Kinë, inovacioni nxit zhvillimin me cilësi të lartë
2022-09-06 11:50:48

创新---[chuàng xīn]---inovacion

Të dhënat e fundit statistikore tregojnë që, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ekonomia digjitale e Kinës është rritur nga 11 trilionë juanë në mbi 45 trilionë juanë dhe përpjesëtimi i saj në GDP-në e vendit është ngritur nga 21 % në afro 40 %. Ndërkohë, produktet e teknologjisë digjitale janë futur nëpër familje dhe po ndryshojnë thellësisht mënyrën e jetesës së njerëzve.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Për t’u përshtatur me kërkesat e konsumatorit, teknologjia “inteligjente” është bërë një element mjaft i parapëlqyer për shumë pajisje elektro-shtëpiake digjitale. Qoftë në qytetet e mëdha, ashtu edhe në ato të vogla, pajisjet elektro-shtëpiake me Wi-Fi janë shumë të përhapura.

 

Z. Bi, një konsumator, thotë: “Janë më inteligjente, më të gjelbra dhe më të lehta. Mund t'i kontrolloj me celular. Nëse ka problem, mund të gjej zgjidhje nga larg.”

 

Jetesa moderne ka ritëm të shpejtë dhe presion të madh. Për të plotësuar kërkesat e njerëzve dhe për t'u "çliruar" nga punët shtëpiake, gjithnjë e më shumë produkte teknologjike po dalin në treg, duke krijuar një format të ri biznesi që quhet “ekonomia për përtacët”.

 

Një qytetar i quajtur Cai Jing u shpreh: “Me këto pajisje elektro-shtëpiake inteligjente, jeta ime është lehtësuar më shumë. Tani jam më i lirë dhe kam më shumë kohë për të bërë punët e mia.”

 

Të dhënat tregojnë se në vitin 2021, prodhimi i pajisjeve elektro-shtëpiake inteligjente në Kinë i ka kaluar 220 milionë njësi dhe këtë vit pritet të arrijë në 260 milionë, me një rritje prej 17 %, ndërsa deri në vitin 2025 shifra pritet t'u afrohet 540 milionëve.

 

Ish-drejtori i çështjeve europiane dhe ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, dr. Michael Borchmann, u shpreh: “Në të ardhmen, një drejtim për inovacionin është digjitalizimi. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, tani ekonomia digjitale zë 15 % të GDP-së globale. Ndër vendet e G20-s, sipas të dhënave të fundit nga Forumi Ekonomik Botëror, Kina renditet në vendin e parë në fushën e zhvillimit digjital.”

 

Me ndryshimin e mënyrës së jetesës së njerëzve, inovacioni teknologjik po ndihmon gjithashtu Kinën të arrijë zhvillimin me karbon të ulët. Në Shangai, një kompani teknologjike, që është krijuar në vitin 2018, ka vënë në fokus të zhvillimit industrinë e qelizave të karburantit, duke synuar të zërë një pozicion të mirë në konkurrimin për energji të reja që ka filluar tani.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Kryemenaxheri i Kompanisë së Teknologjisë së Hidrogjenit të Shangait, Lu Bingbing, thekson: “Tani qelizat tona të karburantit përdoren gjerësisht në automjetet e udhëtarëve dhe ato komerciale. Automjetet komerciale përfshijnë makinat e logjistikës e të pastrimit, autobusët urbanë, autobusët ndërqytetës dhe disa kamionë të rëndë. Përdorimi mund të zgjerohet më tej për rulotë, vinçat pirun dhe pajisjet e furnizimit rezervë me energji.”

 

Tani Shangai ka promovuar rreth 1 500 automjete me qeliza karburanti. Sipas planit, numri i automjeteve të tilla do të arrijë mbi 10 mijë deri në vitin 2025, duke qenë një pjesë e zinxhirit industrial të energjisë së hidrogjenit të Shangait me vlerë prej 100 miliardë juanësh.

 

Profesori i asociuar në Departamentin e Historisë të Universitetit Kombëtar të Kievit Urusov Volodymyr thotë: “Kina nxit zhvillimin e bashkërenduar të qytetërimit material, qytetërimit politik, qytetërimit shpirtëror, qytetërimit shoqëror e atij ekologjik, duke krijuar rrugën e re të modernizimit dhe modelin e ri të qytetërimit njerëzor. Lideri kinez ka bërë shumë herë thirrje për shtimin e ‘bashkëpunimit të gjelbër’, për nxitjen e ‘zhvillimit t gjelbër’, për mbështetjen e ‘mëkëmbjes së gjelbër’ dhe për kërkimin e përbashkët të rrugës së bashkëjetesës harmonike mes njeriut dhe natyrës, me synim që të nxitet ndërtimi i bashkësisë së jetës mes njeriut dhe natyrës.”

 

Për të plotësuar kërkesat e njerëzve për një jetë të bukur, Kina ka paraqitur konceptin e zhvillimit me cilësi të lartë që drejtohet nga modeli i ri i zhvillimit dhe inovacioni teknologjik është pikërisht motori i rëndësishëm për realizimin e këtij objektivi madhor.(Jiang Lei)