Mbërrin në brigjet shqiptare libraria më e madhe lundruese në botë
2022-09-02 12:05:10

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi se në portin e Vlorës ka mbërritur libraria më e madhe lundruese në botë, duke e cilësuar atë “anija e shpresës”.

Përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, ministrja Margariti tha se “Logos Hope”, një panair i gjallë, me një gjatësi prej 132.5 metrash, përmban 5000 tituj librash, e ku shërbejnë 300 persona vullnetarë, ka shprehur dëshirën të qëndrojë e ankoruar në Portin e Vlorës përgjatë gjithë muajit shtator, duke pritur adhuruesit e librit ne mjediset e saj të brendshme.

“Një mesazh dijeje, që udhëton në të gjithë botën, që prej viteve '70, që ka pritur e përcjellë rreth 46 milionë vizitorë, ka prekur edhe brigjet shqiptare”, -shkroi në “Facebook” ministrja Margariti. (Irma)