Një konkurrues kontrollon robotët gjatë Konkursit Botëror të Mjeshtrive të Kolegjeve Profesionale në Tianjin të Kinës Veriore më 19 gusht 2022. Konkursi, si pjesë e Konferencës Botërore të Zhvillimit të Edukimit Profesional Teknik, tërhoqi pjesëmarrës nga mbi 100 vende e rajone të botës. (Xinhua/Sun Fanyue)
Shi Jiafeng, që sapo është pranuar në kompaninë e këpucëve "Tianjin Laomeihua", është e fokusuar te tërheqja e konsumatorëve në shitjen përmes transmetimit të drejtpërdrejt në "Tmall", platformën kryesore të tregtisë elektronike në Kinë. Këtë korrik, 21-vjeçarja që u diplomua nga dega e Tregtisë Elektronike pranë Kolegjit Teknik të Transportit të Tianjin-it, u bë drejtorja e seksionit për shitjen përmes transmetimit të drejtpërdrejt në “Tmall” të kompanisë së këpucëve dhe veshmbathjes, me një histori mbi 100-vjeçare në Tianjin, qytetin e varur drejtpërdrejt nga qendra.
Bashkëpunimi mes shkollës dhe ndërmarrjes e lejoi vajzën të merrte pjesë që në vitin e dytë në një grup projekti për “Laomeihua”, i krijuar nga Kolegji. Aty mori mësimet për shërbimet ndaj konsumatorëve, disenjimin artistik, hartimin e reklamave dhe mjeshtrinë e promovimit. Megjithëse është ende e re si anëtare e kompanisë, ajo ka përvojë të pasur në tregtinë elektronike. Me ndihmën e saj, xhiroja mujore e kompanisë përmes transmetimit të drejtpërdrejt në “Tmall” e kaloi për herë të parë shifrën 100 mijë juanë (afro 14.700 dollarë amerikanë).
“Falë bashkëpunimit shkollë-ndërmarrje, shkollat profesionale mund të integrojnë kërkesat industriale në mësimdhënie kur shihen ndryshime në treg”, - thanë ekspertët në Konferencën Botërore të Zhvillimit të Edukimit Profesional Teknik, që u mbyll më 20 gusht në Tianjin. “Në modelin e ri të biznesit përmes internetit, ndërmarrjet e manifakturës kanë nevojë urgjente të krijojnë dhe të përmirësojnë sistemet e tyre të shitjes në internet dhe të punësojnë talentë në fushat e tregtisë dhe të logjistikës,” - thotë Yu Haixiang, rektori i Kolegjit Teknik të Transportit të Tianjin-it. “Po përgatisim talentë të të gjitha fushave.” – thotë ai, duke shtuar se “Me ndihmën nga departamentet qeveritare, Kolegji ka bashkëpunuar me shumë ndërmarrje vendase, duke i drejtuar studentët të krijojnë grupe të ndryshme projektesh dhe të praktikojnë funksionimin e biznesit dhe të përshtaten paraprakisht”. Një rezervë e pasur talentesh është bazë për zhvillimin dhe përshkallëzimin e manifakturës. Rritja e industrisë mbështetet jo vetëm te ekipi i kërkimeve dhe zhvillimit, por edhe te teknikët cilësorë dhe të kualifikuar. Për industrinë e manifakturës së teknologjisë së lartë, aftësia e ekipit në manifakturën inteligjente mund të ketë ndikime afatgjata në forcën konkurruese të ndërmarrjeve në treg.
Një vizitor provon kontrollin e hekurudhës me shpejtësi të lartë në pavijonin e Xhibutit në Konferencën Botërore të Zhvillimit të Edukimit Profesional Teknik, 20 gusht 2022 në Tianjin të Kinës Veriore./ VCG
Jia Jinghui, një nga të diplomuarit e Kolegjit të Informacionit Elektronik të Tianjinit, po punon për kompaninë “HMN Technologies Sh.P.K”, një furnizues i rrugëzgjidhjes së telekomunikacionit nëndetës. Duke u rritur së bashku me kompaninë, Jia ndjen thellësisht se ndryshimet e shpejta në industrinë e manifakturës shtrojnë kërkesa më të larta për aftësinë teknike. “Duhet të mësojmë vazhdimisht për të ndjekur hapat e transformimit industrial,” - thotë Jia. Mësimi dhe përgatitjet praktike në shkollë i kanë dhënë atij një bazë të mirë, duke e bërë edhe më të vendosur për t’i dhënë përparësi avantazheve dhe shfrytëzuar epërsitë e tij në një kompani manifakture. Aktualisht, Kina po lëviz drejt nivlit më të lartë të zinxhirit të vlerës, duke synuar të bëhet një fuqi globale në manifakturë. Shumë prodhues në vend po bëjnë përpjekje në përshkallëzimin industrial, ndërsa kërkojnë rritjen përmes cilësisë së lartë.
Wang Wei, drejtori i Departamentit të Planifikimit pranë ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit të Kinës, thotë se sistemi industrial dhe zinxhiri industrial i manifakturës së Kinës janë bërë më të përsosur gjatë dekadës së fundit, kur kapaciteti i saj novator dhe forca konkurruese kanë pësuar një rritje të vrullshme. Vëllimi i vlerës së shtuar të prodhimit të manifakturës së Kinës u rrit nga 16.98 trilionë juanë në vitin 2012 në 31.4 trilionë juanë në vitin 2021, duke zënë afro 30 për qind të totalit botëror. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2021, Kina kishte 73 ndërmarrje kineze të përfshira në 500 ndërmarrjet më të mëdha në botë, ndërsa numëron plot 41.400 ndërmarrje të manifakturës së teknologjisë së lartë.
“Edukimi profesional ka nevojë të ndjekë nga afër dhe të integrohet thellësisht me ekonominë reale dhe industrinë e manifakturës të Kinës,” - thotë Zhang Danyang, rektori i Kolegjit të Informacioit Elektronik të Tianjini-t. Sipas tij, “Edukimi profesional do të ketë një perspektivë të ndritshme.” (Wang Lei/ Laçi)