Amarildo Ruçi, i pari shqiptar që ekspozon në Luvër
2022-08-31 15:03:35

Amarildo Ruci (Facebook)

Amarildo Ruçi do të ekspozojë disa nga punët e tij në hollin e “Carrousel Du Louvre” dedikuar artit bashkëkohor nga 1 deri më 4 shtator. Para pak ditësh ai realizoi live në sheshin “Skënderbej” një vepër në një tablo me përmasa 2x 3 metër, në teknikën e vajit. Kjo përballë të pranishmëve që e duartrokisnin hap pas hapi, e shoqëruar me muzikë dhe një ekspozitë të disa prej veprave të artistit. Kjo ishte një shfaqje “Pre Louvre” që ai ia kushtoi publikut të tij në Tiranë.

Amarildo, ky artisti kontravers, që pikturon me gishta, pa penel, ka arritur që të jetë shqiptari i parë që merr pjesë me veprat e tij në muzeun e Luvrit, duke u bërë kështu një ambasador i Shqipërisë me talentin e tij. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon më shumë rreth pjesëmarrjes së tij në panairin e ekspozitave në Paris si dhe projektet në vazhdim.

CMG: Para pak ditësh ju  pikturuat live para publikut në sheshin “Skënderbej”, duke qenë i pari artist që realizoni një performancë tillë. Si lindi ideja e këtij aktiviteti?

Amarildo Ruçi: Ideja dhe planet kanë ardhur pasi kemi marrë ftesën për në Paris, dhe së bashku me ekipin menduam të bëjmë diçka ndryshe, duke performuar live një pikturë me dimension relativisht të madh, rreth dy metra me tre metra. Kjo ishte një lloj risie, ku përpos performancës futej dhe muzika dhe ishte një ndërthurje që shikuesit përfishihen më shumë me veprën. Siç dihet teknika ime është e veçantë, dhe ka nivelin e pëlqyeshmërisë që rritet në momentin që unë performoj live, dhe e gjithë atmosfera ishte shumë e bukur, kishte shikueshmëri të lartë, artdashës, por dhe turistë të huaj që kalonin rastësisht në qendër. Besoj se ka qenë një nga momentet edhe për nga pesha që ka sheshi Skënderbej, si nga ana patriotike, por dhe nga rëndësia e vendndodhjes kishte një rëndësi shumë të madhe artistike për mua në karrierën time. Ky ishte Parisi im më i madh që të performoja pranë heroit tonë kombëtar.

Amarildo Ruci duke realizuar pikturen live   (Facebook)

CMG: Çdo artist kur është në skenë dhe performon live para publikut ka dhe emocione. Ju çfarë emocionesh përjetuat gjatë performancës?

Amarildo Ruçi: Emocionet janë sepse pa emocione besoj edhe arti nuk do ekzistonte, sidomos ne artistët mendoj që i përjetojmë gjërat pak mbi normalen sepse ashtu fillon e lind dhe krijimtaria. Në këtë rast emocionet i ke më të prekshme, kur performon e ndjen prezencën e publikut pas teje dhe merr frymëzim ndërkohë që ti krijon. Nuk është e njëjta gjë si në studio edhe pse unë mundohem ta ndjej veten në studio që të jem i saktë në pjesën e performancës, por që është një lloj bashkëveprimi mes meje dhe shikuesëve ku është një ndërthurje emocionesh, ndjesish dhe një lloj frymëzimi i një trajte tjetër që bën të mundur të gjithë spektaklin që realizon.

CMG: Kush ju ka mbështetur për realizimin e këtij eventi?

Amarildo Ruçi: Siç dihet gjërat janë lidhur shumë bukur sepse Tirana është kryeqyteti rinisë i Europës për vitin 2022 dhe nëpërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Minisrisë së Kulturës pata një mbështetje shumë të madhe edhe gjatë realizimit të këtij eventi por dhe për vazhdimësinë time në Paris. Dua të falenderoj ministren, kryetarin e bashkisë, por dhe ekipin tim të marketingut dhe menaxhimit sepse kanë qenë të mrekullueshëm me të gjitha pregatitjet e skenës, pra çdo gjë ishte perfekt.

CMG: Duke parë se arritët një sukses në këtë performancë, do kishit dëshirë që pasi të ktheheni nga Parisi ta realizoni sërisht një event të tillë?

Amarildo Ruçi: Besoj se po, por ndoshta do jem për momente të veçanta sepse kjo lloj performance kërkon një fabulë në mënyrën e të ekspozuarit të pikturës. Nuk do kisha dëshira ta bëja aq shpesh, por të kishte një kuptim.

Amarildo Ruci gjate performances (Facebook)

CMG: Do të jeni në Paris nga data 1-4 shtator, ku në një panair në muzeun e Luvrit do të ekspozosh piktuarat tuaja. Si erdhi ftesa për në Paris?

Amarildo Ruçi: Gjithçka ka nisur para tre muajsh kur më kanë komunikuar kuratorët nëpërmjet rrjeteve sociale, më pas kemi nisur bisedat e tjera formale që lidheshin me pjesën e kontratës. Ka qenë një emocion shumë i madh në këto tre muaj, ku kam qenë i përfshirë në pjesën e përgatitjeve. Ky është një moment shumë i rëndësishëm i karrierës sime sepse dihet që natyra njerëzore nuk kënaqet asnjëherë, arrin diçka dhe kërkon diçka më tepër. Unë besoj se kjo do hapi shumë dyer të tjera dhe uroj që rrugëtimi im të frymëzojë dhe artistë të tjerë të rinj, por edhe ata që më rrethojnë dhe më kanë mbështetur, ta shijojnë dhe ata të gjithë këtë sukses që është arritur.

CMG: Ju keni marrë pjesë dhe në ekspozita në vende të tjera si Milano apo dhe Gjermani. Mendon se pjesëmarrja në panairin e Luvrit është nga arritjet më të mëdha në karrierën tuaj?

Amarildo Ruçi: Momentalisht mendoj se po, por asnjëherë nuk i dihet, ritmi është shumë i kënaqshëm, është një lloj rrugëtimi shumë i bukur sepse edhe pa vështirësitë nuk shijohet suksesi. Besoj se duhen të dyja anët e medaljes, dhe nuk ndërtohesh artistikisht, por dhe nuk do kisha dëshirë që të zgjohesha dhe të isha në Paris pa asnjë lloj mundi. Kështu që kur arrijmë diçka edhe më i bukur është rrugëtimi që ke arritur sesa momenti ku shkon dhe e prek suksesin. Besoj se kjo është një nga arritjet e mia më të mëdha.

CMG: Cilat janë veprat që do të ekspozoni në panairin e Luvrit në Paris?

Amarildo Ruçi: Në këtë panair do të ekspozohen gjashtë piktuara, ku pesë do jenë në murin tim të ekspozimit dhe një nga pikturat do të jetë për një artshow, ku është krijuar një ndërthurje mes modës dhe artit. Një nga pikturat do të mbahet nga modelet e modës në pasarelën që do të krijohet atje.

CMG: Në eventin e organizuar në Tiranë kishin ardhur dhe një grup të rinjsh nga Europa të fushës së pikturës, të cilët ndoqën live performancën tuaj.

Amarildo Ruçi: Ishte një moment shumë i bukur sepse na jepet mundësia që t’i tregojmë Europës dhe botës se çfarë ndodh realisht në Tiranë dhe Shqipëri. Sa artistë dhe shfaqje artistike ka, dhe të japim një frymë tjetër që të përfaqësohemi denjësisht edhe në aktivitete ndërkombëtare si ky i Parisit. Ata janë miqtë e mi, janë kolegë por ka dhe profesione të ndryshme, dhe që të gjithë janë pjesë e një aktiviteti i cili realizohet nga Bashkimi Europian, por që në thelb ka pjesën artistike.

Amarildo Ruci pas performances ne sheshin Skenderbej (Facebook)

CMG: Keni ekspozuar në disa vende të Europës, por a do kishe dëshirë të ekspozoje punimet tuaja në pikturë edhe në Kinë?

Amarildo Ruçi: Besoj se do ishte një ëndërr e bukur, dhe nuk jemi shumë larg sepse kuratorja ime është nga Koreja e jugut, kështu që pse jo. Mua më ka pëlqyer gjithmonë pjesa aziatike, mënyra e të jetuarit, mënyra e të bërit art dhe kam një lloj tërheqje si dhe do ishte një periudhë e bukur e jetës time. Unë jam kurioz edhe për frymëzimin që mund të marr atje.

CMG: Cilat janë projektet tuaja pasi të ktheheni nga Parisi?

Amarildo Ruçi: Projektet janë të gjitha të parashikuara, besoj se deri në shkurt është e përmbyllur axhenda. Kam një aktivitet në Madrid ku është një ekspozitë e rëndësishme. Gjithashtu janë duke u përgatitur planet për në New York. Kam dhe një projekt tjetër shumë të bukur, por do ta mbaj sekret deri në intervistat e tjera që të marrë dhe rëndësinë e duhur. Këto janë pak a shumë projektet e mia në vazhdim.

CMG: Amarildo a ndjeheni i përmbushur në karrierë për moshën që keni dhe arritjet e deritanishme?

Amarildo Ruçi: I përmbushur plotësisht si nga ana emocionale por dhe nga ajo artistike, por një moment që më kënaq më shumë është mënyra se si kam arritur, ndoshta dhe nga rrugëtimi që kam pasur kaq intensiv, që njerëzit të përfshihen me artin tim edhe të jenë të pranishëm në ekspozita dhe performanca. Kam ndjerë një kënaqësi të madhe për këtë pjesë dhe dua t’i falenderoj të gjithë. Nuk është e lehtë të jesh pjesë e kësaj gjëje, por që nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas sepse duket sikur do e mbyll karrierën tani, por jam akoma i ri edhe besoj se gjëra më të mëdha do vijnë.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.

Amarildo Ruçi: Unë i përshëndes shumë të gjithë dëgjuesit dhe të dëgjojnë sa më shumë Radio Ejani sepse me të vërtetë ka emisione dhe intervista shumë të mira në pjesën artistike të kulturës shqiptare.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në rrugëtimin tuaj artistik si dhe në panairin e ekspozitave në muzeun e Luvrit në Paris.

Amarildo Ruçi: Shumë faleminderit, gjithmonë kënaqësi biseda me ju dhe uroj të shihemi sërish dhe të bëjmë një bisedë tjetër për atë eventin që nuk e tregova por që do jetë shumë i bukur.  

Intervistoi: Gazmend Agaj