Kujtohet 20 vjetori i vdekjes së Teodor Kekos me një ekspozitë
2022-08-29 16:25:51


Biblioteka Kombëtare, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko, çeli një ekspozitë në përkujtim të kontributit të tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës. Kjo ekspozitë solli për publikun krijimtarinë e tij duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) deri tek librat e fundit, botuar pas vdekjes së shkrimtarit.

Teodor Keko, në kohën kur jetoi ishte ndër shkrimtarët më në modë dhe shumë i dashur për publikun. Librat e tij përpiheshin sapo dilnin në librari, fat ky i madh për shkrimtarin. Ndërsa sot, është jo vetëm shkrimtari më i pranuar edhe nga lexuesi i sotëm, por shkrimtari që sinqerisht i mungon kolegëve dhe miqve të tij shkrimtarë dhe publicistë. Si për rrallë njerëz, në përvjetorët e tij, miqtë e hershëm, shkrimtarë dhe publicistë, gjejnë mundësinë për ta kujtuar mikun e tyre, ose Dorin, siç e thërrisnin në të gjallë të tij. Herë me letra të hapura drejtuar atij në Parajsë, herë me botime ose ribotime librash, herë me takime tek kafe “Europa”, vendi më i dashur i shkrimtarit në të gjallë të tij, ku priste dhe përcillte miqtë, ata gjejnë mundësinë për ta kujtuar. Është e pamundur që dikush të mos kujtohet për ikjen e tij dhe të mos ndiejë mungesë. Kjo gjë tregon për një karakter njerëzor unik, për një fenomen në letërsi dhe një gazetar të guximshëm në publicistikë. Ikja e shpejtë, në moshën 44 vjeçare, nga një sëmundje e rëndë, të një artisti të angazhuar, ngelet sot e kësaj dite një nga ikjet më zbazëta për letërsinë dhe gazetarinë.

Për lexuesin e viteve 90 ishte e pamundur që të mos gjendej në bibliotekën e tij, një libër i Teodor Kekos, ndërsa sot, një  lexues i viteve 2020, është e pamundur që të mos lexojë librat e tij, e të mos ndiej peshën e personazheve apo tematikës, me të njëjtin gravitet, me të kohës kur u shkruan.

Nga kontaktet me libraritë kryesore të Tiranës, mund të konstatosh mjaft lehtë se vepra e tij, renditej ndër më të shiturat (brenda kuadrit të librave shqip). Librashitësit, që aktualisht kryejnë dhe rolin e munguar të kritikës shqiptare mund të të konfirmojnë lehtësisht vendin veçantë të Kekos në biznesin e librit. Në treg ende shiten dhe kërkohen librat e tij të hershëm me tregime e novela, si "Lajmëtarja e vdekjeve", krahas atyre të fundit "Made in Albania", apo "Hollësi Fatale", libri i tij i fundit të cilin autori e ka botuar në kohën kur jetonte në Hollandë. Librat e tij, po aq sa kanë qenë poshtë fletores së leksioneve të një studenteje, poshtë jastëkut të një djaloshi, po aq fort kanë qëndruar dhe sunduar në studiot televizive .

Ai karakterizohej nga një krijimtari e ndjeshme ndaj jetës dhe një dëshirë e madhe per vetë jetën. Megjithëse u aktivizua në politikë herët, duke qenë deputet në parlamentin e parë pluralist dhe më vonë këshilltar i dy kryeministrave, pasioni i tij i hershëm për letërsinë, ushqyer nga një familje artistësh, nuk e la të pësonte metamorfozën që has rëndom pasioni i kultivuar ose jo, në të gjithë ata, që i kanë hyrë politikës. Ai vazhdoi të shkruante deri në fund të jetës.

Tregimet e Teodor Kekos janë pjesë e ciklit të librave që tregojnë Shqipërinë e tranzicionit me individë të fortë dhe shoqëri të dobët. Kjo sepse tregimet e tij ngjajnë me pjesë jete dhe fatesh njerëzore dhe janë shumë larg temave të stisura. Jeta është aty më e vërtetë se kurrë, komplekse, me të gjitha misteret dhe enigmat e saj natyrisht edhe pse e treguar me mjeshtërinë e një artisti të vërtetë.

Letërsia e Kekos është një letërsi jashtë kornizave. Duket sikur ai fotografon realitetin, por nuk është kështu. Letërsia e tij është një letërsi që reflekton problemet e shoqërisë shqiptare, parë me sytë e shkrimtari kontraversal dhe një fatalisti të qeshur. Nga viti 1990 e deri sa vdiq, më 2002, pra përreth dymbëdhjetë vjet, ai regjistroi, tregoi dhe analizoi një nga periudhat më të vështira e më komplekse të historisë së Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje ai është i vetmi dhe ndoshta i fundit shkrimtar ekzistencialist shqiptar që nga rreth dymbëdhjetë temat qendrore të ekzistencializmit kishte më për zemër temën e vdekjes. Të gjithë ata që e kanë njohur, e mbajnë mend si bohemin e fundit, si njeriun e lirë që nuk besonte në asnjë skrupull shoqëror, që kishte si kult vetëm dashurinë.

Teodor Keko u lind në 2 shtator 1958në Tiranë. Prindërit e tij ishin regjisorët e kinematografisë Endri dhe Xhanfize Keko. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsi Shqipe. Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor. Për një periudhë kohe ka qenë deputet i Parlamentit shqiptar.

Ai nisi të shkruajë në mesin e viteve ‘80, por u bë i njohur sidomos pas viteve ‘90. Eshtë autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme si, poezi, dramë, novelë dhe tregime të shkutra. Falë sensit kritik u mbiquajt “Migjeni i viteve ‘90”. U nda nga jeta në 22 gusht 2002, pas një sëmundjeje të rëndë.

Në ekspozitën e hapur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare gjejnë vend të ekspozuar libra që nga vëllimi me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, për të vijuar më tej me veprat: “Fjala fishkëllen” (1987); romani “Loja” (1990); “Zemra nuk është këmishë” (1990); “Lajmëtarja e vdekjeve” (1991); “Pretenca” (1994); “Made in Albania” (1998); “Keko : poezi” (2005); përmbledhja me tregime “Amaneti : tregimet e fundit” (2008); “Curriculum vitae : tregime të zgjedhura” (2008); “Kryqëzim : poezi të zgjedhura” (2008); “Si breshka në shpinë mbaj një varr : tregime, poezi, roman, dramë, shënime, vëzhgime, opinione, intervista...” (2012); deri tek “Shënimet e një gruaje” (2014). Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe veprimtaria e tij si redaktor, por edhe si publicist, që vjen përmes artikujve në shtypin periodik të kohës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore. Kjo ekspozitë që vjen si homazh për Teodor Kekon, është edhe një mundësi shumë e mirë që të hedhim vështrimin tek një krijimtari e pasur, e drejtpërdrejtë, plot me mendim dhe realitete të jetës sonë të përditshm, si për të na kujtuar se letërsia e Kekos është përditë mes nesh. Mjafton të kemi sy për ta lexuar dhe mendje për ta kuptuar.

Neritana Kraja