< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Rita Ora vlerësohet me titullin e lartë në Shqipëri “Naim Frashëri”
2022-09-06 10:49:49

Rita Ora, këngëtarja me origjinë shqiptare me famë botërore, ndodhet tashmë në Tiranë, për koncertin që do të zhvillojë mbrëmjen e së martës në sheshin “Skënderbej”, në kryeqytetin shqiptar, në kuadër edhe të “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”.

Gjatë një takimi që ka zhvilluar me artistët e rinj që ndjekin Liceun Artistik, nën shoqërinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Rita Ora ka shpërndarë mesazhe motivuese, duke inkurajuar të rinjtë që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe mos të dorëzohen, por të jenë të fokusuar në atë që dëshirojnë vërtet, përcjell “RTSH”.

Më pas, në një ceremoni të posaçme në Presidencë, kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj, vlerësoi këngëtaren me titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Me mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”.

Në ceremoninë e dekorimit, presidenti Begaj deklaroi se Rita Ora është shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht.

Ai shtoi se zëri i Rita Orës jo vetëm e ka pasuruar fondin e muzikës botërore, por është një zë i fuqishëm edhe në shumë kauza sociale e kulturore, të cilat ndihmojnë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë.  (Fatosi)

 

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree