Përkujtohet 6-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës
2022-09-06 11:01:56

Më 5 shtator, Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, shqiptarët përkujtojnë figurën e bamirëses me origjinë shqiptare Nënë Tereza. Këtë vit përkujtohet edhe 6-vjetori i shenjtërimit të saj.

Presidenti shqiptar Bajram Begaj deklaroi se Nënë Tereza është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit. Përmes një postimi zyrtar, kreu i shtetit shqiptar e cilësoi këtë ditë si një ditë reflektimi për më shumë solidaritet, dashuri për njëri-tjetrin dhe shërbim për Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama, ndërsa postoi në rrjete sociale një foto të Shën Terezës, e cilëson atë “gruan e paqes në botë”.

Një mesazh urimi për Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës erdhi edhe nga ambasadori kinez në Shqipëri, Zhou Ding, i cili postoi një mesazh në “Facebook: “Gëzuar Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës! Nënë Tereza është krenaria e kombit shqiptar, simboli i paqes, solidaritetit dhe shpresës. Sot ende ka nevojë për ndihmë dhe solidaritet, le ta kujtojmë dhe të marrim forcë nga jeta e saj e jashtëzakonshme”.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur zyrtarisht si Nënë Tereza, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Jetën ajo ua dedikoi të gjithë njerëzve që ishin në nevojë.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë për t’u shërbyer të gjithë të varfërve, gjë që e bëri deri në fund të jetës së saj. Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” në vitin 1962 dhe çmimin “Nobel për Paqe” në vitin 1979.

Për veprat e saj bamirëse, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga njerëzit në mbarë botën. (Fatosi)