Elona Jolla e lindur në qytetin e Tiranes, ka kryer shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”. Studimet e larta i kreu me sukses në Universitetin e Parmës në Itali, në degën Trashëgimi Artistike dhe Spektakël si dhe vazhdon masterin në gazetari dhe kulturë shtypi. Elona është autore e një libri me poezi “Flas me engjëllin tim”, dedikim për njeriun e shtrenjtë të zemrës. Që në moshë të vogël ajo ka qenë e angazhuar në muzikë, ku edhe ka marrë pjesë ne evente te ndryshne kulturo-artistike, që nga festivalet e fëmijëve organizuar nga qendra kulturore e Tiranës. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Elona tregon për integrimin e saj në Itali si dhe anagazhimet në fushën artistike dhe atë kulturore.
CMG: Cili ishte qëllimi që ju u larguat nga Shqipëria?
Elona Jolla: Qëllimi i largimit tim nga Shqipëria kanë qenë studimet e mia në La Sapienza të Romës në degën e filozofisë, ku kam studiuar një vit e gjysëm dhe pastaj u transferova në qytetin e Parmës, ku vendosa të vazhdoj studimet në degën e trashëgimisë artistike dhe spektaklit.
CMG: Në cilin vit jeni larguar për në Itali dhe si kanë qenë ditët e para të integrimit tuaj në një shtet të huaj?
Elona Jolla: Unë jam larguar nga Shqipëria në vitin 2007. Emigrimi në një vend të huaj dhe ikja nga shtëpia jote është gjithmonë i vështirë dhe nuk është se çdo gjë mund të kalohet me lehtësi sepse vështirësitë janë kudo. Unë e kam gjetur veten edhe mirë por dhe keq si studente, pastaj me kohën integrohesh, njihesh me qytetin dhe njerëzit.
CMG: Në kohën që ju ishit studente krijuat miqësi me të tjerë shqiptarë që jetonin atje?
Elona Jolla: Miqësia në Parma u krijua me anë të studimit. Në qytetin e Parmës ka shumë shqiptarë, që janë të mirëorganizuar në kulturë, në shoqëri dhe në profesionet e tyre, ku me shumë prej tyre njihemi dhe jemi miq. Jeta është akoma më e bukur kur ti takon njerëz, ku nga ata mund të marrësh vlera dhe të integrohesh më lehtë në jetën shoqërore të një qyteti që nuk e njeh.
CMG: Kur shkuat në Itali a kishit njohuri të gjuhës italiane apo e mësuat atje?
Elona Jolla: Unë gjuhën italiane e kam mësuar që në moshën 13 vjeçare. Kam folur tre gjuhë të huaja, italisht, anglisht dhe spanjisht.
CMG: Duke ditur gjuhën e keni pasur dhe më të lehtë integrimin në Itali?
Elona Jolla: Patjetër, duke ditur gjuhën gjithçka pastaj vjen natyrshëm.
CMG: Pse zgjodhët të studionit në degën e trashëgimisë artistike?
Elona Jolla: Ky është pasioni im që kam për artin, arkeologjinë dhe kulturën e monumenteve dhe të pikturës. Unë tek kjo degë gjeta veten duke marrë një kulturë më dimensionale në botën e artit, të filmit, pikturës dhe krijimtarisë. Gjithashtu unë po vazhdoj dhe një master për gazetari dhe kulturë shtypi dhe shpresoj që me kalimin e kohës ta vë në përdorim dhe aktualisht vazhdoj të shkruaj artikuj të ndryshëm.
CMG: Ju vazhdoni masterin në degën e gazetarisë, por a mendoni se mund të keni një hapësirë për të punuar në Itali si gazetare?
Elona Jolla: Shpresoj, gjithmonë eci me këmbëngulje për të arritur atje ku dua.
CMG: Flasim për krijimtarinë tuaj artistike. Keni shkruar poezi dhe gjithashtu keni realizuar dhe disa këngë.
Elona Jolla: Unë me muzikë jam marrë që e vogël kur isha në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Kam bërë disa kurse të shkurtëra, një kurs shumë të rëndësishëm e kam bërë në Romë ku kam studiuar për muzkë moderne dhe shpresoj që të eci më tej në muzikë. Unë kam realizuar një këngë që është një baladë shpirti, që unë ja kam dedikuar një personi që nuk jeton, teksti është i imi, ndërsa muzikën e ka realizuar një kompozitor i njohur.
CMG: Në Shqipëri vini çdo vit për pushime dhe çfarë ju mungon më shumë nga vendlindja kur jeni në Itali?
Elona Jolla: Unë vij shpehsherë në Shqipëri sepse e dua dhe Tirana është vendi im që unë e dashuroj nga të gjitha vendet e tjera në botë. Mundohem që të vij sa më shpesh kur gjej mundësinë dhe për punët që unë duhet të bëj në anën kulturore dhe shoqërore.
CMG: Keni dy vajza që studiojnë në Itali. A mendoni se ato do të qëndrojnë përgjithmonë atje?
Elona Jolla: Jeta është enigmë, mund të jetë dhe në Itali, por mund të jetë dhe në Shqipëri apo ndonjë vend tjetër, varet ku jeta të çon në hapat e saj. Ato të shkojnë ku të kenë dëshirë, vetëm dua që të jenë mirë.
CMG: Përsa i përket krijimtarisë tuaj letrarë, çfarë keni botuar?
Elona Jolla: Unë shkruaj poezi dhe vargje, por po mundohem që të krijoj dhe në fushën e kulturës, duke shkruar për kulturën shqiptare apo vendeve të tjera. Gjithashtu do të merrem dhe me shkrime shoqërore, ku kam në plan për të shkruar një libër tjetër mbi politikën dhe shoqëria që krijohet në këto vende kaq sociale.
CMG: Cili është angazhimi juaj në qytetin e Parmës?
Elona Jolla: Angazhimi im profesional është që merrem me fëmijët me autizëm. Jam mësuese zëvendësuese në edukimin e tyre.
CMG: Si ndjeheni në këtë pozicion pune dhe a është e vëshirë për ju?
Elona Jolla: Është e vëshitrë, por është një nga profesionet që unë e dua shumë sepse është bukur kur ti jep kontributin tënd për këta fëmijë që kanë nevojë t’u qëndrosh pranë.
CMG: Cila është marrëdhënia që keni me komunitetin shqiptar në Parma?
Elona Jolla: Marrëdhënien e kam shumë të mirë pothuajse me të gjithë. Në Parma kemi një shoqatë shqiptare që quhet “Skanderbeg”, kemi dhe një tjetër që quhet “Gratë e pavarura”, ku mblidhen për të folur për kulturën ose për gjërat e tyre në emigrim, duke organizuar shumë festa. Unë kam një miqësi shumë të mirë me ta, pothuajse me të gjithë.
CMG: Keni 15 vite që jetoni në Itali, por si e shikoni jetën tuaj në vazhdim, të jetoni aty apo ndoshta dhe një rikthim në Shqipëri?
Elona Jolla: Unë kam shumë dëshirë të kthehem në tokën shqiptare dhe do ta bëj sa më shpejt. Unë do të preferoja që të jetoja këtu në Tiranë dhe shpresoj që të jem midis të dyjave, Parmës dhe Tiranës.
CMG: Nëse ktheheni në Shqipëri a mendoni se do të jetë e lehtë që të punësoheni për degën që keni studiuar?
Elona Jolla: Shpresoj, me këmbëngulje dhe profesionalizëm do mundohem ta realizoj që unë të jap kontributin tim në fushën artistike dhe të kulturës.
CMG: Po vajzat tuaja e kanë trashëguar nga ju artin apo kanë dëshira të tjera në jetë?
Elona Jolla: Vajza ime e madhe meret me teatër, ku ka një vit që ndjek një shkollë musical, kurse vajza e vogël e ka talentin e muzikës që i pëlqen, por që do të shohim më vonë, tani të shijojnë momentet e fëmijërisë.
CMG: Fëmijët tuaj studiojnë në shkollë në gjuhën italiane, por a ju keni mësuar dhe gjuhën shqipe?
Elona Jolla: Vajzat e mia kuptojnë shumë mirë shqip por e flasin pak. Ne po punojmë që ata ta përvetësojnë më shumë gjuhën shqipe.
CMG: Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen?
Elona Jolla: Projektet e mia janë që të krijoj dhe të realizoj gjithmonë gjëra që kanë lidhje me kulturën. Dëshiroj të jap kontributin tim në kulturën etnografike, monumentale dhe albanologjike, pra aty ku unë kam studiuar dhe jam profesioniste. Për momentin jam duke punuar për një libër për kulturën e kostumeve shqiptare, është një libër sipërfaqësor ku do të vijë si katalogim për lexuesit shqiptarë dhe italianë sepse libri do vijë në ghuhën italiane dhe shqipe. Libri është i mbështetur nga Gloria Bianchino e cila është drejtoreshë e Muzeut Arkeologjik në Parma, por dhe e kulturës etnografike në rajonin e Italisë. Shpresoj të pëlqehet dhe të vijë mirë te lexuesit apo njerëzit që e duan artin.
CMG: Ju keni marrë dhe shumë vlerësime në Itali. Si ndjeheni që një shqiptare vlerësohet nga shteti italian?
Elona Jolla: Gjithmonë ndjehesh mirë, por çdo gjë duhet marrë me modesti. Kur diçka arrin, gjithmonë është kënaqësi.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Elona Jolla: Ju falenderoj, ishte kënaqësi dhe shpresoj të kemi intervista me projekte të tjera.
Intervistoi: Gazmend Agaj