Penda, aplikacioni me fokus kryesor korrigjimin e shkrimit
2022-09-06 10:29:12


Kostian Qirjazi e Andi Braimllari  kanë bashkëthemeluar  aplikacionin “Penda” para disa muajsh. Kostiani ka kryer studimet bachelor për gjuhën gjermane, në përkthim dhe interpretim dhe master për gjuhën angleze në përkthim dhe interpretim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Ndërsa Andi ka kryer studimet bachelor për matematikë të aplikuar dhe studimet master për informatikë.

Në një kombinim të pazakontë midis fushës teknologjike dhe asaj letrare dhe si dy djem nga qyteti i shkollës së parë shqipe Korçës, kanë vendosur të kontribuojnë sadopak në atë që shumë e artikulojnë, por nuk dinë ta përdorin shumë mirë. Dëshira për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë në shkrimin e gjuhës shqipe, i ka shtyrë të krijojnë e zhvillojmë një projekt të tillë.

CMG: Çfarë është “Penda” ?

Kostian Qirjazi: Penda është një aplikacion “open-source” me fokus kryesor korrigjimin e shkrimit (proofreading) në gjuhën shqipe. Mund të përdoret tek penda.info dhe ofron shënjime të ndryshme mbi tekstin e shkruar. Ka rreth 10 muaj zhvillim dhe pjesët që kemi bërë publike mund të gjenden te github.com/OpenCovenant.

CMG:Pse quhet “Penda” dhe si u vendos emri?

Andi Braimllari: Gjetja e një emri është padyshim një nga vendimet më të vështira në një projekt dhe ne na u desh pak kohë. Ashtu si çdo titull, i cili duhet të tërheqë vëmendjen e atyre që e hasin dhe në të njëjtën kohë të sjellë imazhe të caktuara, ne vendosëm për Pendën, një objekt që na çon pas në kohë, në një kohë kur rilindas si Kristoforidhi, Veqilharxhi apo vëllezërit Frashëri luftonin me të. Qëllimi i tyre ishte një gjuhë e pastër, pa ndikime të huaja, e cila përçonte mesazhin në shqip e vetëm në shqip.

CMG:Kush ju ndihmoi ta realizonit?

Andi Braimllari: “Penda” është në këtë fazë falë një numri të konsiderueshëm kontributorësh,  që kanë punuar e ofruar ndihmë për një kohë të gjatë. Për fatin tonë të mirë, reagimi kryesor që kemi marrë sa herë që e kemi prezantuar, ka qenë pozitiv. Përfshirja e personave të ndryshëm ka qenë përgjithësisht e lehtë, pasi proceset dhe mënyra e menaxhimit të brendshëm që kemi, na lejon të identifikojmë menjëherë se cila do ishte pjesa më me vlerë për ata për të kontribuar. Aspekte të ndryshme si rregullat e drejtshkrimit, bazat e të dhënave, bashkë me rregullimin dhe pastrimin manual të tyre, kodi i shkruar, ndërfaqja, madje edhe lidhja që bën pjesa kritike e përdoruesit me një ngjyrë të caktuar, deri te zgjedhjet e fjalëve për shenjimet, janë diskutuar e dakordësuar disa herë mes kontributorëve. Nëse do të dëshironit të përmirësonit apo ndryshonit diçka, jeni mëse të mirëpritur të na kontaktoni!

CMG:Si u krijua, pati një indicie?

Andi Braimllari: “Penda” nisi si një ide në vitin 2019, me qëllimin për t’i lehtësuar punën vetes. Duke qenë se ishim dy studentë, të cilën bombardoheshin me tekste akademike gjatë gjithë kohës, hasnim shumë gabime, qoftë gramatikore, ortografike apo dhe stilistikore. Kështu që menduam të krijonim diçka që mund të ndihmonte në shmangien e këtyre ngatërresave. Pas rreth 2 vitesh, vendosëm ta vinim në provë këtë dëshirë, duke krijuar diçka që fillimisht kapte e jepte sugjerime për gabime të dukshme. Pas kalimit të shumë sfidave, “Penda” sot ofron një larmishmëri shënjimesh, edhe pse është akoma larg nga objektivat tona.

CMG: Çfarë qëllimi kishte dhe ka tek ata që duan ta përdorin?

Kostian Qirjazi: Qëllimi i “Pendës” është mjaft i qartë, mirëmbajtja e gjuhës shqipe. Kjo kërkohet të arrihet nëpërmjet disa mënyrave, duke filluar nga edukimi përmes shpjegimeve që jepen për gabimet, sugjerimet që japim për zëvendësim, apo edhe nga publikimi i bazave të të dhënave të shqipes, që zhvillojmë (kjo do të ndihmonte veçanërisht kërkuesit e albanologjisë, apo inxhinieret e NLP).

Ne dëshirojmë që nëpërmjet “Pendës”, si faqe interneti, apo si një shtesë në shfletues (browser plugin) ta bëjmë shkrimin e teksteve të çfarëdo lloji qofshin ato, sa më të lehtë, në mënyrë që kur dikush kërkon në Google apo çdo motor tjetër kërkimi për artikuj në gjuhën shqipe, shumica ta kenë shkronjën ë, në vendin e duhur dhe jo të “duhur”. Qëllimi mund të duket shumë parimor, e ndoshta premton shumë, megjithatë, ne po përpiqemi të japim një kontribut në mënyrë që gjuha të shkruhet sa më mirë.

CMG: Disa detaje operacionale nga mënyra se si keni punuar dhe vijoni të ndani rolet e punës?

Kostian Qirjazi: Rolet e anëtarëve janë përgjithësisht të përcaktuara. Disa merren me pjesën inxhinierike dhe disa me pjesën gjuhësore, e në të njëjtën kohë sinkronizohemi kur bëhët fjalë për sfida që prekin të gjithё përvojën e përdoruesit, sa agresive duhet të jetë “Penda” me shënjimet, prioritetet, idetë tona për të ardhmen e saj, si presim të jetë marrëdhënia e përdoruesit me të etj. Vendime të tjera rreth operacioneve të brendshme të Pendës janë minimale, pasi zhvillimi dhe rritja e cilësisë kanë qenë prioriteti ynë.

CMG: A u shërben institucioneve apo vetëm individëve?

Andi Braimllari: “Penda” synon t’u shërbejë të gjithë institucioneve dhe individëve që duan që teksti i tyre të jetë i saktë nga ana drejtshkrimore. “Penda” u shërben studentëve, që shkruajnë detyra kursi e tema diplome, mësuesve që përpilojnë testimet, pedagagëve që shkruajnë tezat e temat e tyre, të gjithë atyre që janë në kërkim të një pune, për ta pasur CV-në apo letrën e motivimit sa më të qartë e sa më të drejtpërdrejtë, e deri te punonjësit e administratës apo kompanive private, për të shkruar e-mail-e të sakta, e për të përpiluar raporte, për të cilat shefat e tyre mund t’u japin edhe bonuse. Megjithatë, ne jemi përpjekur të kemi kujdes në qasjen ndaj kategorive të ndryshme të përdoruesve.

Gjatë bisedave me përfaqësues të institucioneve, kemi krijuar e zhvilluar një ide më të qartë se çfarë u intereson atyre dhe se çfarë mund të bëjmë ne në lidhje me to, duke folur gjithashtu dhe me mësues e studentë, të cilët kanë kërkesa të tjera.
Në fund të ditës, për ne është thelbësor komunikimi i vazhdueshëm nga të gjithë përdoruesit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të zhvillojmë një shërbim që ofron atë që kërkojnë.

CMG: Çfarë pritshmërish keni për të ardhmen?

Andi Braimllari: Dëshirojmë që komuniteti i “Pendës”, qoftë nga ana teknike dhe gjuhësore, të rritet dorë për dorë me vlerën që “Penda” do t’u ofrojë përdoruesve të saj. Më konkretisht, kjo duhet të reflektohet te funksionalitetet nga ana teknike dhe bazat gjuhësore të të dhënave. Në çdo rast, dhënia e vlerësimeve nga përdoruesit përfaqëson një element kyç, se si “Penda” do të rritet në mënyrë më të sigurt në të ardhmen.

CMG: A jeni të gatshëm të shtoni diçka si funksion?

Kostian Qirjazi : Duam të zhvillojmë sa më shumë fjalorin e “Pendës”, shprehitë e saj, për të dhënë sugjerime sa më të sakta dhe natyrale nga ana gjuhësore.
Së shpejti dëshirojmë të shtojmë dhe një shtesë për shfletues (“browser plugin”) apo edhe në WordPress. Në një të ardhme të largët konsiderojmë dhe shtimin e një kontrolli për plagjiaturë, për të ndihmuar si pedagogë, ashtu edhe studentët, për të pasur studime sa më origjinale dhe të vlefshme për botën shqiptare të akademisë.

 Intervistoi: Megi Latifi