Kinë: Mungesa e energjisë pengon aktivitetin e fabrikave në gusht
2022-09-02 15:30:22

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Aktiviteti i fabrikave në Kinë u tkurr në gusht, pas një rritjeje dymujore, për shkak të shpërthimeve sporadike të pandemisë së COVID-19 dhe racionimit të energjisë elektrike prej motit të nxehtë, tregoi një sondazh të enjten.

Treguesi i Menaxherëve të Blerjes (PMI) "Caixin" për sektorin e prodhimit të Kinës u ul në 49.5 në gusht, duke rënë me 0.9 pikë përqindjeje krahasuar me korrikun dhe duke qenë thuajse i njëjtë me PMI-në zyrtare prej 49.4 të publikuar të mërkurën. Një tregues mbi 50 pikë pasqyron rritje, kurse nën 50 tkurrje.

"Tani për tani, ekonomia po rimëkëmbet ende ngadalë nga një shpërthim i përhapur gjerësisht i COVID-19 në gjysmën e parë të vitit. Megjithatë, shpërthimet vendore dhe vala e të nxehtit e kanë ndërprerë prirjen dhe kanë krijuar presione të reja rënëse, duke përbërë një kërcënim për rimëkëmbjen, shkroi Wang Zhe, ekonomist i lartë në Grupin "Caixin Insight", duke komentuar të dhënat.

Kina do të shpallë politika më të detajuara në fillim të shtatorit për të rritur kërkesën dhe për të stabilizuar themelet e rimëkëmbjes ekonomike, sipas një mbledhjeje ekzekutive të Këshillit të Shtetit të drejtuar nga kryeministri Li Keqiang të mërkurën.

Banka qendrore kineze uli tre norma kryesore të huadhënies në gusht, për të pakësuar kostot e financimit dhe për të stabilizuar rritjen ekonomike.

Banka Popullore e Kinës uli normën kryesore të kredisë njëvjeçare me 5 pikë bazë, në 3.65 për qind, dhe normën pesëvjeçare për huadhënësit e hipotekave me 15 pikë bazë, në 4.3 për qind. Banka uli gjithashtu normën për 400 miliardë juanë (59.33 miliardë dollarë) kredi njëvjeçare për disa institucione financiare me 10 pikë bazë, në 2.75 për qind. (Artan/Fani)