Kinë, “ekonomia e natës” ndriçon mbrëmjet verore
2022-08-30 16:20:32

Foto:VCG

Foto:VCG

Gjatë pushimeve verore, shumë krahina në Kinë kanë nisur aktivitete të natës, si turizmi i natës, pazari i natës dhe shfaqjet artistike të natës, të cilat kanë ofruar mundësi të larmishme zgjedhjeje për turistët, duke i dhënë impuls të fuqishëm konsumit turistik dhe mëkëmbjes së mëtejshme ekonomike.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Netët pekinase, net kulturore

 

Në korrik, Pekini publikoi dokumentin “Masat për nxitjen e zhvillimit të lulëzuar të ekonomisë së natës të qytetit të Pekinit”, ku shpallen nëntë masa konkrete për stimulimin e ekonomisë së natës të kryeqytetit kinez, si kuponët e konsumit ushqimor me vlerë prej 100 milionë juanësh dhe 5-10 itinerare të udhëtimit natën.

 

Krahas kësaj, ka nisur aktiviteti “Stina e konsumit 2022, Pekini i natës”, ku janë përfshirë afro 10 mijë marka tregtare dhe mbi 20 distrikte biznesi, të cilat ofrojnë shërbimet e natës, si “opera e natës”, “shija e natës”, “argëtimi i natës” dhe “blerja e natës”. Siç mësohet, ky aktivitet do të zgjatë deri në muajin nëntor.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Përveç ushqimeve, pijeve dhe argëtimit, në natën e Pekinit ka edhe shërbime kulturore. Këtë verë, Bashkia e Pekinit njoftoi që “muzetë e Pekinit mund ta zgjasin kohën e qëndrimit hapur dhe të zhvillojnë aktivitete kulturore të natës”.

 

Me këtë politikë nxitëse, gjatë tërë pushimeve, në muzetë e Pekinit, si Muzeu i Historisë Natyrore, Planetariumi, Muzeu i Gdhendjes Artistike dhe Tempulli “Baita”, qytetarët dhe turistët kanë gëzuar mjaft opsione kulturore.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Shangai, ëndrra e të rinjve realizohet natën

 

Në Shangai, sportet urbane po bëhen një mënyrë e popullarizuar jetese për të rinjtë. Sipas raportit përkatës, nga fillimi i korrikut deri në mes të gushtit, kërkimi në internet nga të rinjtë për fjalën “biçikletë” është rritur me 173 %. Ndërkohë, kërkimet për sportet, si frisbi, sërfi në tokë dhe regbi, kanë pasur rritje disa dhjetëra herë më shumë.

 

Në këtë verë janë organizuar veprimtari, si çiklizmi natën, çka ka tërhequr shumë të rinj. Krahas kësaj, qendra tregtare “ONE EAST” ka organizuar sporte, si basketbolli me nga tre lojtarë, vrapimi natën, frisbi dhe joga, të cilat kanë ndezur pasionin e të rinjve, duke stimuluar gjallërinë e ekonomisë së natës.

 

Platforma e njohur turistike “Ctrip.com” këtë verë ka ofruar shërbime për sportet ndërkombëtare për të rinjtë në Shangai, si ecja qytetëse, darti dhe patinat, me të cilat qytetarët dhe turistët mund të shijojnë natën e Shangait me stil ndërkombëtar, modern dhe dinamik. Tani të rinjtë e lindur në vitet ’90 të shekullit të kaluar dhe në këtë shekull po bëhen konsumatorët kryesorë dhe, me kombinimin e kërkesave të reja me sportet urbane, në Shangai po eksplorohet një model i ri për nxitjen e gjallërisë ekonomike.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Me aktivitete të ndryshme natën, gjallëria ekonomike e Shangait është në mëkëmbje të dukshme. Zv.drejtorja e Zyrës së Tregtisë të Bashkisë së Shangait Liu Min thotë: “Mund të shohim që qyteti i Shangait po rigjen gjallërinë e tij. Posaçërisht natën, Shangai po tregon elegancë, besim dhe pasion të plotë”.

 

Përveç kryeqytetit dhe metropolit në deltën e lumit Jance, edhe në qytete të tjera kineze, si Chongqing, Suzhou, Xian e Changsha, janë organizuar veprimtari të ngjashme, me synim që të nxitet konsumi vendor. “Ethet” e konsumit po përhapen në netët e qyteteve kineze.

Foto:VCG

Foto:VCG

 

Sipas raportit, në vitin 2020, ekonomia e natës e Kinës  i kaloi 30 trilionë juanët dhe parashikohet që këtë vit do të arrijë mbi 40 trilionë juanë. Modeli i ri i konsumit, si ekonomia e natës, do të bëhet forca e re kryesore për nxitjen e konsumit. (Jiang Lei)