Alma Hyska: publiku gjerman i pëlqen këngët tona
2022-09-04 18:37:36

Këngëtarja Alma Hyska Civeja në moshën 7 vjeçare u ngjit për herë të parë në skenë. Gjatë edukimit të saj muzikor në Shqipëri, ajo mori pjesë në ngjarje të ndryshme muzikore kombëtare, ku është nderuar edhe me çmime. Alma ka marë pjesë disa herë në Festivalin e Rtsh-së dhe koncertin “Kur vjen pranvera” nga fundi i viteve ’80 deri në fillim të viteve ’90. Pas vitit 1992 ajo vendosi të vazhdojë karrierën e saj muzikore në Gjermani. Që atëherë është angazhuar nga formacione të ndryshme  dhe ka kënduar në Gjermani e Shqipëri, po ashtu edhe në Austri, Itali, Zvicër dhe Holandë. Ajo ka interpretuar në koncerte të ndryshme, Galas, Open Air, duke përfshirë Allianz, Bavaria Film, FC Bayern, Red Bull Salzburg, Hilton Hotel Munich, "Long Night of Music" Mynih, "Jazz in All Gassen" Dachau dhe shumë të tjera.

Alma Hyska (Foto personale)

Që prej vitit 2010 ajo ka arritur të prezantojë grupin e saj të projekteve të ndryshme në skenë. Alma ka kënduar në stile të ndryshme muzikore si Soul, Pop, Funk, Jazz dhe Muzikë Folklorike Shqiptare. Për Grupin Mediatik të Kinës Alma flet për jetën  artistike nga Shqipëria në Gjermani, planet për të ardhmen, për jetën me bashkëshortin muzikant Eduard Civeja, i cili luan në oboe saxophon dhe klarinetë dhe është dirigjent në shkollën e muzikës në Dachau.

CMG: Përshëndetje Alma! Mirë se vjen në programin "Muzika shqip"!

Alma Hyska: Përshëndetje Sava! Mirë se ju gjej në programin tuaj kaq të bukur "Muzika shqip"! Është kënaqësi dhe nostalgji njëkohësisht që të jem pjesë e këtij emisioni.

CMG: Ndërsa transmetoja një ditë në rubrikën "Nostalgji" një këngë tuajën nga festivali i viteve '90, ] mendova të realizoja edhe një intervistë, duke parë se jeni shumë aktive me muzikën në Gjermani.

Alma Hyska: Edhe unë vetë jam nostalgjike, për ato vite kur kam marë pjesë në festivalet e Radio Televizionit Shqiptar dhe gjithmonë kam nostalgji kur transmetohet ndonjë këngë e atyre viteve nga këngëtarët tanë.

lma Hyska ne koncertin e pranveres ne Rtsh 1991 (Foto nga youtube)

lma Hyska ne koncertin e pranveres ne Rtsh 1991 (Foto nga youtube)

CMG: Sa kohë punë t’u desh ty për  arritur aty ku je sot?

Alma Hyska: Unë ndodhem që prej vitit 1992 në Gjermani dhe fillimet janë gjithmonë të vështira. Nuk jam marë që në fillim me muzikë, por u deshën disa vite që të filloja të merresha me muzikë pak nga pak .

CMG: Vitet ecin, por bukuria jote ka mbetur e njëjtë edhe sot. Sa rëndësi ka kjo në sukseset e një artisti?

Alma Hyska: Faleminderit!  Mundohem nga pak, se për një artist ka shumë rëndësi sepse e do edhe skena. Por mbase është edhe genetike.

Alma Hyska ne Gjermani (Foto nga Instagrami)

CMG: Alma, ti ke kënduar me bandën tënde muzikore si soul, pop, funk, jazz, muzikë folklorike shqiptare, por ku e ndjen veten ti më mirë?

Alma Hyska: Po, është e vërtetë që unë këndoj me bandën time muzikore këngë të zhanreve të ndryshme si muzikë pop, soul, funk, por kur kam koncertet e mia, unë fus në repertorin tim edhe shumë këngë shqiptare, të cilat më bëjnë të ndjehem shumë mire, pasi këngët tona, i kemi shumë të bukura. Madje dua t’ju tregoj diçka, këngët tona pëlqehen nga publiku gjerman dhe është interesante kur  ata që më kanë ndjekur, vijnë  e më thonë: "Ato këngët shqiptare, ishin shumë të bukura".

CMG: A këndon me grupin tënd këngë shqiptare dhe cilat janë ato?

Alma Hyska: Unë këndoj shpesh dhe ato janë këngët e Vaçe Zelës, Tonin Tërshanës, si  kënga me titull, "Vajzë moj lule moj", "Margjelo" të cilat vijnë shumë bukur tek publiku gjerman, dhe mua më pëlqen shumë kjo gjë, madje dhe grupi im i ka të preferuara këto këngë.

CMG: Ti je organizuar me formacione të ndryshme muzikore, duke interpretuar në Gjermani, Austri, Itali, Zvicër, Hollandë, etj. Cili nga koncertet të ka lënë mbresa më të mëdha?

Alma Hyska: Koncerti që më ka lënë më tepër mbresa është në qytetin ku unë jetoj në Dachau , ku vijnë 15-20 mijë persona. Ndjehem mirë se aty jetoj prej 30 vitesh dhe është koncerti që më ka lënë më tepër mbresa.

CMG: Me grupin që interpreton sot, sa kohë ke që punon dhe prej sa personash përbëhet?

Alma Hyska: Unë kam rreth 18 vjet që punoj me grupin, i cili përbëhet prej 7 personash.

Alma Hyska (Foto Instagram)

CMG: A mund të jetohet mirë në Gjermani vetëm me muzikë?

Alma Hyska: Me muzikë është e vështirë të jetohet mirë, por unë flas për vete dhe deri tani kam qenë mirë, përveç periudhës në mbylljes nga Covid -19. Në përgjithësi jam mjaft e kënaqur.

CMG: Cili është komplimenti më i bukur artistik që ke marrë nga kolegët apo nga publiku andej?

Alma Hyska: Komplimenti më i bukur është kur, njerëzit mbeten të kënaqur me zërin tim. Shpesh dëgjoj shumë persona të më thonë se, zëri im është shumë qetësues.

CMG: Cili është repertori  që interpreton me bandën tënde muzikore?

Alma Hyska: Unë me grupin interpretoj këngë në gjuhë  të ndryshme, sepse disa pjesëtarë të grupit janë brazilianë, këndoj këngë portugeze,  italiane, angleze, këngë shqiptare dhe gjermanisht sigurisht. Ky është repertori im muzikor.

Alma Hyska (Foto Instagram)

CMG: I mban mend të gjitha këngët  që kë interpretuar dikur në Shqipëri?

Alma Hyska: Poo, i mbaj mend të gjitha këngët që kam kënduar në Shqipëri, madje i këndoj shpesh edhe në Gjermani.

CMG: Ke ndonjë plan në të ardhmen për të realizuar ndonjë koncert në vendin tënd?

Alma Hyska: Dëshira është gjithmonë e madhe për të ardhur në Shqipëri, por nuk na korenspondojnë datat për t’u bërë të gjithë bashkë. Shpresoj që të vij në të ardhmen.

CMG: Bashkëshorti juaj është gjithashtu artist. Ka qenë e lehtë apo e vështirë kjo për ju?

Alma Hyska: Mund të them se kam qenë me fat që bashkëshorti im është muzikant, sepse ai luan një rol shumë të veçantë, që unë të merem me muzikë edhe këtu ku jam.

CMG: Faleminderit shumë  për intervistën Alma dhe suksese!

Alma Hyska: Ju falenderoj të gjithëve dhe ju uroj shumë  suksese për emisionin. Ju përshëndes live me një këngë që e kam kënduar për herë të parë në vitin 1989 në Fest e Rtsh-së , "Për njeriun jeta flet".

Intervistoi: Sava Lena