Energjia elektrike, qeveria shqiptare ka planifikuar në buxhet 28 miliardë lekë për import
2022-08-30 11:22:26

Energjia elektrike në Shqipëri (Foto ATSH)

Energjia elektrike në Shqipëri (Foto ATSH)

Ndonëse energjia elektrike në bursa është rritur me 15 herë krahasuar me periudhën e paraluftës, në Shqipëri autoritetet nuk e kanë rritur çmimin për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël dhe të mesëm, njofton RTSH.   

Në varësi të rezervave hidrike, Shqipëria ka importuar nga  deri në 50% të nevojave të saj energjetike. Sipas burimeve nga KESH sha, për muajt janar – gusht, janë shpenzuar gati 300 milionë euro për të blerë energji nga importi. Për pothuajse të njëjtën periudhë të një viti më parë u shpenzuan vetëm 7 milionë euro.

Për vitin 2022 janë parashikuar në buxhet 28 miliardë lekë (230 milionë euro) për të garantuar furnizimin me energji, nga të cilat 20 miliardë lekë janë subvencione dhe 8 miliardë lekë janë interesa për kredi me garanci sovrane.

Qeveria ka hartuar dhe miratuar Aktin Normativ të 12 për këtë vit dhe ka marrë përsipër të mbulojë me paratë e taksapaguesve rritjen e çmimit të energjisë, duke shkurtuar shpenzimet në sektorë të tjerë, në mënyrë që të mos e lërë vendin në errësirë. (Fatosi)