Faton Macula, i vetmi jazz kitarist shqiptar me suksese botërore
2022-08-28 15:49:54

Jazz kitaristi shqiptar me famë ndërkombëtare, Faton Macula ka lindur në Mitrovicë të Kosovës. 

Faton Macula (Foto  by Ilir Rizaj)

Faton Macula (Foto  by Ilir Rizaj)

Muzikën ai e nisi që në moshën 8 vjeçare. Ishte babai i tij i cili e drejtoi drejt muzikës, ndërsa dashuria e madhe për muzikën jazz nisi në moshën 11 vjeçare, e cila vazhdon edhe sot. Studimet si fillim nisën në shkollën e muzikës në Mitrovicë, por duke punuar fort edhe në shtëpi, si dhe duke ndjekur video të ndryshme të artistëve të famshëm botëror të muzikës jazz. Në moshën 15 vjecare Fatoni konkuroi në një shkollë muzikë në Austri, ku midis shumë konkurentëve nga e gjithë bota, pranoheshin vetëm 3 prej tyre. Ju desh të mësonte dhe të punonte shumë, për të arritur qëllimin që i kishte vënë vetes, dhe në fund rezultati ishte pozitiv, mes tre studentëve fitues, njëri prej tyre, ishte Faton Macula. Më pas ai vijon karrierën artistike në SHBA, ku rastësisht e ftoi një nga instrumentistët e bandës muzikore të artist të famshëm botëror Marc Anthony, për të interpretuar me të. Talenti i tij tashmë po vihej në dukje dhe bashkëpunimet vazhduan në mënyrë zinxhir me shumë artistë të tjerë të njohur botërorë si, Missy Elliot, Mary J.Blige , Gladys Knight, Bobbi Storm, Ro James, A. Chal, e shumë të tjerë. Fatoni është i vetmi jazz kitarist shqiptar që është prezantuar si i tillë në Europë dhe botë në festivalet jazz ku ka bërë muzikë, duke e përfaqësuar gjithmonë veten si shqiptar,  madje shumë vende  e kanë njohur vendin tonë nëpërmjet artit që Fatoni bën.

Faton Macula & Ro James

Faton Macula & Ro James

Vitet e fundit ai ka bashkëpunuar edhe me shumë artistë shqiptar, të cilët interpretojnë në krah të jazz kitaristit Faton Macula. Kanë qenë të shumta videot që ai ka publikuar  me, Dafina Zeqirin, Flaka Krelanin, Lori Mihon, Wendi Mancakun, por edhe me këngëtaren Mira Konçi, ku së bashku sollën bashkëpunimin e këngës “Era”, e cila ka ardhur edhe me videoklip.

Në intervistë për  Grupin Mediatik të Kinës Faton Macula na tregon disa nga momentet më kulminante të jetës së tij artistike, punën me artistët e huaj, bashkëpunimin me artistët shqiptar, si edhe projektet që ka për të ardhmen për publikimin e albumin e tij të ri muzikor, i cili do jetë një bashkëpunim mes artistëve shqiptarë dhe të huaj.

 

CMG:Ti ke publikuar së fundi në bashkëpunim me  këngëtaren Mira Konçi këngën e njohur "Era". Si nisi ky bashkëpunim me Mirën?

Faton Macula: Rreth dy vite më parë ishte një eveniment me disa artistë këtu në New York ku ishin të ftuar disa artistë shqiptarë. Aty jam takuar për herë të parë me këngëtaren Mira Konçi. Ishte në program ku unë interpretoja me Mira Konçin dhe Lori Mihon këngën me titullin "Era" si dhe këngë të tjera. Por mua nuk më pëlqen që t’i luaj këngët si janë në origjinal, dhe të gjithë e dinë këtë, që unë  e bëj këngën gjithmonë në versionin tim, pra në jazz dhe e orkestroj në mënyrën time.

Faton Macula (Foto  by Ilir Rizaj)

Faton Macula (Foto  by Ilir Rizaj)

Mira u dashurua me mënyrën se si unë e kam interpretuar, gjithashtu edhe mua më pëlqeu mënyra si e këndonte Mira. Që nga ai moment kemi mbetur në kontakt, kemi bashkëpunuar edhe për këngë të tjera, por këngën "Era" e kishim shumë përzemërt.  Pastaj menduam edhe për videoklipin, të cilin e realizoi Erald Kraja. Mbetëm të lumtur për çdo gjë që ka bërë Eraldi edhe pse kënga nuk ka shumë instrumente, por janë vetëm dy kitarat e mia  dhe vokali i Mirës. Ka dalë vërtetë shumë bukur.

CMG:Të gjitha artistët shqiptare kur ndodhen në SHBA e bëjnë patjetër një bashkëpunim me ty. Do doja të përmendja gjithashtu, Dafina Zeqiri, Flaka Krelani, së fundi edhe Wendi Mancaku. A je ti instrumentisti më i mirë shqiptar aty?

Faton Macula: Unë jetoj prej një kohe të gjatë në  SHBA dhe kam punuar me shumë artistë. Këto emra që përmende janë të të njëjtit zhanër dhe ne jemi shokë. Ato më kanë ndjekur dhe kemi kontaktuar me njëri- tjetrin, kanë pasur edhe ata dhe unë dëshirë për të bashkëpunuar. Dafina Zeqiri, Flaka Krelani janë fenomenale si këngëtare dhe janë talente. Gjithashtu dhe këngëtarja e re Wendi Mancaku, e cila ka një vit që  kam dëgjuar për të, janë edhe disa të tjerë që s'më kujtohen për momentin. Me dëshirën e tyre edhe timen sigurisht, e kemi një marëdhënie, me të njëjtin stil e harmoni na lidhin shumë gjëra si mua edhe Dafinën , Flakën, Mirën, Lorin, etj. Por pyetjes tuaj se; A jam unë instrumentisti më i mirë?, këtë nuk mund ta them unë. Por di të them se prej muzikës kam jetuar që ditën e pare, pasi i jam dedikuar vetëm muzikës dhe s'kam bërë asgjë tjetër veç muzikës dhe interpretimit në kitarë.

CMG: Janë të shumta videot që ti i realizon në studion tënde. Vijnë spontanisht apo të marrin shumë kohë?

Faton Macula: Po, disa janë në studion time e disa janë në vende të tjera, por absolutisht që vijnë spontanisht. Zgjohem në mëngjes dhe jam motivues për shumë adhurues të rinj. Nuk më marrin shumë kohë .

CMG: Cilën nga këto artiste do të veçoje për vokalin më të mirë?

Faton Macula: Mendoj se sejcila prej tyre ka stilin e vet. Flaka dhe Dafina ndajnë të njëjtin stil, Lori stil tjetër, Mira tjetër, por janë të talentuara që të gjitha. Nuk mund të bashkëpunoj me dikë që nuk është mirë vokalisht.

CMG: Të flasim për rrugëtimin tënd. Ti e ke nisur muzikën që fëmijë dhe në moshën 14 vjeçare jeta jote mori një tjetër rrjedhë. Pjesëmarrja në një konkurs në Austri ku ti u përzgjodhe mes shumë konkurrentëve. Na trego më tepër për këtë.

Faton Macula: Në familjën time të gjithë jetojnë me muzikën, në përgjithësi Maculat. Në familjen time ka qenë Jazz-i që dominonte, babai im ka qenë Jazz-ist, dhe ka qenë ndër të parët që i kanë rënë jazz- piano në atë kohë në Kosovë. Tani ai është 84 vjeç. Babai ka qenë influenca më e madhe për mua, pasi në shtëpi dëgjoja muzikë jazz pa pushim nga artistë të njohur botërorë. Ashtu më ka hyrë në gjak muzika jazz pasi nuk mund të dëgjoja asgjë tjetër veç jazz-it. Më pas babai më bleu një kitarë, si çdo fëmijë, thjesht për hobi. Mendoj se çdo fëmijë duhet të merret me ndonjë instrument që i vogël, qoftë piano, kitarë, etj, sepse është pjesë e kulturës. Më pas ai më regjistroi në shkollën e muzikës klasike dhe jazz kitarë. Nga mosha 9 vjeçare deri në moshën 10 vjeçare kam dëgjuar muzikë rrok nga një tjetër profesor i imi, i cili më ka hapur mendjen të dëgjoja edhe muzikë tjetër përveç jazz-it. Kam pasur dy balanca të mira, babain, dy profesorat e mi, njëri i muzikës jazz dhe tjetri i muzikës rrok.

Faton Macula & Producenti Jerry Wonda

Faton Macula & Producenti Jerry Wonda

Në moshën 11 vjeçare ju dedikova totalisht jazz-it ku profesori më rekomandoi të dëgjoja jazz kitaristët më të mirë botërorë. Ky ishte momenti kur  e ndava mendjen dhe vendosa të merrem gjithmonë me muzikën jazz, duke ju dedikuar edhe profesionalisht. Më pas kur isha në moshën 14 vjeçare, një shok i imi pak më i madh se unë më regjistroi në një shkollë muzike në Austri, ndërkohë që edhe ai  vetë ka qenë aty me studime. Ai më tregoi disa gjëra që Akademia e Austrisë kërkonte. Ai më kërkoi dekumentet që duheshin për t’u regjistruar në audicion dhe në moshën 15 vjeçare kam konkuruar aty. Shkova dhe isha studenti më i ri, dhe për moshën isha shumë i përgatitur se e dija që konkurenca ishte shumë e lartë dhe doja të vazhdoja me këtë instrument. Prej 30  kantidatëve  apo më shumë u pranuan vetëm 3 persona nga e gjithë bota dhe ndër ta isha dhe unë. Ky ka qenë një prej momenteve më të lumtura të jetës time dhe prej aty vazhdoi karriera ime.

CMG:Ti tashmë je një artist me famë ndërkombëtare. Ke pasur mundësi të bashkëpunosh me artistë të huaj si, Marc Anthony , Missy Elliot, Mary J.Blige , Gladys Knight, Bobbi Storm, Ro James, A. Chal, etj. Si ke arritur të kontaktosh me ta?

Faton Macula: Nevv Yourk-u është vend i madh dhe nëse punon fort dhe ke talent, të jep shumë mundësi. Unë në fillim po bëja muzikë në një lokal në Manhattan për gati një vit. Në ambjentin ku unë interpretoja ishte një person që po më dëgjonte me vëmendje, i cili në fund të mbrëmjes më tha: "Po mbahet një audicion për të bashkëpunuar me Marc Anthony, a mund të vish dhe ti"?

A. Chal & Faton Macula

A. Chal & Faton Macula

Dakord i thashë, dhe ai më la takim. Në fakt ai ishte lideri i grupit dhe në atë kohë ata kërkonin kitarist, ndërsa më kishte ndjekur, më ftoi për të qenë pjesë e bandës muzikore. Kur unë shkova ditën e takimit, nuk ishte audicion, por thjeshtë një takim me pjesëtarët e tjerë të grupit  dhe kështu vazhdoi bashkëpunimi. Më pas vazhdon zinxhiri i bashkëpunimeve me artistë të tjerë, se del fjala mes artistëve, dhe kështu erdhën ftesa të tjera në vazhdim dhe më pas arrita me Missy Elliot, ku jam bërë pjesë e albumit të saj, pastaj Missy Elliot më prezantoi me Mary J.Blige për të marrë pjesë në koncerte dhe në regjistrim, ndërsa Gladys Knight është legjendare. Aty kam pas fat se bateristin e saj e kam pas shok dhe më ftoi për një koncert  e kështu më kanë rënë raste për të punuar edhe me të. Tashmë kam bashkëpunuar me një këngëtar të rrymëë R & B Miguel, A. Chal është një tjetër artist i njohur këtu dhe shumë i transmetuar në kanalet muzikore,  me të cilin kam shumë bashkëpunime dhe kështu vijnë punët njëra pas tjetrës.

CMG: Ti je një nga artistët shqiptarë që i mbështet artistët e rinj që vijnë në New York. Cila është rruga ku ti i drejton këta të rinj që trokasin tek ty?

Faton Macula: I mbështes artistët e rinj sidomos edhe ata që vijnë në New York. Çdo ditë më vijnë 3-4 mesazhe nga artistë të rinj, instrumentistë dhe këngëtarë. Por këtu nëse nuk do të ndihmosh veten, edhe nuk kam kohë me u marrë. Nëse një artist i ri është talent, unë mund t’i krijoj kontaktet me producenta të mëdhenj. Të gjithë çfarë kam ndihmuar, janë ambiciozë dhe punojnë shumë. Çelësi i suksesit është tek puna, duhet me u  ushtru sa më shumë. Unë mendoj se me rrjetet sociale po e shkatërrojnë gjeneratën e re, sepse po kalojnë më shumë kohë në rrjetet sociale se në instrument, apo vokal. Edhe pse nuk besoj, por shpresoj që gjërat të ndryshojnë në këtë aspekt. Sepse më ka rënë rasti që të shoh talente, por puna që japin në një apo dy orë është katastrofale. Unë edhe sot ushtrohem vetë 3-4 orë në ditë, pra duhet shumë punë, duhet me u ushtru ekstrem shumë, pa pushim.

Bria Lee & Faton Macula

Bria Lee & Faton Macula

 CMG:Me cilin prej këtyre artistëve  të famshëm je ndjerë më mirë gjatë performancave artistike?

Faton Macula: Më mirë jam ndjerë me Miguel, A.Chal dhe Marc Anthony.

CMG: Cili ka qenë komplimenti më i bukur që ke marrë prej tyre dhe nga kush?

Faton Macula: Miguel, Marc Anthony më kanë thënë se "Je i pakapshëm në kitarë". Edhe producenti i Shakirës më ka thënë të njëjtën gjë, pasi isha me bandën muzikore të Marc Anthony, ku interpretuam në një koncert të Shakirës, producenti dhe këngëtari i njohur Jarry Wonda më tha "Je i pakapshëm".

CMG: Sa orë në ditë të merr instrumenti i kitarës?

Faton Macula: Unë sot e ushtroj kitarën 3-4 orë në ditë, po nuk e ushtrova, ndjehem i humbur.

CMG: Dhe sa kitara ke arritur të kesh poseduar gjatë gjithë jetës tënde? (I ke koleksionuar?)

Faton Macula: I kam nja 11 kitara të mira, nga të cilat 10 i kam nga kompania e njohur e kitarave “D’Angelico” dhë njërën  e kam nga Luthieri i njohur Wyatt Wilkie, e cila është personale e imja dhe është bërë sipas qejfit tim, zgjedhja e drurit, madhësia, shqiponjën në krye të kitarës, etj. Është kitare shumë e shtrenjtë, por kjo kompani ma ka bërë mua falas se jam artist i tyre me kontratë. Wyatt Wilkie po më realizon gjithashtu dhe kitarën e dytë sërish me shqiponjë por pak më e vogël, të cilën shpresoj që ta përfundojë deri në fund të këtij viti.  Vetëm nga këto dy kompani i kam kitarat që luaj.

CMG: Cilat janë projektet e tua në vazhdim?

Faton Macula: Jam shumë i zënë me koncerte, por kam  nisur gjithashtu punën për të realizuar një album deri vitin tjetër, të cilin shpresoj që ta përfundoj. Pasi bashkëpunoj me shumë artistë s'po më del koha që të punoj për projektet e mia personale. Do fokusohem në albumin tim, koncertet që mendoj që t’i mbaj me këngëtaren Mira Konçin, me Flaka Krelanin, ku jemi duke i mbajtur disa koncerte të mira këtu në New York. Albumin shpresoj siç unë kam qejf që ta kem miks me artistë nga Kosova,  Shqipëria dhe Amerika, shpresoj që ta nxjerr vitin tjetër. Dua të përmend dhe diçka tjetër për këngëtaren e re Wendi Mancaku, është një këngëtare e re fenomenale, e cila i shkruan këngët e veta të gjitha vetë, tekstin vet dhe duhet të dëgjohet më shumë kjo këngëtare. Gjithashtu edhe Lori Miho është këngëtare e re, me një stil tjetër blues, rrock-blues është shumë e mirë.

Intervistoi: Sava Lena