“Qualcomm”, entuziast për teknologjinë e vetëdrejtimit
2022-09-01 10:00:13

Kompania amerikane “Qualcomm” ka gjetur veten në tregun kinez, pasi sektori masiv i automjeteve në Kinë ka një adaptim më të shpejtë të teknologjive autonome të drejtimit krahasuar me shumë tregje të tjera. Drejtues të lartë të kompanisë, që operon në Kinë prej dekadash, thonë se Kina ka një numër kompanish udhëheqëse globale që po investojnë në drejtimin autonom dhe se kërkesa e tyre për softuer, sisteme, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e tjera paraqesin mundësi të mëdha.

Foto:VCG

Foto:VCG

Tregu kinez do të jetë një burim i madh të ardhurash për biznesin e automobilave të kompanisë amerikane të gjysmëpërçuesve “Qualcomm”, pasi sektori masiv i automjeteve në Kinë ka një adoptim më të shpejtë të teknologjive autonome të drejtimit krahasuar me shumë tregje të tjera, tha një ekzekutiv i lartë i kompanisë.


“Qualcomm” sheh mundësi të mëdha nga industria e re kineze e vetëdrejtimit dhe kompania me bazë në Kaliforni po intensifikon punën për të zgjeruar biznesin përtej çipave për elektronikën e konsumit dhe për të rritur vazhdimisht biznesin e saj të automobilave.

Nakul Duggal, zv.president dhe drejtor i përgjithshëm për automobilat i “Qualcomm Technologies”, deklaroi në një intervistë për “China Daily” se Kina ka një numër kompanish udhëheqëse globale që po investojnë në drejtimin autonom. Sipas tij, kërkesa e tyre për softuer, sisteme, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e tjera paraqesin mundësi të mëdha.


Në tremujorin e dytë të vitit, biznesi i automobilave i “Qualcomm” regjistroi 350 milionë dollarë të ardhura, 38 për qind më shumë në bazë vjetore. Kompania parashikon që të ardhurat vjetore për biznesin e saj të automobilave të arrijnë në 3.5 miliardë dollarë në vitin 2026.


“Kina është një pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë sonë të përgjithshme. Është e qartë se rreth 25 për qind e makinave në botë shiten në Kinë”,- tha Duggal.


Kina ka potencialin të bëhet tregu më i madh në botë për automjetet autonome, bëri të ditur shoqëria e konsulencës “McKinsey & Co”, e cila vlerëson se automjete të tilla do të përbëjnë më shumë se 40 për qind të shitjeve të automjeteve të reja në Kinë deri në vitin 2040.


Një javë më parë, një model makine “WEY” e kompanisë kineze “Great Wall Motor” bëri debutimin në Panairin e Makinave Chengdu në provincën Sichuan,  duke u bërë automjeti i parë i komercializuar i Kinës që përmban platformën e lëvizjes autonome “Snapdragon Ride” të “Qualcomm”. Makina e përdor platformën për sistemet e avancuara të ndihmës në drejtimin e automjetit, ose ADAS, dhe sistemet e automatizuara të drejtimit.


Kjo është pjesë e strategjisë së qasjes së avancuar të “Qualcomm” për të përmbushur kërkesat e shumta nga prodhuesit kinezë të automjeteve. Kompania ka një gamë të plotë të llojeve të produkteve automatike në ADAS, kabinën digjitale, lidhjen automatike dhe shërbimin “car-to-cloud”, për të përmbushur një mori kërkesash.


“Çdo makinë do të ketë patjetër një nivel të aftësisë ADAS gjatë 10 viteve të ardhshme. Tregu është shumë i madh dhe ka shumë mundësi për diferencim”,- tha Duggal.


Ai theksoi se kompania i lejon prodhuesit e makinave të zhvillojnë, optimizojnë dhe personalizojnë zgjidhjet në bazë të platformave që ofron “Qualcomm”, pavarësisht nëse duan zgjidhje të plota, produkte vetëm me silikon ose një përzierje e të dyjave.


“Një fleksibilitet i tillë është thelbësor, pasi një numër në rritje i prodhuesve të automjeteve duan të kenë kontroll mbi teknologjitë autonome të drejtimit, të cilat i shohin si “shpirtin” e makinave të ardhshme”,- tha Roy Lu, drejtor i Institutit të Kërkimeve Automobilistike “Gasgoo”.


Për të përmirësuar avantazhin teknologjik mes konkurrencës së ashpër të drejtimit autonom, “Qualcomm” përfundoi në prill blerjen e njësisë së softuerit “Arriver” të furnizuesit suedez të teknologjisë “Veoneer”.


 Duggal tha se “Arriver” ka një avantazh të klasit botëror në teknologjitë e vizionit kompjuterik dhe partneritete të forta me prodhuesit globalë të makinave, si “Mercedes”, “Geely” dhe “Volvo”.


Platforma në Kinë “Snapdragon Cockpit” e “Qualcomm”, e cila fuqizon përvojat në automjet për aspektin e audios dhe videos, është përdorur tashmë në më shumë se 50 modele makinash nga prodhues të njohur makinash si “BYD” dhe prodhues të rinj të automjeteve elektrike si “Xpeng”, “Nio” dhe “Li Auto”.


“Kina është një treg shumë konkurrues dhe kërkon më të mirën për sa i përket produkteve, inxhinierisë dhe mirëmbajtjes. Duke qenë në Kinë për më shumë se 25 vjet, jemi shumë të njohur me këto kërkesa”,- tha Duggal.


Sipas tij, modeli fleksibël i biznesit i “Qualcomm”, aftësia e tij për t'u shërbyer klientëve në çdo kërkesë të tyre, si dhe partneritetet e tij të hapura në Kinë do ta ndihmojnë kompaninë të ketë sukses në tregun e automobilave, ashtu siç ndodhi dhe me industrinë e smartfonëve.