Konferenca e Ndërkombëtare e Studimit të Baladave, ngjarje shkencore e rëndësisë parësore
2022-09-04 10:24:30

onferenca e Ndërkombëtare e Studimit të Baladave (Foto Atsh)

Konferenca e Ndërkombëtare e Studimit të Baladave (Foto Atsh)

Nina Guga, zëvendësministre e Arsimit, ka përshëndetur Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për Konferencën e 50-të Ndërkombëtare të Studimit të Baladave, duke e cilësuar një ngjarje shkencore me një rëndësi të madhe.

Zëvendësministrja Guga përgëzoi dy institucionet bashkorganizuese të kësaj konference: Akademinë e Shkencave dhe Komisionin Ndërkombëtar të Baladave, si dhe komitetin shkencor-organizues ndërkombëtar e atë vendës, që përgatitën eventin me impenjim maksimal.

Studiuesit pjesëmarrës në konferencë kanë ardhur nga më shumë se 40 qendra të specializuara europiane e botërore të fushës së kulturës, trashëgimisë së pashkruar dhe antropologjisë kulturore, citon “ATSH”.

Prof. Marjetka Golezh-Kauçiç, presidente e Komisionit Ndërkombëtar të Baladave, deklaroi se pret nga vendi organizues të shpalosë karakteristikat e Shqipërisë, popullit të saj, gjuhës, kulturës shqiptare, historisë, traditës së pasur dhe trashëgimisë së të shkuarës, bashkë me transformimet moderne.

“Jemi të etur për këngë, melodi, valle dhe muzikë që nuk dimë sa duhet”, theksoi Golezh-Kauçiç.

Fondi i baladave shqiptare është i botuar dhe pjesa më e madhe e tyre janë përkthyer në anglisht e gjuhë të tjera. Mbi bazën e tyre, artistë të zhanreve të tjera kanë rindërtuar historinë, kanë shkruar muzikë, balet, pikturë etj. (Irma)