Loudi, 12 gusht 2022, provincë Hu'nan(Foto:VCG)
Prej motit ekstrem të shkaktuar nga La-Nina (një fazë ekstreme e ciklit klimaterik) për tre vite me radhë, disa rajone në jug të Kinës po përjetojnë thatësirën më serioze të dekadave të fundit, të cilat kanë sfiduar sistemin e furnizimit me energji të vendit. Ndërkohë, strukturat e ndryshme të qeverisë kineze po marrin masat e duhura për të përballuar gjendjen aktuale.
Provinca Sichuan e Kinës Jugperëndimore, që mbështetet kryesisht mbi hidrocentralet, po gjendet para vështirësive më të rënda për të garantuar furnizimin me energji në javët e fundit. Shkak janë temperaturat ekstreme, reshjet e pakta historike, por edhe kërkesat e larta për energji që ndodhin pikërisht në të njëjtën periudhë. Për më tepër, nga mesi i gushtit, rreth 821.333 hektarë tokë të punueshme janë goditur nga thatësira përgjatë lumit Jance, duke detyruar ministrinë e Burimeve Ujore të shpërndajë urgjentisht burime alternative për të siguruar ujitjen.
Përmes ndërtimit të projekteve të shumta për ruajtjen e ujit sipas kushteve gjeografike të rajoneve të ndryshme, Kina ka krijuar një sistem të fuqishëm të prodhimit, transmetimit dhe ruajtjes së energjisë, si dhe një infrastrukturë të zhvilluar ujitjeje. Ajo gjithashtu po udhëheq botën në zhvillimin e energjive të reja. Por mungesat e ekspozuara në kushte kaq të rralla dhe ekstreme, kanë alarmuar edhe njerëzit që janë mësuar me jetën moderne, të mundësuar nga përdorimi i vëllimeve të mëdha të energjisë elektrike dhe ujit.
Teknikët kontrollojnë rrjetin e shpërndarjes së elektrikut, Huaibei, provincë Anhui(Foto:VCG)
Shpërndarja e energjisë elektrike në mbarë vendin
Përballimi i konsumit dhe sasisë së madhe të energjisë elektrike, është një çështje shqetësuese për një vend gjigant si Kina, veçanërisht në kohën kur ajo po bën përpjekje për të promovuar transformimin e energjisë së gjelbër dhe me lëshim të ulët të karbonit. Në vitin 2021, vëllimi i prodhimit të energjisë elektrike në Kinë u rrit 8.1 për qind, 8112.2 miliardë kilovatë në krahasim me vitin 2020, duke u renditur në vendin e parë. Statistikat e vitit 2021 tregojnë gjithashtu se sigurimi i energjisë elektrike në Kinë nga qymyri përbënte 68 për qind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në vend, ndërsa hidrocentralet 15.7 për qind.
Në nivel kombëtar, Provinca Guangdong e Kinës Jugore është prodhuesja më e madhe e energjisë elektrike në Kinë, me një vëllim prodhim vjetor prej 611.5 miliardë kilovatësh, kryesisht me anën e shfrytëzimit të qymyrit dhe energjisë bërthamore. Megjithatë, Guangdong ka ende mungesën më të madhe të energjisë elektrike ndër të gjitha provincat e vendit, sepse këtu është një ndër bazat kryesore të prodhimit industrial dhe ku banojnë mbi 127 milionë banorë. Gjithashtu, provinca në lindje të vendit si Shandong dhe Jiangsu përballen me një situatë të ngjashme.
Prandaj, rajonet veriore të Kinës, si Mongolia e Brendshme, Shanxi, Xinjiang e Ningxia, si dhe provincat Jugperëndimore si Sichuan dhe Yunnan transmetojnë energjinë e tepërt në rajonet lindore më të populluara dhe të zhvilluara, duke formuar rrjetin kombëtar të furnizimit me energji "Perëndim drejt Lindje" të Kinës. Prodhimi i energjisë i Kinës ka demonstruar elasticitet, duke pasur parasysh kapacitetin efikas të mobilizimit të organeve qeverisëse në mbarë vendin, furnizimin e qëndrueshëm të qymyrit dhe projektet masive të infrastrukturës së energjisë së ripërtëritshme.
Gjatë krizës aktuale të furnizimit me energji elektrike, korporata e Rrjetit Shtetëror të Kinës (State Grid) ka mobilizuar maksimalisht burimet e energjisë nga rajonet e tjera drejt provincës Sichuan. Për më tepër, diga e Tre Gryka-ve, hidrocentrali më i madh në botë, ka rritur shkarkimin e ujit për të ndihmuar në lehtësimin e një thatësire të madhe në rrjedhën e mesme të lumit Jance që nga 16 gushti. Lin Boqiang, drejtor i Qendrës së Kinës për Kërkimin e Ekonomisë së Energjisë në universitetin Xiamen, tha se "Kina ka avantazhin e të qenit një vend i madh, pasi kur një rajon përballet me sfida, pjesët e tjera mund të ndihmojnë".
Zjarrfikës luftojnë kundër zjarrit, 24 gusht 2022, Chongqing(Foto:VCG)
Furnizimi me ujë i koordinuar për vaditje
Që nga korriku, shumica e pjesëve të pellgut të lumit Jance kanë përjetuar temperatura të larta dhe reshje të ulëta, rreth 45 për qind më pak se e njëjta periudhë e viteve të mëparshme. Ujërat e rezervuarëve në disa provinca përgjatë lumit Jance, duke përfshirë Sichuan, është të paktën 10 për qind më e ulët se vitet e kaluara. Rajoni i goditur nga thatësira është gjithashtu një qendër e rëndësishme bujqësore e Kinës, e cila tashmë po përballet me një moment kritik për korrjen e grurit të vjeshtës.
Ministria e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Kinës u ka kërkuar rajoneve me objekte të mjaftueshme ujitjeje të koordinojnë shpërndarjen e furnizimit me ujë, ndërkohë që fermerët po udhëzohen të zbatojnë një sërë masash, duke përfshirë ftohjen e thellë të ujit, për të shpërndarë nxehtësinë në përputhje me temperaturën e lartë lokale dhe thatësirën. Si rezultat, aktualisht 4.939 rezervuarë në provincën Hubei po bëjnë pjesë në vaditjen dhe lehtësimin e thatësirës, duke siguruar rreth 92 milion metra kub ujë në ditë.
Analistët vënë në dukje se temperaturat e larta dhe thatësirat janë faktorë kryesor të mungesës së energjisë elektrike në provincat jugore, që mbështeten më shumë mbi hidrocentralet. Për shembull, deri në fund të vitit të kaluar, kapaciteti i agregateve të instaluara të hidrocentralit në Sichuan arriti në 88.87 milionë kilovatë, duke përbërë 77.7 përqind të kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike të provincës. Ndërsa, kjo përqindje për energjinë termike dhe atë të erës janë përkatësisht 16 dhe 4.6 për qind. Sipas Lin, Kina duhet të ndërtojë sisteme paralajmëruese kundër fenomeneve ekstreme të motit dhe të investojë në një rrjet energjie më të qëndrueshëm, duke përsosur të gjithë mekanizmat. Në të njëjtën kohë, publiku sigurisht që do të tregonte edhe më shumë mbështetje për zhvillimin e energjisë së re.