Në Lin të Pogradecit zbulohet vendbanimi 7500-vjeçar
2022-08-29 11:02:00

Vendbanimi Lin (Foto ATSH)

Vendbanimi Lin (Foto ATSH)

Një vendbanim 7500 vjeçar është zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Lin të Pogradecit, njofton RTSH.

Zbulimi është bërë në një zonë ku po kryhen gërmime arkeologjike për zbulimin e vendbanimit "palafit".

Sipërfaqja e vendbanimit prehistorik, mendohet të jetë rreth 35.000 m2.

Në një postim në Facebook, Kryeministri Edi Rama i konsideron zbulimet mbresëlënëse,  të cilat hedhin dritë mbi vendbanimet e hershme në territoret shqiptare.

Gjatë gërmimeve, po dalin në dritë vegla pune prej stralli, enë të ndryshme qeramike, fragmente kocke kafshësh dhe janë marrë kampione sedimentologjike për analiza në laboratorë.

Fshati Lin ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 20 km larg qytetit të Pogradecit. Ky fshat turistik vazhdon të vizitohet në çdo stinë të vitit nga shumë turistë të huaj, por edhe vendas.