Foto nga China Daily
Kur robotët të fillojnë të mendojnë si qenie njerëzore dhe të kenë ndërveprime njeri-robot, emocionalisht dhe fizikisht, jetët tona do të mbushen me pyetje të hapura në lidhje me përkufizimin e njerëzimit: Çfarë i ndan njerëzit nga makinat kur të dy duken dhe sillen në mënyra të ngjashme dhe a do të zëvendësohen qeniet njerëzore me robotë?
Këtë temë trajton artikulli në vijim i “China Daily” mbi shfaqjen teatrale bazuar në veprën fantastiko-shkencore “Humanoid”, e dramaturgut polak Jaroslaw Murawski. Shfaqja ndjek robotët humanoidë, të cilët duken, tingëllojnë dhe pothuajse mendojnë si njerëz.
Përfshirja në rritje e inteligjencës artificiale në jetën tonë të përditshme është emocionuese apo fakt shqetësues?
Përgjigjen mund ta japë një shfaqje kineze, e bazuar në veprën fantastiko-shkencore “Humanoid”, e dramaturgut polak Jaroslaw Murawski. Shfaqja ndjek robotët humanoidë, të cilët shkojnë përtej drejtimit të makinave, gatimit ose pastrimit. Ata duken, tingëllojnë dhe pothuajse mendojnë si njerëz. Ata bashkëjetojnë me të njerëzit dhe janë ndërtuar për argëtim dhe zgjidhjen e problemeve njerëzore të jetës reale, ndërkohë që njohin emocionet themelore njerëzore dhe shërbejnë si shoqërues emocionalë.
E drejtuar nga Miao Ge dhe prodhuar nga “Star Theatre”, një institucion kulturor në Pekin, i njohur për vënien në skenë të produksioneve teatrale për ambiente të vogla, shfaqja do të debutojë më 16 shtator, me dy raunde shfaqjesh deri në tetor. Biletat për raundin e parë janë shitur. Shfaqja do të vihet gjithashtu në skenë në një degë të teatrit në Chengdu, provincën Sichuan, atë muaj.
"Ka shumë filma dhe seriale televizive që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis njerëzve dhe inteligjencës artificiale. Për teatrot kineze është një temë shumë e re",- thotë producenti i shfaqjes, Deng Wei, i cili është edhe nënkryetar i “Star Theater”.
"Ndryshe nga disa filma dhe seri televizive fantastiko-shkencore, që nxjerrin në pah inteligjencën artificiale në sfondin e prodhimeve me buxhet të madh, si universi dhe luftërat, kjo shfaqje e kthen audiencën në jetën e përditshme, me histori që ndodhin në mjedise të zakonshme, si shtëpitë dhe festat”,- thotë Deng.
“Humanoid” është shfaqja e tretë e prodhuar nga “Star Theatre” që përqendrohet në një temë të së ardhmes. Në vitin 2020, u shfaq premierë "Shumë i çmendur për të jetuar", i përshtatur nga romani fantastiko-shkencor i vitit 2012 "Murtaja", i shkrimtarit kinez Yan Leisheng, që shënoi dhe 10-vjetorin e “Star Theatre”. Në vitin 2021, ai vuri në skenë një shfaqje gjithëpërfshirëse fantastiko-shkencore “Lëkura e lyer 2677”, me regji nga Ding Yiteng, bazuar në historinë klasike të fantazmave të Liaozhai Zhiyi (Tregime të çuditshme nga një studio kineze) nga shkrimtari Pu Songling i Dinastisë Qing (1644-1911).
Sipas Deng, dy shfaqjet e mëparshme fantastiko-shkencore u pritën mirë dhe fituan një bazë të madhe fansash mes të rinjve, gjë që bëri që të realizohej shfaqja e tretë fantastiko-shkencore, “Humanoid”.
"Historia e “Humanoid” zhvillohet në vitin 2050, që nuk është shumë larg. Shpresojmë që pas shfaqjes, publiku të mendojë për të ardhmen dhe se si ndihet për zhvillimin inteligjencës artificiale",- thotë Miao, duke shtuar se megjithëse është një histori për robotët në të ardhmen, ajo ende fokusohet në eksplorimin e emocioneve njerëzore dhe komunikimin mes njerëzve të vërtetë.
Në shfaqje, aktori Wang Hao luan rolin e një të riu, të quajtur Lee, i cili gëzon komoditetin që sjell roboti i tij humanoid, kujdestar që duket si një modele ekzotike. Duket ideale, por vetëm në sipërfaqe, pasi i riu blen një robot tjetër që duket më i bukur. Dy robotët, që bashkëjetojnë nën të njëjtën çati dhe ndajnë një ndjenjë intimiteti me burrin, duket se tregojnë xhelozi ndaj njëri-tjetrit.
"Është vërtet shumë afër realitetit pasi teknologjia po integrohet më tej në shoqërinë tonë dhe ne ndoshta nuk e kuptojmë saktësisht se në çfarë po futemi. Kjo më bën të mendoj",- thotë Wang, i cili ka krijuar një bazë të madhe fansash pas pjesëmarrjes në programin komedi “Super Sketch Show”, që u transmetua për herë të parë në platformën e transmetimit iQiyi në vitin 2021.
Wang ka luajtur role kryesore në dy shfaqjet më të shitura të prodhuara nga “Star Theater”: “Dashuria e dëshpëruar” dhe “Të udhëtosh pa plan”.
Në shfaqjen e re, aktorja Zhou Xiaoling luan rolin e një nëne, e cila është personazhi i vetëm kundër idesë për të sjellë robotë humanoidë në jetën e përditshme të njerëzve.
Zhou thotë se kur robotët humanoidë të fillojnë të mendojnë si qenie njerëzore dhe të kenë ndërveprime njeri-robot, emocionalisht dhe fizikisht, jetët tona do të mbushen me pyetje të hapura në lidhje me përkufizimin e njerëzimit: Çfarë i ndan njerëzit nga makinat kur të dy duken dhe sillen në mënyra të ngjashme dhe a do të zëvendësohen qeniet njerëzore me robotë?
"Roli im përfaqëson njerëzit që po shprehin disa shqetësime shumë reale për të ardhmen me inteligjencën artificiale",- thotë ajo.
Ndërsa filmat dhe serialet televizive mund të mbështeten në pas- prodhim për t'i bërë ata më bindës vizualisht në ekran, ekipi krijues i shfaqjes kaloi shumë kohë duke punuar me kostumet dhe skenën, si dhe skenarin, për të sjellë ndjesinë e së ardhmes.
Sipas Deng, 80 për qind e skenarit origjinal është ruajtur dhe janë bërë disa ndryshime pas përkthimit për të tërhequr audiencën kineze.