Fundjavën e kaluar u mbajt për tre netë me rradhë në Amfiteatrin e Gërmisë në Prishtinë “Spitfire Festival”, festivali i muzikës rrok. Në këtë festival performuan 21 artistë të njohur të kësaj rryme muzikore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Organizatori i “Spitfire festival” është Rockuzina, e cila edhe më parë ka realizuar koncerte të kësaj natyre si, Rock United dhe Metal United, por tashmë i mblodhi të dyja zhanret bashkë duke i sjellë në një festival të vetëm. Nata e parë ishte mbrëmja e rrokut, nata e dytë mbrëmja e muzikës alternative, dhe nata e tretë ju kushtua metalit.
Për Grupin Mediatik të Kinës ka dhënë intervistën e tij, përfaqësuesi për median në “Spitfire festival”, Keka i cili është, njëkohësisht dhe interpretues me grupin “Trampolinë”.
CMG: Përshëndetje Keka! Si lindi idea e Spitfire Festival?
Keka: “Spitfire” është vazhdimësia e dy festivaleve të mëparshme, të ndara Rock United dhe Metal United të cilat janë mbajtur në vitin 2018 dhe vitin 2019 të organizuara nga çerdhja e rrokut në Kosovë "Rrockuzinë". Pas një ndërprerje dy vjeçare për shkak të pandemisë dhe duke parë etjen për rrok dhe metal, vendosëm që t’i bashkojmë këto dy festivale në një ngjarje të vetme dhe në përmasa shumë më të mëdha, ku këtë vit ishin mbi 21 banda muzikore që performuan në tre netë me rradhë.
CMG: Motoja në këtë edicion të parë është "Një për të gjithë, e të gjithë për rrok". A janë të gjithë drejt rrokut?
Keka: Të gjithë janë drejt rrokut, një prej zhanreve më të popullarizuara e më të kultivuara të muzikës anembarë botës tashmë prej 80 vjetësh. Ajo çfarë është më e rëndësishme është se rroku ka publik edhe nga gjeneratat e reja. Kohët e fundit në Kosovë edhe banda muzikore të adoleshentëve që performojnë këngë të grupeve të njohura muzikore të viteve '80-‘90 si Metallica, Nirvana,etj.
CMG: Organizatorët e kanë realizuar këtë festival me emra të ndryshëm më parë, me një shkëputje dy vjeçare në periudhën e pandemisë. Diçka më tepër për këtë?
Keka: Shkëputja dy vjeçare na ka etur edhe më shumë për një festival rroku dhe për këtë arsye, edicioni i sivjetshëm vjen tre herë më i madh me 21 grupe muzikore të ndryshme të ndarë në tre netë në “Spitfire”.
CMG: Këtë vit festivali vjen nën emrin "Spitfire". Përse zgjodhët këtë titull?
Keka: “Spitfire” do të thotë pështyrje e flakëve. Ne si ballkanas jemi popull me temperament dhe shpesh herë nxjerrim flakë nga goja, njëjtë si muzika rrok dhe ajo metal, që shquhet për energjinë që jep në skenë , ashtu si "Spitfire", që si vetë emri, e ndezi atmosferën.
CMG: A do të ketë vazhdimësi dhe si do të quhet në vazhdim?
Keka: “Spitfire” është këtu për të vazhduar, si ombrellë e të gjitha zhanreve të rrokut, por sigurisht që do vijë gjithnjë dhe më i madh.
CMG: Në festival ju ftuat shumë artistë të njohur si grupi Jericho, Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi, Bojken Lako, Eugent Bushpepa, etj. Cilët prej këtyre artistëve kanë më shumë fansa në Kosovë?
Keka: Një numër i madh i emrave që janë këtë vit në “Spitfire” gëzojnë shumë popullaritet në Kosovë, por mund të them se nga artistët nga Shqipëria edhe më shumë Eugent Bushpepa, me zërin e tij "pushkë", Bojken Lako, Aleksandër Gjoka, ndërsa nga grupet nga Kosova “Jericho” është gjithmonë një nga grupet më të pëlqyera bashkë ne “Frisson”.
CMG: A do të ketë ndonjë veçanti sa i përket repertorit muzikor nga artistët?
Keka: Vetë veçantia e këtij festivali është numri i madh i rrokerëve më të mëdhenj shqiptar dhe në një vend të vetëm, që kurrë nuk është bërë i tillë më parë. Nën moton “Një për të gjithë, të gjithë për ROCK”, u realizua për netë me rradhë në fund të muajit gusht “Spitfire Festival” duke bashkuar kështu grupet dhe këngëtarët e muzikës rrok, fansat dhe mediat në mbështetje të muzikës dhe kulturës rrok. Festivali synon që ta vazhdojë traditën e rockut në Kosovë, e cila i ka fillesat i ka në vitet 60-të, duke e përcjellë këtë kulturë tek brezat e rinj. Kjo e bën festivalin “Spitfire” të mirëpritet nga të gjithë dashamirët e kulturës rrok dhe të kontribuojë në bashkimin e brezave të ndryshme të krijuesve. Veprat dhe shkëmbimi i përvojave dhe ideve të pjesëmarrësve do të jenë një udhërrëfyes për kultivimin e rrokut në të ardhmen.
“Spitfire Festival” u zhvillua, duke bashkuar shumë prej grupeve rock më të njohura, dhe vazhduar traditën e rock-ut në Kosovë, pwr tu përsëritur çdo vit me moton “Një për të gjithë, të gjithë për Rock”. Sipas burimeve nga organizatorët, në të ardhmen synohet të ketë një përfshirje edhe më të gjerë, duke e kthyer në një festival rroku ndërkombëtar. Këtë vit në “Spitfire” performuan 20 këngëtarë dhe grupe rock-u nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, si Elton Deda, Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Bojken Lako, Jericho, Eugent Bushpepa, Crossbones e Crossbones, Pinkmetal, Frisson, Gima, Trampolinë, Station Innermost, Epoka 94, Zëada, Telikput, Gillespie, Koha, Oktappa, RedKnots dhe Masters of Mind.
Intervistoi: Sava Lena