Ambasadori kinez në Tiranë takohet me ministren shqiptare të Financave
2022-08-29 20:17:36

Ambasadori Zhou Ding takohet me ministren Delina Ibrahimaj

Ambasadori Zhou Ding takohet me ministren Delina Ibrahimaj

Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding u takua me ministren e Financave dhe të Ekonomisë të Shqipërisë Delina Ibrahimaj. Të dy palët shkëmbyen mendime për forcimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe pjesëmarrjen e palës shqiptare në edicionin e pestë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës.

Në takim, përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri vuri në dukje se Kina ngul këmbë në Hapjen e Reformën dhe synon bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë me botën e jashtme. Organizimi i ekspozitës së importit është një masë e rëndësishme që merr pala kineze për të nxitur hapjen e ekonomisë botërore. Kina dhe Shqipëria mund përmbushin kërkesat e njëra-tjetrës në fushën ekonomike. Vitet e fundit, të dy vendet kanë shtuar shkëmbimet ekonomiko-tregtare dhe Kina është një ndër partneret kryesore të tregtisë dhe të investimeve të Shqipërisë, theksoi z. Zhou. Sipas tij, pavarësisht ndikimeve të pandemisë, vjet tregtia ndërmjet dy vendeve u rrit 26 %, ndërsa në shtatë muajt e parë të këtij viti, eksportet e Shqipërisë në Kinë u shtuan 76 %, duke pasqyruar potencialin e madh të bashkëpunimit ekonomik-tregtar ndërmjet të dy vendeve. Ambasadori Zhou vuri në dukje se pala kineze është e gatshme të thellojë së bashku me palën shqiptare bashkëpunimin në fushat e zhvillimit të gjelbër, risive teknologjike e turizmit, nëpërmjet platformave si ekspozita e importit dhe komisioni i përbashkët i bashkëpunimit ekonomik e tregtar Kinë-Shqipëri, duke u sjellë të dy popujve më shumë përfitime dhe duke mbështetur zhvillimin e frytshëm afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe.

Ndërsa ministrja Ibrahimaj u shpreh nga ana e saj që Kina, si ekonomia e dytë më e madhe në botë, është një ndër partneret më të rëndësishme ekonomiko-tregtare të Shqipërisë. Pala shqiptare është e gatshme të ruajë kontaktet e ngushta me palën kineze dhe të marrë pjesë aktive në veprimtari si ekspozita e importit, duke thelluar lidhjet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve, për ta shndërruar miqësinë tradicionale në fryte konkrete bashkëpunimi.(Zhang Yan/Artan)