Rama: Falë nismës “Ballkani i Hapur” u çliruan kontratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
2022-09-03 11:21:03

Kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto Rtsh)

Në kryeqytetin serb, Beograd, u zhvillua takimi i radhës i “Ballkanit të Hapur”. Gjatë fjalës së tij, kryeministri shqiptar Edi Rama, teksa foli për marrëdhëniet solide të mundësuar nga kjo nismë, deklaroi se falë saj u çliruan kontratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut, raporton “RTSH”.

“Ky samit po zhvillohet në kontekstin e një konflikti të hapur në Europë që ka ndikur edhe në furnizimin e grurit e drithërave dhe pjesë e kësaj situate ishte dhe Shqipëria. Sepse, importuesit tanë të drithërave kishin kontrata me prodhuesit serb në një kontekst ku Serbia si të tjerët bllokoi çdo eskport. Ishte Ballkani i Hapur, kjo lidhje solide, që i çliroi kontratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, një problematikë shqetësuese është edhe siguria energjetike. Në samitin e kaluar ndërtuam një masë për energjinë, që në kohë krizash të bashkojmë forcat. Kemi rënë dakord për një sinergji, me eksperiencën shumë të respektueshme që ka Maqedonia e Veriut”,- deklaroi Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare tha se për ata që kanë pasion dhe dëshirë, nisma flet vetë. Madje ai deklaroi se një kryeministër nga një vend i BE-së i kërkoi që të ftohej në “Ballkanin e Hapur”. Sipas Ramës, ky është një sinjal që po afron dita që “Ballani i Hapur” të ftojë vende që u përkisnin hapësirave ku prej vitesh Shqipëria priste të ftohej. Sipas tij, kjo nismë është për Europën, po aq sa Europa është për “Ballkanin e Hapur”. (Irma)