Visar Peja është këngëtar i muzikës së mirëfilltë popullore nga Gjakova. Ai vjen nga një familje me tradita në muzikën tradicionale shqiptare, ku këngën e ka trashëguar nga babai i tij, artisti i madh dhe legjenda e muzikës popullore Ismet Peja. Visari ka vite në karrierën muzikore, duke marrë pjesë në shumë evente artistike si dhe ka publikuar mjaft materiale muzikore, këngë të mirëfillta popullore por dhe duete me babain e tij. Gjithashtu ai përveç muzikës, moderon dhe një program në RTV 21 duke sjellë në kujtesën e shikuesve figura të njohura të muzikës dhe kulturës shqipare. Në një Intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën artistike si dhe projektet në vazhdim.
Visar Peja ne skene (Facebook)
CMG: Ju vini nga një familje me tradita në muzikën popullore, ku babai juaj Ismet Peja mbetet një legjendë e këngës popullore dhe ju vazhdoni në gjurmët e tij. Sa mbështetje ka qenë babai juaj në rrugën e muzikës?
Visar Peja: Sigurisht që ne e kemi pasur babin pjesë të familjes, prind dhe gjithmonë ka qenë ai në piedestalin më të lartë dhe i kërkuar, dhe ne jemi rritur me atë frymë, jemi rritur me atë këngë dhe me atë kulturë. Fatmirësisht prej fëmijëve e trashëgova vetëm unë deri në këtë stad, dhe sigurisht që fillimet e para kanë qenë mëse të domosdoshme për të pasur praninë e tij sepse të jepte një siguri në skenë dhe interpretim, dhe kjo ishte një fazë ku unë kisha mundësi me e pjek zanatin. Kjo ishte një përparësi e madhe për mua edhe pse më vonë filloi në njëfarë mënyre të themi ashtu në thonjëza me u hakmarrë sepse të gjithë më krahasonin me Ismet Pejën. Përpos se nuk ka shans askush me u krahasuar sepse secili ka stilin e vet, mirëpo unë e kisha atë përshtypjen se me të vërtetë më krahasonin me dikë që është i pakrahasueshëm.
Visar Peja me babain e tij, Legjenden e muzikes popullore Ismet Peja (Facebook)
CMG: Në fakt ju keni pasur talent, por dhe mbështetja e babait ka ndikuar në suksesin tuaj?
Visar Peja: Me të thënë të drejtën deri në këtë masë po sepse ka kënduar dhe vëllai, këndon dhe djali xhaxhait, por që mua më ka rënë për pjesë me qenë pak më aktiv dhe më impunues për ekranin. Njerëzit më njohin nga mbiemri Peja sepse këtu është sinonimi i këngës, duke u nisur dhe nga gjyshi Musa Peja i cili ka kënduar dhe e ka trashëguar babai dhe ne, dhe shpresojmë që dhe brezi i ardhshëm do ta ndjeki këtë traditë.
CMG: Ju e keni raujtur me fanatizëm këngën popullore dhe vazhdoni ta interpretoni pastër atë, duke e vazhduar këtë rrugëtim të bukur të familjes suaj.
Visar Peja: Unë shpresoj që ky brez do të qëndrojë gjatë, përkundër frymave që fryjnë nganjëherë sepse dhe dëshirat e masave ndryshojnë me kohën. Mirëpo unë besoj se gjithmonë ai origjinaliteti do të qëndroi më gjatë në skenë, dhe do të jetë më i kapshëm për veshin. Unë nuk jam kundër rrymave të tjera, por nëse vijnë gjërat e reja le të vijnë ashtu të reja dhe nuk është nevoja të deformosh të vjetrën. Unë gjithmonë nisem nga ajo sesi e kam dëgjuar dhe vetë si fëmijë këngën, edhe si e kam dëgjuar dhe babain tim. Kështu që mendoj se nëse devijoj, nuk kisha pasur dëshirë që të devijoj në të njëjtin stil të muzikës, dhe vendosa që të jem besnik në njëfarë mënyre të asaj tradite e cila faktikisht na mban gjallë.
CMG: Gjakova ndryshe nga trevat e tjera të Kosovës lëvron më tepër këngët e Shqipërisë së mesme. Keni interpretuar dhe këngë të trevave të tjera?
Visar Peja: Këngëtarët gjakovarë në përgjithësi kanë një diapazion më të gjerë të repertorit të këngës shqipe. Ne këndojmë dhe këngët çame, labe, përmetare, beratase dhe gjithë trevat e Shqipërisë ne i këndojmë gjatë gëzimeve familjare në Gjakovë. Sigurisht që mbizotrojnë këngët shkodrane, korçare dhe ato të Shqipërisë së mesme. Kështu që dasma në Gjakovë e ka njëfarë larmie të repertorit, dhe një këngëtar i cili do të vijë të këndojë në një dasëm gjakovare, unë do i këshilloja që të ketë parasysh të gjitha trevat shqiptare.
Visar Peja me artiste te tjere nga Kosova gjate nje programi (Facebook)
CMG: Dasmat vazhdojnë dhe ju besoj jeni i angazhuar në këto gëzime familajre?
Visar Peja: Ne vazhdojmë të jemi prezent në gëzimet familjare të cilat kanë filluar që në mesin e qershorit, dhe jemi prezent dhe në Maqedoninë e Veriut, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe Kërçovë, dhe kjo neve na ka lënë më shumë hapësirë për ta pasur pak më të gjatë sezonin. Tani jemi në pikun e sezonit deri në mes të shtatorit, ku çdo javë jemi më shumë të angazhuar sesa jemi pushim.
CMG: Keni realizuar disa këngë në duet me babain tuaj, legjendën e këngës popullore Ismet Peja. Cilat kanë qenë emocionet që keni përjetuar me babain në skenë?
Visar Peja: Unë një përparësi e kam prej kolegëve të mi, që kanë pasur fatin me pas duet me babin, dhe në një intervistë që dhashë para pak ditësh në një televizion në Kosovë e përmenda që kur kam dalë në skenë, unë nuk e kam parë babain tim si këngëtar apo si yll, por e kam parë si babë. Unë e kam pasur një përparësi pak më të madhe sepse kam pasur të njëjtën ndjesi sikurse kur ma ka kërkuar një gotë ujë në shtëpi, dhe është e njëjta ndjesi sikur me kënduar bashkë me të. Sigurisht që këto këngë që i kemi bërë në duet videoklipe, dua të them që në të shumtën e rasteve i kemi bërë në kohën kur babai e kishte dëshirën për të kënduar, por nuk e kishte iniciativën. Unë isha ai shkaktari që nuk e lija rehat qoftë në repertor apo dhe programe të reja, dhe ai kurrë nuk ka refuzuar apo të thoshte që jam lodhur. Kështu që unë e kam shfrytëzuar këtë përparësi timen. Ka qenë një ndjesi e veçantë, por në të njëjtën kohë unë e kisha dëshirë që të bëja të njëjtën gjë, por që kisha dhe merak se mos po lodhet apo kishte ndonjë shqetësim, dhe kjo ishte një ngarkesë ekstra e imja.
CMG: Keni realizuar duete me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?
Visar Peja: Deri tani unë kam realizuar një këngë në duet me këngëtaren Merita Avdyli, dhe një duet tjetër me këngëtaren Linda Hakaj, ku kemi një potpuri të Shqipërisë së mesme. Bashkëpunime të tjera nuk kam pasur, dhe kjo ndoshta për arsye se për të bërë një bashkëpunim unë kam dëshirë që me atë person, përpos që mundet të përshtatet vokali, kam dëshirë që të përshtatet dhe natyra e të kënduarit, por po pres se ndoshta do të kemi të tjera bashkëpunime në të ardhmen.
Visar Peja duke interpretuar (Facebook)
CMG: Me cilët kompozitorë keni bashkëpunuar për realizimin e këngëve tuaja?
Visar Peja: Unë si pikë referimi timen kam Florent Boshnjaku, ku të trija albumet i kam realizuar te ai. Gjithashtu kam punuar me Nexhat Maculen dhe kohët e fundit kam punuar dhe me kompozitorin gjakovar Shkëlqim Rracin, ku kam qenë shumë i kënaqur, dhe kryesisht bashkëpunimet i kam në Prishtinë.
CMG: Visar ju përveç muzikës lëvroni dhe një fushë tjetër, ku jeni moderator i një prej emisioneve në RTV 21. Si lindi ideja e këtij emisioni dhe nëse na tregoni më tepër rreth këtij formati.
Visar Peja: Ideja e emisionit është e RTV 21, faktikisht e Gjeraldina Vulë,s e cila e kishte parë Visarin në këtë dimension për të cilën as unë se kam parë veten. Kur më është ofruar punë, unë kam mbetur pa koment dhe nuk e kam pritur sepse as në ëndërr nuk e kam parë një gjë të tillë, që unë një ditë do të përfundoja dhe si moderator sepse për mua ka qenë muzika gjithçka. Mirëpo Gjeraldina insistoi shumë, dhe kështu që vendosëm që të realizonim programin. Koncepti i këtij programi ishte që të sillnim në skenë gjërat që dikush ka filluar me i harruar, dhe kur përmendi këtë ide unë kërkova menjëherë që emisionin e parë të ja dedikoj babait. Ismeti ishte gjallë edhe thashë që ta filloja me prindin tim sepse dhe unë jam pa emocione në emisionin e parë, dhe nuk do kisha stres. Fatkeqësisht babai u sëmur dhe ndërroi jetë, dhe unë mbeta si i thyer, por me insistimin e Gjeraldinës, unë e nisa me babin dhe pse jo fizikisht, por që e nisa me figurën e tij duke mbledhur shokët, bashkëpunëtorët dhe njerëzit që e kanë dashur dhe që i ka dashur. Realizuam emisionin e parë, dhe pastaj emision pas emisioni dhe tani janë realizuar 40 emisione dhe po shikoj që kam filluar me e dashur veten dhe në atë dimension, me e dashur emisionin për një arsye se me të vërtetë publiku e ka pritur jashtëzakonisht mirë. Unë kam telefonata nga Tirana, Lezha, Shkodra ku me të vërtetë emisioni përpos Kosovës ka depërtuar dhe në Shqipëri apo Tetovë, Gostivar dhe Strugë. Kur jam në evenimete muzikore, dhe përveçse folet për muzikën, nuk mbesin pa folur dhe për emisionin. Ky emision ka marrë një jehonë të madhe. Dua të përmend që kur bëra emisionin për Fitnete Rexhën, më ka ardhur keq që kolegë nga Shqipëria në moment të fundit kanë bojkotuar emisionin për arsyet e veta. Unë kisha ftuar dhe emra nga Kosova sepse Fitnete Rexha për Kosovën ka qenë një yll i këngës dhe vazhdon të jetë edhe pse jo fizikisht. Kur fillova të kujtoj Fitnete Rexhën kam filluar të këndoj vetë këngën “Me gëzim po shkoj në punë”. Ky emision ka mbërritur deri në atë pikë ku vlerat që kishin filluar të harrohen, tani kanë filluar të ringjallen. Gjithashtu kam realizuar dhe natën e Çamërisë, dhe këtu dua të falenderoj dhe këngëtarët Hysni Alushi dhe Enkelejda Arifin. Kemi dhe plane të tjera për këngën korçare, elbasanase dhe tiranase.
Visar Peja (Facebook)
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen në fushën e këngës?
Visar Peja: Unë e kam një këngë që e ka punuar kompozitori nga Tirana Fatmir Lela, por duke pasur shumë punë të tjera nuk po më del kohë të merrem dhe vetëm me një këngë. Ndonjëherë po e quaj veten si dembel, por që me të vërtetë kam një ngarkesë të madhe pune. Kështu që së shpejti e kam ndërmend të dal me një këngë të re e cila është me një ritëm të dasmës shqiptare.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese në karrierë.
Visar Peja: Faleminderit shumë, dhe unë ju uroj shëndet dhe gjithë dëgjuesëve i uroj çdo të mirë.
Intervistoi: Gazmend Agaj