Foto: Besnik Bedollari (Foto facebook)
Besnik Bedollari ka lindur në fshatin Dolanec të krahinës së Gorës në Korçë në vitin 1979. Ai është diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, në Fakultetin e Shkencave Humane, dega Gjuhë e Letërsi Shqipe. Në profesion është arsimtar dhe prej disa vitesh mban postin e drejtorit të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Lozhan i Ri”. Ndjenja dhe dëshira për të shkruar i ka lindur që në vitet studentore, ku më pas do të merrnin rrugë botimet e tij në poezi, prozë dhe publicistikë. Ndër botimet e tij përmendim “Ujvarë e fyelltë”, me poezi dhe fabula, 2010; “Hapa vargjesh nën gjethe” me poezi, 2012; “Zambakët që freskojnë lotët e mallit”, me tregime, 2013, por dhe “Duke ndjekur ritmikën e jetës”, publicistikë, botuar në 2016 dhe publikime të tjera.
Gjithashtu mësuesi Besnik ka qënë pjesë e shumë shkrimeve në shtypin e ditës, duke bashkëpunuar me disa gazeta kombëtare dhe lokale. Besnik Bedollari nuk hoqi dorë kurrë nga sfidat, duke i rrëfyer ato si një përrallë e së kaluarës.
CMG: Çfarë është më e rëndësishme për ju në jetë?
Besnik Bedollari : Shembulli i mirë. Shoqëria ka shumë nevojë për shembuj positive, të cilët në një formë apo në një tjetër janë edhe udhëzim konkret për ata që duan të jetë korrektë e të suksesshëm. Shpesh unë reflektoj se çfarë mund t’i jap unë shoqërisë.
CMG : Si kanë qenë për ju vitet si një nxënës apo fëmijë?
Besnik Beboallari : Fëmijëria ime ka qenë e mbushur plot, shumë e bukur dhe shumë e gjallë. Ne kemi qenë fëmijë të zhdërvjellët dhe të shkathët.
Kam kaluar një fëmijëri në fshat dhe aty çdo gjë ishte e sigurtë, ndërsa sot prindërit janë ata të cilët ndiejnë frikë për çdo gjë tek fëmijët e tyre. Fëmijëria jonë ishte aroma shtesë e shoqërisë.
CMG : Ju jeni mësues, si janë përjetime për këtë profesion dhe e kujtoni mësuesin tuaj të parë?
Besnik Bedollari : Mësuesi i parë nuk harrohet kurrë, sepse është rrezja e parë e diturisë. Me zërin e tyre dhe leksionet fuqizohen zërat tanë të së ardhmes.
Më kujtohet shumë mirë zëri i tij, i mësuesit tim të parë.
Ai udhëtonte gati 20 km në këmbë, për të mbërritur në fshatin tonë e për të dhënë mësim. Pas shumë vitesh ka qenë një miku im i cili i gjeti kontaktin dhe ramë dakord për t’u ritakuar me mësuesin tim të dashur. Por, ndodhi ajo që ne nuk e prisnim. Covid-19 i mori atij jetën. Ky është pengu im që nuk arrita ta takoja edhe njëherë mësuesin tim dhe t’i tregoja se sa shumë mall e vlerësim kisha për të.
Foto: Besnik Bedollari (Foto nga facebook)
CMG : Sot që flasim, çfarë e përmbush ditën tuaj?
Besnik Bedollari : Qetësia e ditëve të mia është vajza ime e dashur. Ajo është një vogëlushe që çdo njeri po të ishte do të zbutej para saj.
CMG: Puna juaj si mësues ka patur vështirësi, si do ja përshkruanit bijës suaj?
Besnik Bedollari : Së pari do ta nisja me ku jam sot dhe ku isha dje.
Fillimsht vitet e mia kanë qenë shumë të vështira . Punën e kam nisur në një zonë të thellë malore, që mbarte me vete vështirësitë e saj, sidomos në kohën e dimrit.
Më është dashur të kaloj në rrugë të vështira me dëborë dhe në një kohë kur kafshët e egra të dilnin përpara. Por, kurrë nuk u dorëzova. Këtë dua t'ia theksoj bijës sime dhe vajzave e djemve të rinj të Shqipërisë. Nëse qëllimi është i lartë dhe i ndershëm, ju duhet të luftoni për jetën tuaj. Urat ishin të lodhura dhe shpesh nuk kishte ura fare.
Dashuria për punën si mësues për mua ka qenë që në fillimet e mia e rëndësishme.
Nxënësit thuajse të gjithë më kanë dashur dhe respektuar. Sot gjithçka ka ndryshuar dhe shoh që çdo nxënës është ndryshe në klasa, nuk është më ajo ndjesi e dikurshme. Ndoshta teknologjia ka bërë punën e vet, i ka bërë fëmijët me të ftohtë.
Foto: Besnik Bedollari me vajzen e tij (Foto facebook)
CMG : Çfarë i thua më shpesh vetes si mësime të jetës?
Besnik Bedollari : Njeriu duhet të ecë në jetë me besim tek vetja dhe nuk duhet të dekurajohet. Dua të jap shembullin tim, kam qenë unë ai që kam kaluar sfida të njëpasnjëshme dhe sërish nuk u dorëzova.
Mbi të gjitha njeriu duhet të jetë i drejtë dhe fisnik sepse kurrë nuk humbet, por shfaqet në horizont më i fituar.
CMG: Ju përmendët teknologjinë si sfidë të arsimit, si qëndron përballë nxënësve?
Besnik Bedollari: Teknologjia është e frikshme për të rinjtë në përgjjthesi. Nxënësve po ju vjedh dijen dhe kohën e lirë. Do doja që kjo të ndryshonte.
Nga ana tjetër mësimi online u bë një formë trajnimi edhe për ne mësuesit, të cilët përpiqeshim të lidheshim me nxënësit.
CMG : Cili është mesazhi juaj për nxënësit e rinj?
Besnik Bedollari: Do doja të thoja se ata duhet të ndjekin rrugën e vërtetë dhe të sinqertë. Rruga e virtytit nuk të lë në mes, por ju përmbush ëndrrat tuaja.