朋友---[péng you]---mik
Foto:VCG
Të hënën u mbyll në Pekin Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime i Kinës (CIFTIS) për vitin 2022. Teknologjitë me tipare futuriste u lanë përshtypje të paharrueshme pjesëmarrësve dhe krijuan mundësi të shumta për kompanitë e mbarë botës, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Edicioni i sivjetshëm i këtij panairi zgjati gjashtë ditë, duke tërhequr 507 ndër ndërmarrjet kryesore të botës. Dhjetë vende, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicra dhe Italia, morën pjesë për herë të parë me pavijonet e tyre kombëtare. Sipas të dhënave fillestare, në panairin e sivjetshëm janë shënuar 1339 arritje. 173 prej tyre janë inovative, si printimi i parë digjital i koduar në botë, 34 më shumë se në vitin 2021, duke shënuar rekord.
Foto:VCG
Teknologjitë dhe produktet inovative po zënë një vend më të rëndësishëm. Sipas të dhënave nga UNCTAD, në tregtinë globale të shërbimeve, fushat e teknologjisë e të informacionit, të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe të kërkimeve të projektim-zhvillimit kanë një përqindje më të lartë, duke u rritur nga 11.4 % në vitin 2005 në 18 % më 2020-n.
Si një nga sektorët me gjallëri më të madhe sa i përket krijimit të risive, ekonomia digjitale është bërë motori i ri i rritjes së ekonomisë botërore. Përmasat e ekonomisë digjitale të Kinës për shumë vjet renditen në vendin e dytë të botës, çka u ka sjellë gjallëri të madhe ekonomisë globale e kompanive ndërkombëtare. CIFTIS është një forcë e madhe shtytëse.
Foto:VCG
Në këtë panair sivjet, “e gjelbra” është aplikuar në mënyrë të mençur në teknologjitë e ndryshme. Nga financa e gjelbër deri në udhëtimet e gjelbra, nga një produkt gjigant te një copë letre, është treguar në mënyrë të dukshme koncepti i “lëshimit të ulët të karbonit”. Një kompani kineze ka krijuar produktin pamor “Planeti i karbonit”, i cili tregon me video lëshimin e karbonit në një Tokë digjitale, duke ofruar informacione më të sakta për institucionet shkencore, parqet industriale dhe organet e qeverisjes të krahinave të ndryshme.
Sipas përllogaritjeve, për realizimin e objektivave të caktuara nga Marrëveshja e Parisit për kontrollin e lëshimit të gazit serrë, e gjithë bota duhet të investojë mbi 1000 trilionë dollarë. Ky është një rast i rrallë për zhvillimin e sektorëve të energjive të reja. Përgjegjësi i kompanisë që ka krijuar “Planetin e karbonit” u shpreh për CMG-në që kompania e tij po pret të bashkëpunojë me ndërmarrjet e tërë botës për të eksploruar zhvillimin e gjelbër.
Sivjet është 10-vjetori i organizimit të CIFTIS-it. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve, numri i vendeve dhe rajoneve partnere të Kinës në fushën e tregtisë së shërbimeve ka arritur mbi 200. Në një periudhë kur globalizimi po përballon vështirësi dhe po ndodhin shpesh konflikte rajonale, "rrethi i miqve" i CIFTIS-it po bëhet gjithnjë e më i madh, thekson CMG-ja në komentin e vet. Kjo jo vetëm për arsye të forcës tërheqëse të tregut kinez, por edhe sepse ky panair është shndërruar në një "dritare" të Kinës për zgjerimin e hapjes, thellimin e bashkëpunimit dhe udhëheqjen në fushën e inovacionit, ku tregohet vullneti i Kinës për të përkrahur globalizimin ekonomik. Këto janë gjërat për të cilat ka nevojë urgjente bota e sotme.
Foto:VCG
Sipas të dhënave zyrtare të Kinës, në dhjetë vjetët e fundit, importi e eksporti i tregtisë së shërbimeve të Kinës është rritur me një mesatare 6.1 % në vit, 3.1 pikë përqindjeje më shumë se rritja globale. Për tetë vjet radhazi, tregtia e shërbimeve e Kinës është renditur në vendin e dytë në botë, ndërsa vlera e përgjithshme e importit të shërbimeve i ka kaluar katër trilionë dollarët. Muajin e kaluar, Ministria e Tregtisë e Kinës deklaroi që do të promovojë zbatimin e listës negative për tregtinë e shërbimeve ndërkufitare, do të zgjerojë import-eksportin e teknologjive të gjelbra dhe me karbon të ulët dhe do të shqyrtojë masat përkatëse, si ndërtimi i një zone demonstrimi të inovacionit dhe zhvillimit të tregtisë së shërbimeve.
Zv.drejtori i Qendrës së Studimeve mbi Kinën pranë Universitetit Kombëtar të Shkencave të Pakistanit, Zemir Awan, thotë që me platformën e CIFTIS-it, Kina “po kontribuuon me mençurinë dhe fuqinë e vet për zhvillimin e ekonomisë botërore”.
Pas mbylljes së edicionit të sivjetshëm të CIFTIS-it, arritjet e ndryshme të tij do të sjellin përfitime për mbarë botën. Me zgjerimin e pandërprerë të hapjes së Kinës, do të arrihen rezultate të reja, duke dëshmuar përpjekjet e palodhshme të Kinës për nxitjen e rritjes së tregtisë së fushën e shërbimeve dhe të mëkëmbjes ekonomike botërore. (Jiang Lei)