Pajazit Murtishi: Arti skenik është më i afërt me publikun
2022-08-29 10:45:50

Pajazit Murtishi.(Facebook)

Aktori strugan Pajazit Murtishi jeton prej vitesh në SHBA. Ai ka interpretuar në skenë vepra të njohura, ku me zërin e tij kumbues dhe interpretimin mjeshtëror ka bërë për vete shqiptarët kudo që ata jetojnë. Gjithashtu ai është vlerësuar dhe me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe është i pranishëm në çdo aktivitet në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe diasporë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), ai tregon përr rrugëtimin e tij artistik, integrimin në SHBA si dhe projektet në vazhdim.

CMG: Z.Murtishi përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Pajazit Murtishi: Ju falenderoj juve për konsideratën dhe që respektoni dinjitetin e aktorëve dhe bashkëatdhetarëve që jemi hapur në tërë këndet e botës. Gjithashtu ju uroj suksese ju dhe stafit tuaj.

CMG: Sa vite keni që jetoni në SHBA?

Pajazit Murtishi: Neve zakonisht i kemi matur kohët me orë, ditë, javë, muaj dhe vite, por këtu koha u bë aq e gjatë, dhe një pjesë e jona kemi filluar të masim kohët e mërgimit me shekuj. Unë dua të them se në rastin tim konkret, unë jam këtu një shekull dhe disa vjet. Unë kam ikur nga vendlindja në vitin 1970, në moshë relativisht fare të re, 12 vjeç kam qenë në kohën që jam larguar.

Pajazit Murtishi me artistet Merita Halili dhe Raif Hyseni (Facebook)

CMG: Si e kujtoni kohën e largimit nga vendlindja dhe integrimin tuaj në SHBA?

Pajazit Murtishi: Prej kohës kur lihet atdheu dhe njeriu merr një rrugë kaq të gjatë sidomos në SHBA, ka efekte anësore prej ikjes, duke lënë vendlindjen dhe në rastin tim konkret si një fëmijë ku nuk i zgjidhja unë vendimet se çfarë do të bëja me jetën, por ishte vëllai më i madhi i cili zëvendësonte babain tim që fatkeqësisht më la 12 vjeçar, kur iku nga kjo botë. Kështu që vështirësia ishte përtej asaj që unë do të udhëtoja nga një vend relativisht i vogël në Strugë, dhe dolëm në një metropol të madh në Romë të Italisë ku ishte përgatitur stacioni për të bërë emigrimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shkollën 8 vjeçare kisha një dëshirë të madhe dhe nuhatje për artin, madje dërrasat e skenës së parë të jetës time i përjetova aty në rrethin e Strugës, me një vepër të Kristo Floqit.

Kur erdha në Amerikë, kjo pothuajse doli krejt rastësisht përsa i përket vazhdimit të shkollës, për arsye se qëllimi ishte të bëjmë pare, ku unë ju futa punës për të mbledhur dollarë  dhe bëra të pamundërën, duke u ndjerë i humbur në këtë hapësirë të madhe, në këtë vend të huaj. Unë bëra të pamundërën që edhe gjatë orareve të punës të plotësoj një pjesë të boshllëkut, të hapësirës që më mungonte dhe për të plotësuar sadopak dëshirën e artit. Diku andej nga viti 1976 mbasi bëmë disa dollarë, në Çikago nuk ekzistonte asnjë grup muzikor shqiptar.

Krijuam një grup muzikor, natyrisht amatorë në instrumenta që vazhdoi deri në mesin e viteve 90-të kur filluan të vijnë artistët nga Shqipëria si Agim Krajka, Merita Halili, Parashqevi Simaku dhe të tjerë artistë dhe ua dorëzuam atyre. Unë menjëhere pas asaj u regjistrova në kolegjin Kolumbia në Çikago, ku studiova artin për gjashtë vjet dhe pastaj kisha për 40 vjet një agjensi turistike që na dha kontakt me mbarë shqiptarët në çdo cep të SHBA-së. E ndjeva veten mirë sepse dhashë një kontribut në shërbim të popullit.

Pajazit Murtishi me kostum popullor duke interpretuar (Facebook)

CMG: Cili ka qenë aktiviteti juaj artistik në SHBA, në lidhje me fushën e aktrimit dhe artin në përgjithësi bashkë me artistët e tjerë shqiptarë atje?

Pajazit Murtishi: Për fat të keq numri i artistëve këtu është bërë i vogël, edhe ata të cilët erdhën nga vendlindja qofshin nga Kosova apo Shqipëria ranë gati në një dëshpërim sepse këtu në SHBA është shumë vështirë që të depërtosh në fushën e aktrimit, qoftë ai skenik apo filmik. Por sidoqoftë ne nuk e lamë këtë dhe gjithmonë kemi qenë në aktivitete. Unë 34 vjet isha në skenë si solist dhe fizarmoniçist dhe ajo më lidhi pastaj me të gjithë shqiptarët këtu.

Pjesa më e madhe e kohës time pasi mbarova akademinë në kolegjin e Kolumbias, ishin monodrama, recitime poezish, organizime fëmijësh të shkollës shqipe që mbahet dy herë në javë këtu në Çikago me 120 nxënës. Aty unë shkoj çdo të dielë pas orarit të rregullt të nxënësve dhe ju jap orë artistike, pregatitje në interpretimet e tyre në festa të ndryshme. Gjithashtu për 36 vjet isha me muzikë në të gjitha tubimet që bëheshin, që nga festat e pavarësisë të 28 nëntorit të Shqipërisë dhe gjithë festat e tjera ishim gjithmonë në lëvizje. Pjesa më e madhe e këngëve ishin me karakter kombëtar dhe patriotic, për arsye se donim të ngrinim në nivel të duhur  popullatën këtu në diasporë dhe kjo më shtyu që të bëj këtë aktivitet.

Kur u themelua Liga Shqiptaro-Amerikane, ju bashkangjita asaj ku edhe sot jam anëtar i bordit. Unë shpresoj se koha do të tregojë që bëmë sa mundëm në atë drejtim dhe mendoj që është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe.

Pajazit Murtishi me violinistin Shkelzen Doli (Facebook)

CMG: Ju keni interpretuar në aktivitete të ndryshme në SHBA dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarët. Cilat kanë qenë emocionet që keni përjetuar në skenë para publikut?

Pajazit Murtishi: Arti është një nga format e shprehjes më të rëndësishme dhe më të dobishme të civilizimit njerëzor sepse veprat e artit apo krijimtaria tregon aftësitë dhe talentin e individëve të caktuar që dalin në skenë. Natyrisht që arti skenik është shumë më i afërt me publikun, por dhe ai filmik. Ne këtu bëmë të pamundurën, ku unë disa herë kam kontaktuar edhe me Z.Kulla në New York, dhe patëm fatin që nga viti 2010 të kishim aktorin shqiptar të shumë filmave Pandi Siku. Gjithashtu erdhi dhe aktori Minella Borova nga Argjentina këtu në Çikago ku bashkë me aktoren Miola Sitaj, Ilir Borova me bashkëshorten dhe disa vajza amatore, vumë në skenë pjesën “Llotaria amerikane” që eci shumë mirë. Gjithashtu kemi vënë në skenë dhe “Karnavalet e Korçës” ku arritëm një sukses të madh në Toronto të Kanadasë, Detroit, New York dhe Çikago. Unë mendova se aty kishim një rast jashtëzakonisht të mirë sepse e pashë që Minella kishte dëshirë që të rrinte këtu me familjen. Kur iku ai mbetëm pak si jetimë, dhe tani ai është i ndjerë sepse para disa vitesh ka ndërruar jetë.

CMG: Çfarë projektesh keni në të ardhmen në fushën e artit skenik?

Pajazit Murtishi: Unë jam në kontakt me disa dramaturgë në Kosovë, dhe madje këto projekte artistike duhet të ishin bërë realitet, por ju tregoj sinqerisht që unë kam tre vjet që nuk kam ardhur në vendlindje për arsye të rrezikut të virusit, dhe jo vetëm unë por dhe shumë të tjerë, dhe ngelën shumë projekte varur. Së shpejti këto projekte do të realizohen.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese në vazhdim.

Pajazit Murtishi: Unë ju falenderoj pa masë se në çdo fjalë ka peshën, vlerën dhe efektin e saj, dhe ishte kënaqësi që të jem mysafir i Radio Ejani. Ju dëshiroj sukses të vazhdueshëm dhe mbi të gjitha shëndet.

Intervistoi: Gazmend Agaj