Janar-gusht: Tregtia e jashtme e Kinës rritet me 10 %
2022-09-07 14:48:50

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tregtia e jashtme e Kinës ruajti hovin e saj të rritjes në tetë muajt e parë të këtij viti, me një shtim 10.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, sipas të dhënave nga Administrata e Përgjithshme e Doganave të publikuara të mërkurën.

Në tetë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i importeve dhe eksporteve të Kinës arriti në 27.3 trilionë juanë (3.91 trilionë dollarë). Eksportet u rritën me 14.2 për qind, duke arritur në 15.48 trilionë juanë, ndërsa importet me 5.2 për qind, dhe kapën vlerën 11.82 trilionë juanë. Ndërkohë, suficiti tregtar i Kinës u rrit me 58.2 për qind, në 3.66 trilionë juanë.

Tregtia e Kinës me të gjithë partnerët e vet kryesorë tregtarë u shtua në tetë muajt e parë, treguan të dhënat zyrtare.

ASEAN-i mbeti partneri më i madh tregtar i Kinës, i pasuar nga BE-ja dhe ShBA-ja. Vlera e tregtisë së Kinës me ASEAN-in u rrit me 14 për qind, me BE-në 9.5 për qind dhe me ShBA-në 10.1 për qind.

Në të njëjtën periudhë, importet dhe eksportet e Kinës me vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" u shtuan me 20.2 për qind, duke kapur vlerën 8.77 trilion juanë.