Nevoja për kredi nga bizneset dhe sjellja e bankave
2022-09-05 09:24:38

Duket se sektori fason po kalon periudhë të vështirë për financim. Në një intervistë për Euronews  Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës “Pro-Export” u shpreh se kostot e njëpasnjëshme kanë çuar në ezaurimin e kursimeve.

“Të themi problematika kryesore është sepse pikërisht në këtë periudhë shumë biznese kanë ezauruar ose kanë kompletuar së paguari këstet që i kanë marrë nga garancitë sovrane njëshi dhe dyshi dhe dyndja e këtyre kredive të mëparshme ka detyruar biznesin, sidomos në sektorin tonë të manifakturës së veshjeve dhe këpucës që e kanë të nevojshme likuiditetin për investime dhe për pagesa të tjera të riaplikojnë për të marrë kredi por që për fat të keq kjo gjë pothuajse në shumë raste është refuzuar nga banka”- shprehet Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës “Pro-Export”.

Sipas Prençe refuzimi i bankave është në dëm të biznesit pasi mungesa e likuiditetit krijon ngërç.

“Likuiditeti është mënyra e vetme që biznesi të ecë përpara duke pasur këtë ngërc që bankat nuk e shohin të arsyeshme sepse në fund të ditës është një biznes për ato, patjetër duhet të themi patjetër që sektori bankar ka qenë e vetmja që në këtë periudhë krize duke marrë vitet 2020-2021 kanë deklaruar fitimet më të mëdha në krahasim me sektorët e tjerë dhe kjo është pikërisht falë veprimeve që janë bërë nga garancitë sovrane, me ndërhyrjet e shtetit si kolateral dhe pagesat e bërë të kësteve. Nga ana e biznesit dhe kjo nuk mund të hidhet poshtë dhe në një farë mënyre në momentin që nuk ka një mbështetje dhe nuk ka një lëvizje të qeverisë në momentin që bizneset iu ridrejtohen bankave dhe shohin që dera u mbyllet përpara dhe patjetër që do t’i çojë në ngërç bizneset. Shpresojmë që ky ngërç mos t’i çojë deri aty që të rikthehen në faktorin jo të dëshiruar nga asnjë. Likuiditeti është i nevojshëm për të cuar përpara biznesin.”- shprehet Prençe.

Të gjendur përballë kësaj situate kryetari i shoqatës “Pro-Export” thotë se duhet të gjenden mekanizmat nga qeveria për të dhënë një zgjidhje.

“Patjetër që ndërhyrjet duhet të ishin bërë dhe po të marrin sektorin tonë të manifakturës    ishte në projekt për tu bërë për t’u riaplikuar një model i garancisë sovrane kësaj radhe i dedikuar sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare që është sektori i turizmit, i agroturizmit dhe i manifakturës. Për fat të keq kjo gjë nuk u bë e mundur dhe nuk u realizua duke pasur parasysh që kjo paketë që ishte përgatitur u transportua dhe u transferua për problematikat e shportës dhe iu dha të gjithë bizneseve që merren me blerjen e lëndëve të para ushqimore për shportën.”- thotë ai.

Për përfaqësuesin e biznesit kjo nuk është politikë e duhur nga bankat.

“Mendoj që ka të bëjë me një politikë që tashmë bankat po ndjekin. Nuk arrijmë të kuptojmë akoma se cila është kjo politikë e tyre pasi përderisa bëjnë një analizë risku patjëtër duke pasur parasysh që vijmë nga një periudhë bllokimi total dhe ka pasur dhe një rol të xhiros vjetore të bizneseve. Por këto nuk mund të ndalojnë këto banka të mbështesin bizneset sepse përsëris një ngërc i tillë, patjetër që duhet dhe një ndërhyrje nga ana e qeverisë ne e shohim shumë të nevojshme. Mendojmë që nuk do të ketë një reflektim dhe nga ana e qeverisë që të bëhet një partner trepalësh, biznese të ndryshme, bankat e nivelit të dytë dhe anëtarët e qeverisë.”

 Bankat e nivelit të dytë sipas kryetarit të  Shoqatës “Pro-Export” duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

“ Kjo është një politikë që bëhet. Çdo bankë ka politikat e saj që ndjek. Patjetër duhet të jetë një politikë gjithëpërfshirëse e të gjitha bankave, por është dhe një marketing i brendshëm i çdo banke që në bazë të likuiditetit dhe aftësisë së tyre të likuiditetit që ato kanë bëjnë dhe politikën shpërndarëse të këtij likuiditeti në dhënien e kredive kundrejt bizneseve ose personave privatë. Nuk mund ta quaj ë ketë një ndryshim të tillë midis palëve, mund të jetë thjesht një afërsi ose mund të themi fakti që kanë një likuiditet më të madh sesa bankat e tjera.”

Një nga problemet që po përballet sektori fason sot është edhe mungesa e fuqisë punëtore.  Edvin Prençe, Kryetari i Proeksport Albania, tha se ka mungesë të theksuar për 20,000 vende të lira pune dhe një politikë e re  po ndiqet me kujdes për të marrë punëtorë nga vende të treta si Filipine, Nepali e Birmania me përvojë të ngjashme në vendet e tyre për sektorin tonë dhe shumica të gjinisë femërore.