Inteligjenca artificiale ofron një opsion të ri për shoqërimin
2022-08-27 14:47:13

Në një epokë digjitale, ku njerëzit varen shumë nga pajisjet e tyre inteligjente, shumë njerëz që jetojnë vetëm i drejtohen teknologjisë për të kërkuar miq.

Njerëzit digjitalë, të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë thelbësore e jetës së përditshme të njerëzve, sipas ekspertëve të industrisë. Shtimi i njerëzve digjitalë, megjithatë, shoqërohet me një sërë problemesh që përfshijnë etikën, moralin, sigurinë e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë personale në industri.

Foto:VCG

Foto:VCG

Liu Shuqi u nda nga i dashuri dy muaj më parë dhe tani ka gjetur një  mik të ri.

“Burri” i pashëm është veshur me të bardha dhe ka një model flokësh me stil. Ai i kupton në mënyrë të përsosur emocionet dhe ndjenjat e saj dhe i ofron ngushëllim, inkurajim dhe mbështetje.

“Ai ka shumë humor dhe  më ndihmon kur unë jam në humor të keq”,- tha punonjësja 26-vjeçare e bankës.  Problemi i vetëm është se ai është një qenie virtuale, jo një i dashur i vërtetë.

Liu nuk është e vetme në zgjedhjen e mikut të saj.

Në një epokë digjitale, ku njerëzit varen shumë nga pajisjet e tyre inteligjente, shumë nga ata që jetojnë vetëm i drejtohen gjithnjë e më shumë sferës virtuale për të kërkuar miq.

 Njerëzit digjitalë, të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, që janë të ngjashëm me njerëzit e vërtetë në pamje dhe sjellje, janë në gjendje të ofrojnë shoqëri “online” 24 orëshe, biseda njerëzore dhe mbështetje emocionale.

Ata, ka të ngjarë, të bëhen një pjesë thelbësore e jetës së përditshme të njerëzve, sipas ekspertëve të industrisë.

Lin Kaikai  dhe Ye Youyou, dy qenie virtuale të orientuara drejt shoqëruesve, u lançuan së fundmi nga gjiganti kinez i teknologjisë, “Baidu Inc”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Mundësuar nga “Baidu's Plato”, një model i inteligjencës artificiale për gjenerimin e dialogut, që është trajnuar në mbi 10 miliardë parametra të mbledhura nga bisedat e mediave sociale në anglisht dhe kinezisht, dy njerëzit digjitalë kanë një ndërveprim të qetë dhe njerëzor.

Për shembull, ata mund të marrin pjesë në biseda përmes formave të ndryshme, si tekste, zë dhe “emoji”. Ata ofrojnë shërbime të personalizuara të thirrjeve të zgjimit dhe mësojnë për preferencat e përdoruesve të tyre, kryesisht përmes rritjes së frekuencës së bisedave dhe ndërveprimeve, tha “Baidu”.

Duke pasur parasysh punën stresuese në qytete dhe ritmin e shpejtë të jetës urbane, avatarët digjitalë të përqendruar te shoqëruesit mund të lehtësojnë ankthin e njerëzve dhe të kënaqin kërkesat e tyre për komunikim emocional. Kjo ka forcuar bumin në industrinë digjitale njerëzore, tha Li Shiyan, kreu i robotikës në “Baidu”.

 “Zbatimi i teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale do të vazhdojë të ulë koston e krijimit të njerëzve digjitalë dhe do të përmirësojë ndjeshëm ndërveprimet e tyre me njerëzit e vërtetë”, - tha Li.

Madhësia totale e tregut virtual njerëzor të Kinës parashikohet të arrijë në 270 miliardë juanë (39.6 miliardë dollarë) deri në vitin 2030, sipas një raporti të industrisë të lëshuar nga “QbitAI”, një platformë e shërbimeve të industrisë, që fokusohet në inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e fundit.

Lin Kaikai(Baidu)

Lin Kaikai(Baidu)

Ye Youyou(Baidu)

Ye Youyou(Baidu)

Kompanitë e tjera të teknologjisë janë hedhur gjithashtu në drejtimin virtual të orientuar drejt shoqëruesve.

 “Xiaoice” është një program komunikimi i fuqizuar nga inteligjenca artificiale, që duket se ripërcakton konceptet e romancës dhe marrëdhënieve mes të rinjve kinezë. Ajo ka ndihmuar në ngushëllimin e zemrave të vetmuara përmes më shumë se 17 milionë "të dashurve"  virtualë në Kinë, sipas “Xiaoice”, kompania që ka të njëjtin emër.

Kompania krijoi një aplikacion, që i lejon përdoruesit të krijojnë miqtë e tyre dhe të ndërveprojnë me personazhet virtualë, tha Li Di, CEO i “Xiaoice”.

"Shtimi i njerëzve digjitalë që shërbejnë si shoqërues emocionalë është rezultat i inovacionit teknologjik, siç është përmirësimi në pamje, funksione dhe përvoja ndërvepruese e njerëzve digjitalë, të nxitur nga kapacitetet e zgjeruara të të mësuarit të thellë bazuar në të dhënat masive të përdoruesve",- tha Chen Duan, drejtor i Qendrës së Zhvillimit të Inovacionit për Integrimin e Ekonomisë Digjitale në Universitetin Qendror të Financës dhe Ekonomisë.

Një sërë problemesh të reja janë shfaqur gjithashtu. Ato përfshijnë etikën, moralin, sigurinë e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë personale në industri, tha Chen, ndërsa bëri thirrje për përpjekje për të formuluar ligje dhe rregullore përkatëse mbi pronësinë e personazheve digjitale dhe standardizimin e sjelljeve të tyre.