunuan për të kryer operacionin për heqjen e gurëve përmes një roboti të aktivizuar me 5G.

Kirurgët me eksperiencë në Nanjing, provincën Jiangsu, përdorën një makinë ultratinguj në distanca të gjata për të dhënë udhëzime për vendin e saktë të shpimit, ndërsa homologët e tyre 5000 km larg operuan në përputhje me rrethanat për të hequr gurin. Gjatë operacionit, vonesa mesatare e rrjetit 5G me dy drejtime u reduktua në vetëm 135 milisekonda, që do të thotë se kirurgët mund të komunikonin pa ndonjë vonesë të dukshme kohore.

Që nga 1 gushti, spitali Kezilesu Kirgiz kishte kryer 22 operacione robotike për heqjen e gurëve, duke i bërë shërbimet mjekësore me cilësi të lartë më të aksesueshme për pacientët që jetojnë në zonat e thella të vendit.

 

Bujqësia digjitale

 

Bujqësia është integruar gjithashtu me teknologjinë 5G. Në një fushë orizi në provincën Heilongjiang  të Kinës verilindore, një sondë e pajisur me një kamerë të inteligjencës artificiale të aktivizuar me 5G përdoret për përcaktimin e moshës së gjetheve, identifikimin e sëmundjeve, kontrollin e dëmtuesve dhe parandalimin e sëmundjeve të bimëve.

Përgjatë rreshtave të harlisur të të korrave, janë instaluar sensorë të nivelit të ujit për të matur lagështinë e tokës dhe për të mundësuar ujitjen automatike.

“Ferma digjitale 5G ka përmirësuar punimin e tokës, duke e bërë bujqësinë më të menaxhueshme”,- tha Meng Qi, një kontraktore e fermës inteligjente.

“Makineritë bujqësore 5G,inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e tjera digjitale po bëhen mjetet e reja për zhvillimin rural”,- tha Li Daoliang, drejtor i Kolegjit Ndërkombëtar të Pekinit në Universitetin Bujqësor të Kinës.