Kina do të japë 300 milionë juanë të tjera ndihmë për Pakistanin e goditur nga përmbytjet
2022-09-05 15:26:01

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina premtoi të shtunën 300 milionë juanë (rreth 43.5 milionë dollarë) të tjerë, pas ndihmave emergjente me vlerë 100 milionë juanë (rreth 14.5 dollarë) të dhëna javën e kaluar për Pakistanin e goditur nga përmbytjet që kanë marrë më shumë se 1200 jetë njerëzish.

Luo Zhaohui, kryetar i Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillimin të Kinës, njoftoi vendimin e dhurimit gjatë takimit virtual që pati të shtunën me Akhtar Nawaz, kryetar i Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive të Pakistanit (NDMA).

Kina ka dërguar rreth 3 000 tenda me avionë ushtarakë, ndërsa 200 tonë qepë do të mbërrijnë në Pakistan nëpërmjet autostradës "Karakoram" brenda një jave, bëri të ditur Luo.

Ai tha gjithashtu se Administrata Meteorologjike e Kinës ka ofruar parashikimin e motit në kohë reale dhe shumë qytetarë, ndërmarrje dhe organe të pushtetit vendor në Kinë po organizojnë dhurime për Pakistanin.

Kina është e gatshme ta ndihmojë Pakistanin në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas fatkeqësisë, shtoi Luo.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif shprehu mirënjohjen të shtunën për ndihmën kineze. "Ajo është pasqyrim i lidhjes sonë miqësore të veçantë. Kjo mbështetje do të ndihmojë në dhënien e ndihmës aq të nevojshme për njerëzit," shkroi Sharif në "Twitter".

Sipas NDMA të Pakistanit, përmbytjet kanë shkaktuar 1 290 të vdekur dhe kanë prekur mbi 33 milionë njerëz, duke dëmtuar më shumë se 1.46 milionë banesa, 243 ura dhe 5 563 kilometra autostrada.

NDMA vuri në dukje se një e treta e Pakistanit është tani nën ujë dhe ujërat ende nuk kanë filluar të tërhiqen. (Artan/Fani)