Balada mbledh studiuesit në atdheun e saj në një konferencë ndërkombëtare
2022-09-05 09:51:12

Baladat janë një pasuri që trashëgohen brez pas brezi dhe që konsiderohen si trashëgimi shpirtërore. Mbi ta është ndërtuar letërsia, kinemaja, eshtë ndërtuar opera. Sot trashëgimia e pashkruar është në rrezik nga globalizmi.  

Akademia e Shkencave dhe Komisioni Ndërkombëtar i Baladave çelën Konferencën e 50-të Botërore të Baladave, me temë “Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë”. Marrin pjesë me kumtime mbi 60 kërkues nga universitetet dhe qendrat kërkimore më të rëndësishme europiane e botërore nga Shqipëria, Italia, Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Anglia, Franca, Spanja, Gjermania, Zvicra, Ukraina, Holanda, Skocia, SHBA, Afrika e Jugut, etj.

Studiues të njohur të baladave dhe të folklorit kanë ardhur në Shqipëri për të mbajtur konferencën e 50-të në kryeqytetin shqiptar dhe në qytetin muze të Gjirokastrës nga datat 1-5 shtator. Konferencën e çeli Kryetari i Akademisë së shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi.

“Baladat mesjetare të popujve të Ballkanit nuk i kanë njohur e nuk i njohin kufijtë. I këndojnë shqiptarë e grekë, kroatë e serbë, malazez e sllovenë; i këndojnë bullgarë e maqedonas, turq e boshnjakë, rumunë e hungarezë. I këndojnë romët dhe egjiptianët, kanë shtegtuar pa pasur nevojë për vizë që nga Izraeli, deri në Skandinavi. Popujt e Ballkanit me baladat e tyre kanë krijuar ura shpirtërore”, u shpreh Gjinushi në fjalën e tij.

Ai përcolli nderimin për ata personalitete të rrallë të studimit të baladave, që zbuluan shkëlqimin e tyre në Ballkan, që nga Xhorxh Gordon Bajron e Viktor Hygo, deri tek antropologët e famshëm Milman Parry e Albert Lord, albanologët e ballkanologët e mirënjohur, që mblodhën folklorin e popujve të vet dhe të fqinjëve.

Në konferencën e mbajtur në Tiranë diskutuan studiues të ndryshëm, duke evidentuar aspekte të ndryshme të baladave, veçoritë, afrimet dhe dallimet mes tyre. Studiuesja dhe njëkohësisht një nga organizatoret, Olimbi Velaj, rrëfen se sa e pasur është Shqipëria me balada e këngë popullore dhe flet për rëndësinë e baladave në kulturën tonë.

“Është një shanc për Shqipërinë që të gjithë këta studiues nga e gjithë bota marrin pjesë pikërisht për baladën. Ata e quajnë Ballkanin dhe kryesisht Shqipërinë, atdheun e baladës dhe në fakt është i tillë”, thotë Velaj.

Baladat përfshijnë gjithë territorin shqiptar. Nuk ka pjesë të hapësirës historike shqiptare, që mund të mos ketë ekzistencë të baladave. Nuk ka njeri që të mos ketë dëgjuar për baladën e Ago Ymerit, të “Kostandinit dhe Doruntinës”, apo baladën e Rozafës. Sidomos të tre motiveve kryesore, atij të flijimit, të rikthimit dhe të ringjalljes. Janë tre motive që nuk ka pjesë të hapësirës shqiptare që të mos dëshmohen.

Studiuesi Shaban Sinani nënvizon se baladat janë një pasuri për vendin tonë dhe kjo pasuri duhet trajtuar me seriozitet. Sipas Sinanit, “ardhja e 60 studiueseve nga të gjitha anët e botës, u jep gjithashtu vëmendje këtyre pasurive që ne kemi. Krijon mundësi që shkolla të ndryshme, pikëpamje të ndryshme shkencore për historinë e baladave, kohën e formimit të tyre, origjinën, mbijetesën të bashkëshihen mes tyre dhe sigurisht edhe studiuesit shqiptarë të shikojnë se sa të argumentuar dhe të suksesshëm kanë qenë në tezat e tyre“, shprehet ai.

Si kontribuesit më të vyer të kësaj trashëgimie, Sinani përmend arbëreshët e Italisë. Motivet e baldave shqiptare janë pjesë e dosjes “Moti i madh” që arbëreshët e Italisë e kanë hartuar për ta ruajtur në UNESCO.

“Pa diskutim që kontributi i arbëreshëve është më i hershmi në studimin e baladave dhe më i qëndrueshmi në kohët e sotme. Do të veçoja këtu studimet e Françesko Altimarit, Matteo Mandalas , të cilët në këto dekada të fundme po i shohin baladat në një dritë tjetër”, shprehet akademiku.

Sa i përket baladave të përcjella gojarisht, akademiku rrëfen nëse ka ende për të mbledhur. Ai thotë se secili ka variantin e vet dhe ajo që duhet bërë sot është të studiohet kush ka variantin më të bukur dhe jo më të hershmin.

“Ende mund të flitet për balada që mund të mblidhen në terren. Sigurisht që nuk është më fondi i baladave të paprekura, të pacenuara nga kultura e qytetërimit të shkruar. Fondi që kishim kur nisën të shkruajnë etërit françeskanë. Baladat e sotme jetojnë me një farë kontaminimi të kulturës së shkruar”, shprehet Sinani.

Studiuesit e huaj, pjesëmarrës në Konferencën e 50-të Ndërkombëtare të Studiuesve të Baladës, vazhduan aktivitetin në Gjirokastër, ku morën pjesë në hapjen e festivalit "Divani i Lunxhit".

Interesi është që në atë vend ku shkohet për t’u bërë konferenca të ketë një aktivitet folklorik i cili të shpalosë folklorin dhe trashëgiminë shpirtërore të vendit ku bëhen . Ne kemi “Divanin lunxhiot”, shprehet organizatorja Olimbi Velaj. Artistët popullorë nga të gjitha zonat e vendit  performuan në skenë e këtij festivali, duke prezantuar vlerat më cilësore të folklorit dhe etnografisë.

Neritana Kraja