COVID 19, strategjia e re parashikon 1800 shtretër për përballimin e situatës
2022-08-29 10:07:46

Urgjenca Kombëtare (Foto ATSH)

Urgjenca Kombëtare (Foto ATSH)

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes po hartojnë një plan pune në bazë të të cilit do të administrohet pandemia COVID-19 deri në vitin 2023, njoftojnë mediat. Plani, i cili së shpejti bëhet  publik, merr në konsideratë shtimin e kapaciteteve spitalore dhe numrin e shtretërve për shkak të presioneve që mund të krijojë COVID-19 në të ardhmen.

Sipas këtij plani, parashikohet që deri në vitin 2023 do të jenë në dispozicion të paktën 1800 shtretër në vend.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar më parë në lidhje me këtë plan se, strategjia do të përshtatet me ndryshimet që mund të ketë, me evidencat e reja shkencore që mund të dalin, me situata që mund të krijohen.

Plani synon integrim të shërbimeve sociale dhe shëndetësore, pasi përvoja ka treguar se shëndeti mendor është cenuar rëndë nga COVID-19.

Investimet do të fokusohen tek Urgjenca Kombëtare, duke përfshirë fuqizimin e flotës së autoambulancave në funksion të mbulimit edhe më të mirë të territorit, por edhe shërbimit në familje.

Që nga fillimi i pandemisë së COVID 19 Shqipëria ka regjistruar 328,299 raste dhe 3,581 humbje jete.(Fatosi)