Shkencëtarët kinezë krijojnë hartat e para qiellore me fushëpamje të gjerë me rreze X
2022-08-30 20:47:50

 Një pamje me rreze X e rajonit qendror të Rrugës së Qumështit nga moduli i teleskopit me fushëpamje të gjerë me rreze X. /NAOC

Një pamje me rreze X e rajonit qendror të Rrugës së Qumështit nga moduli i teleskopit me fushëpamje të gjerë me rreze X. /NAOC

Shkencëtarët kinezë kanë publikuar hartat e para qiellore me fushëpamje të gjerë me rreze X, të marra nga një teleskop me fushëpamje të gjerë me rreze X (WXT) gjatë Asamblesë së Shkencës Hapësinore të Kinës, të zhvilluar të shtunën në qytetin Taiyuan, kryeqendra e provincës Shanxi të Kinës Veriore.

WXT është një teleskop imazherie me fushëpamje të gjerë me rreze X, i pari i këtij lloji në botë. Ai u nis në hapësirë më 27 korrik me një anije kozmike të transportuar nga një raketë me lëndë djegëse të ngurtë, sipas Observatorëve Kombëtarë Astronomikë të Kinës. Teleskopi mori pamje me rreze X dhe spektra energjie të shumë trupave qiellorë në galaktikën e Rrugës së Qumështit dhe më gjerë, pas një vëzhgimi katërditor në orbitë.

Fushëpamja e tij mund të arrijë 340 gradë katrorë, 100 herë më e madhe se e teleskopëve të tjerë të ngjashëm në botë, bëri të ditur NAOC. Sa më e gjerë të jetë fushëpamja, aq më shumë mund të shihet prej botës së vëzhgueshme.

WXT vëzhgoi rajonin qiellor qendror të Rrugës së Qumështit. Rezultatet treguan se një vëzhgim i vetëm mund të zbulojë rrezet X nga drejtime të shumta, duke përfshirë ato nga vrimat e zeza yjore dhe yjet neutron.

Sonda më tej dalloi sinjalet relativisht të dobëta të rrezeve X nga një kuazar 814 milionë vite dritë larg. Kuazari është një objekt i ngjashëm me yll shumë larg në hapësirë që prodhon dritë të fortë dhe valë radioje.

Një kuazar 814 milionë vite dritë larg i zbuluar nga WXT. /NAOC

Një kuazar 814 milionë vite dritë larg i zbuluar nga WXT. /NAOC

Një Re Magelanike e madhe pranë galaktikës së Rrugës së Qumështit u vu re gjithashtu brenda rrezes së WXT, sipas NAOC.

Një imazh optik i Resë Magelanike të madhe (majtas) dhe një imazh me rreze X me WXT (djathtas). /NAOC

Një imazh optik i Resë Magelanike të madhe (majtas) dhe një imazh me rreze X me WXT (djathtas). /NAOC

Teleskopi është një modul eksperimental për satelitin “Sonda e Ajnshtajnit” (EP). Gjithsej 12 module WXT do të montohen në satelitin e ri.

EP është një mision i ngarkuar me zbulimin e trupave qiellorë që lëshojnë rreze X, si dhe vrimave të zeza me rrezatim kalimtar me energji të lartë. Ai do të niset në fund të vitit 2023.

Një provë në gusht tregoi se WXT funksionon normalisht, duke hedhur një themel të fortë për misionin, tha NAOC.

"Rezultatet janë shumë emocionuese dhe dëshmojnë për aftësinë e mjetit në marrjen e të dhënave cilësore shkencore siç pritej," tha Yuan Weimin, kryeshkencëtari i satelitit EP të NAOC.

P. O'Brien dhe R. Willingale, profesorë në Universitetin e Lejcesterit, thanë: "Rezultatet janë mbresëlënëse... Këto teste demonstrojnë potencialin shkencor të satelitit EP."

Një imazh me rreze X i rajonit qendror të Rrugës së Qumështit (majtas) dhe imazhi i saj simulues (majtas). /NAOC

Një imazh me rreze X i rajonit qendror të Rrugës së Qumështit (majtas) dhe imazhi i saj simulues (majtas). /NAOC

(Artan)