Kinë, konsumi i birrës aktivizon gjallërinë ekonomike
2022-09-06 17:31:20

Foto:VCG

Foto:VCG

Zakonisht, njerëzit e bashkëshoqërojnë verën me fjalët “vapë” ose “valë të nxehti”. Këtë verë, temperatura e lartë ka shoqëruar pothuajse tërë periudhën e pushimeve. Për këtë shkak, pijet freskuese, si birra, janë bërë “standardi i verës” për konsumatorët në krahinat e ndryshme të Kinës.

 

Një gotë birrë mund të sjellë shije të freskët dhe mund të aktivizojë gjallërinë e konsumit të një qyteti. Nga Hunan-i i Kinës Jugore në Xian dhe Qingdao të Kinës Veriore, e deri në Chongqing-un që ndodhet mes maleve, shumë krahina në Kinë kanë organizuar aktivitete të shumëllojshme me birrën si element kyç, çka ka nxitur me sukses gjallërimin e ekonomisë vendore.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Birra, “motori” i freskët për “nxehjen” e konsumit

Në fund të korrikut, qyteti Shaoshan i provincës Hunan organizoi Festën e Birrës dhe të Ushqimeve 2022 në bulevardin kryesor të qytetit. Kjo veprimtari 3-ditore mblodhi një fluks të madh qytetarësh, të cilët konsumuan gjithashtu masivisht. Birra sigurisht është një nga mallrat e konsumuara më shumë, dhe bashkë me të, është nxitur edhe konsumi në restorant, udhëtimet dhe qëndrimi në hotel, duke i dhënë ekonomisë vendore një hov që po vazhdon edhe tani.

 

Në qytetin Xi’an të provincës Shaanxi, kjo verë ka shënuar temperatura shumë të larta, duke i nxitur njerëzit të shkojnë në supermarkete ose të rrinë në shtëpi duke porositur në internet. Por kjo nuk ka ndikuar në konsumin e pijeve freskuese dhe birra zë vendin e parë të shitjes në këtë qytet të lashtë kinez.

 

Moti i nxehtë ka zgjatur edhe kohën e biznesit. Në këtë verë, restorantet zakonisht kanë qëndruar hapur deri në orën 4-5 të mëngjesit dhe kjo sipas vendësve është koha më e freskët e ditës, jo vetëm për shkak që temperatura është më e ulët, por edhe pasi ata janë të shoqëruar nga birrat e freskëta. Në një restorant normal, numri i porosive në internet është afro 30 në ditë, ndërsa shitja e birrës arrin në afro 300 shishe.

 

Qysh nga muaji qershor, me hyrjen në verë, në supermarketet “Freshhema”, birra u shit më shumë, duke shënuar rritje me mbi 50 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë verë, birra artizanale preferohet më shumë nga njerëzit. Sipas të dhënave fillestare, nga qershori deri në gusht, shitja e birrave me marka të regjistruara në supermarketet “Freshhema” në Xian i ka kaluar 10 mijë tonët.

 

Baoji ndodhet afër me Xian-in dhe këtë verë ky qytet ka organizuar festën e birrës, që mbuloi të gjitha zonat ekonomike dhe pikat turistike të 17 distrikteve të ndryshme. Shitja e birrës i ka dhënë një shtysë të madhe edhe konsumit turistik në mbarë qytetin. Sipas statistikave, në festën e birrës kanë marrë pjesë mbi 500 mijë veta, duke tërhequr pothuajse 1.2 milionë turistë nga jashtë qytetit. Festa e birrës ka nxitur konsumin e mallrave prej mbi 600 milionë juanësh, duke pasur efekte shumë të mira ekonomike dhe shoqërore. Gjatë kësaj veprimtarie, vetëm shitja e birrës “Tsingdao” i ka kaluar 500 tonët, kurse në mbarë qytetin, shitja e kësaj birre ka shkuar mbi 2 000 tonë. Statistikat tregojnë që në këtë periudhë, konsumi i ushqimeve i ka kaluar 90 milionë juanët, kurse të ardhurat nga akomodimi turistik dhe shitblerja e mallrave të përditshme kanë shënuar vlerën afro 280 milionë juanë.

 

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Tsingdao, festa e famshme e birrës vazhdon në cloud

 

Qingdao (Tsingdao) është një qytet që njihet për birrën cilësore dhe festa e birrës në këtë qytet bregdetar tërheq mjaft birrëdashës dhe turistë nga mbarë Kina, e madje edhe nga vende të huaja. Këto dy vjetët e fundit, për shkak të pandemisë, është pakësuar shumë numri i pjesëmarrësve në këtë festë, por organizatorët kanë gjetur një rrugë të re. Tani, me teknologjinë cloud, pasioni i njerëzve për të pirë birrë dhe për të festuar janë ndërthurur sërish, çka ka pasur efekte të dukshme në nxitjen e konsumit, duke krijuar një model të ri për nxitjen e rritjes ekonomike.

 

Sivjet, në festën e birrës, është organizuar veprimtaria “Një dolli nga Tsingdao me tërë botën”, ku janë ndërlidhur 12 qytete të huaja të Rusisë, Britanisë e Portugalisë dhe 17 qytete kineze nëpërmjet internetit.

 

“Kemi organizuar 10 transmetime të drejtpërdrejta, ndeshje sportive, si boksi, videolojëra dhe kërcim hip-hop. Me festën cloud kemi tejkaluar kufizimet e kohës dhe hapësirës, duke gjetur një rrugë të re,” thotë zv.drejtori i Festës së Birrës të Tsingdao-s 2022, Cui Xijun.

 

“Aktivitetet e pasura në internet kanë sjellë fluks të madh vizitorësh. Me këtë rast, kemi ofruar mbi 100 mallra të 30 markave të ndryshme, duke organizuar shitje të drejtpërdrejta në cloud. Njerëzit pëlqejnë më shumë mallra me veçanti lokale, si birra artizanale dhe birra me shije frutash,” thotë organizatorja e shitjeve të drejtpërdrejta në cloud, Hu Shunshan.

 

Përveç platformës cloud, një numër të madh njerëzish kanë tërhequr edhe mallrat në dyqanet në vendin e zhvillimit të festës. Në Qytetin e Birrës “Plazhi i artë”, konsumatorët mund të gjejnë mbi 7 mijë lloje mallrash nga më shumë se 30 vende të botës. Sipas të dhënave nga platforma e tregtisë ndërkufitare “HI Buy”, në këtë periudhë ka pasur më shumë vizitorë dhe turistë. Vetëm në muajin korrik, shitja e mallrave është rritur me 30 % krahasuar me qershorin.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Birra takohet me vallet e pakicave kombëtare

 

Përveç qyteteve të njohura të birrës, edhe krahinat e brendshme të Kinës kanë pasur një sezon të nxehtë me përzierjen e “aromave” të birrës dhe “ngjyrave” të pakicave kombëtare.

 

Qyteti Chongqing i Kinës Jugperëndimore ndodhet në zonë malore dhe, këtë verë, organizatorët e festës së birrës në distriktin Liangping të Chongqing-ut ftuan artistë nga Rajoni Autonom i Xinjiang-ut për nxitjen e konsumit.

 

Në këtë festë pati shumë shfaqje artistike me karakteristika të pakicave kombëtare nga Xinjiang-u. Vallet ujgure, uzbeke dhe taxhike kanë sjellë kulturat e ndryshme, dhe artistët ndërvepruan me shikuesit, duke krijuar një atmosferë shumë të ngrohtë.

 

“Maixilaipu” është një valle ujgure që ka kuptimin “festë e këndshme” në gjuhën e kësaj kombësie. Zakonisht valltarët ftojnë shikuesit të kërcejnë bashkë me ta dhe atmosfera është shumë e ngrohtë. Ndërkohë, vallet uzbeke kanë ritëm të lehtë e të shpejtë, çka përshtatet mirë me festën e birrës.

 

“Shfaqjet janë shumë të mrekullueshme e të veçanta. Veçanërisht ajo pjesa me ndërveprim ishte shumë interesante. Të gjithë i preferojnë shfaqje të tilla,” tha një shikues. (Jiang Lei)