Sulmet kibernetike në Ballkanin Perëndimor
2022-09-06 10:24:49

Pas sulmit kibernetik në Shqipëri, Mali i zi është goditur së fundmi nga një tjetër sulm. Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deklaroi se Mali i Zi që nga 20 gushti është ekspozuar ndaj sulmit më të madh ndaj sistemit informativ, sulm ky që ende po vazhdon. Për Grupin Mediatik të Kinës, eksperti Anxhelo Lushka shprehet se përse ndodhin këto sulme të njëpasnjëshme dhe çfarë duhet të kenë parasysh vendet që janë goditur.

“Shqipëria është e rrezikuar nga sulmi kibernetik, sidomos nëqoftëse sulmi vjen nga grupe të organizuara dhe të paguara nga shtete të tjera. Goditjet që po bëhen në Malin e Zi mendoj se janë pjesë e planit për të destabilizuar rajonin, për shkat dhe të situatës që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës.”, u shpreh eksperti Lushka.

Sipas tij,  siguria kiberentike është e rëndësihme që të njihet nga çdo individ, sepse aty nis gjithçka. Kohët e fundit në rrjetet sociale shumë individë lejojnë që të dhënat e tyre të jenë të ekpsozuara, duke rrezikuar kështu prekjen nga hackerat.

“Siguria kibernetike duhet të nisë nga çdo person, pra individualisht duhet të kujdesemi që të dhënat tona mos t’i vendosim në çdo vend. Pra informacionet private t’i mbajmë sa më të sigurta dhe të mos i ndajmë në rrjetet sociale, fenomen të cilin e shohim çdo ditë ku shumë persona e ndajnë vendodhjen e tyre gjithë kohën. Disa informacione nuk mund të bëhen publike, pra nëse ti ngarkon diçka në internet ajo nuk do të zhduket më asnjëherë. Mendoj se çdo gjë vjen nga individët fillimisht. Për mjetet ka të ndryshme, por përderisa aplikacionet ekzistojnë është gjithmonë punë ideologjie dhe gjithmonë e varur nga individi dhe jo nga programet që ata përdorin, pasi ato të çojnë deri në një pikë të caktuar dhe jo çdo program është i mjaftueshëm për të mbrojtur privatësinë”, thekson ai.

Ka disa mekanizma që këto sulme mund të shmangen disi, por jo plotësisht. Shtetet duhet të krijojnë një rrjet të sigurt të aksesimit të informacioneve në administrate, në mënyrë që askush të mos ketë të drejtë të futet në sektorë që nuk i përkasin.

“Të tilla sulme nuk mund të shmangen 100 për qind, por mund të parandalohen në një mënyrë ose në një tjerë, duke ngritur sistmeme të duhura dhe efikase si “permissions”. Pra jo çdo përdorues ka të drejtë të aksesojë një informacion që ndodhet në server. Një punonjës i një departamenti nuk ka të drejtë të aksesojë informacionet e një tjetri. Gjithashtu dhe sistemet duhet të jenë të tilla të ndërtuara, sepse informacionet që janë delikate nuk duhet të aksesohen nga jashtë. Në tërësi këto sulme nuk mund të shmangen plotësisht, por vetëm mund të parandalohen, duke përdorur metoda të gatshme dhe të njohura nga shtete, të cilat i kanë hasur këto probleme përpara nesh”, bën të ditur eksperti.

Eksperti shton se  Shqipëria  nuk është akoma e sigurtë dhe rrezikohet të preket nga sulme të tilla, sepse tashmë hackerat kanë akses në disa informacione.

“Vendi ynë nuk është ende i mbrojtur, siç ndodhi dhe me situatën e e-albania. Kjo tregon që sulmuesit kanë pasur akses të plotë për informacione të çfarëdolloji”, tha ai.