Qeveria serbe publikon masat e kursimit të energjisë
2022-09-01 12:01:11

Serbia masat (Foto Balkan green energy)

Serbia masat (Foto Balkan green energy)

Ministria serbe  e Minierave dhe Energjisë u bëri thirrje të martën institucioneve të vendit, industrisë dhe publikut të gjerë të reduktojnë konsumin e energjisë dhe të konsiderojnë prodhimin e pavarur të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, përcjell “Xinhua”.

Ministria tha se institucionet dhe industria duhet të kursejnë energji duke fikur dritat e rrugëve dhe dritat dekorative, të përmirësojnë efikasitetin energjetik të ndërtesave, duke përfshirë instalimin e paneleve diellore dhe të rrisin kapacitetet e tyre të prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Shtëpitë këshillohen që t'i përdorin pajisjet shtëpiake në mënyrë më racionale dhe të konsiderojnë të prodhojnë vetë energji nga burime të rinovueshme.

“Kriza energjetike dhe ekonomike në tregjet evropiane, e shkaktuar fillimisht nga rritja e kërkesës në periudhën post-Covid dhe më pas nga konflikti në Ukrainë dhe trazirat gjeopolitike në nivel global që kanë sjellë këto ngjarje, kërkon që çdo vend të investojë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin energjetik”,- tha ministria.

Konsumi ditor i energjisë elektrike në Serbi është rreth 90 gigavat-orë (GWh) në periudhën e verës dhe 120 GWh në ditë në periudhën e dimrit.

"Kursimet e mundshme në konsumin e energjisë elektrike dhe termike përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të forcimit të sigurisë energjetike dhe uljes së kostove... Është vlerësuar se më shumë se 15 për qind e konsumit të përgjithshëm ditor të energjisë elektrike në Republikën e Serbisë mund të kursehet. Në nivel vjetor, kjo arrin në 5300 GWh nga gjithsej 33000 GWh të konsumuara, me fjalë të tjera nuk do të kishte nevojë për import”, - thuhet në njoftim. (Elona)