Endri Fifo është këngëtar i njohur i muzikës popullore të trevës së jugut. Ai ka mbi katër dekada që interpreton pastër dhe bukur muzikën e mirëfilltë popullore duke përcjellë tek publiku me zërin e tij karakteristik emocione të veçanta. Gjithashtu Endri vijon aktivitetin e tij në fushën e arsimit duke edukuar breza të tërë nxënësish, por dhe duke iu mësuar vallen dhe këngën popullore. Ai ka marrë pjesë në disa prej festivaleve folklorike të Gjirokastrës që prej vitit 1978 si dhe në koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Endri Fifo
Endri Fifo gjatë një turneu në Rumani
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij muzikore dhe aktivitetet artistike.
CMG: Si e nisët rrugën e këngës popullore dhe a e keni trashëguar muzikën nga dikush tjetër në familje?
Endri Fifo: Në talentin tim ka ndikuar shumë familja si tek të gjithë këngëtarët. Babai im ka kënduar bukur dhe po ashtu nga ana e gjyshes time, ku në atë kohë kanë qenë disa burra që këndoni në konak, dhe unë i vogël i shikoja me vëmendje shumë të madhe dhe më janë fiksuar shumë këngë të bukura atje pas zjarrit ku këndonin ata. Kanë qenë këngë epike lirike të cilat zunë vend në zemrën time, pastaj fillova të avancoja vetë. Fillimisht mësova vallen devollite që është një nga perlat e shpirtit të devollinjëve. Kur hyra në shkollë mbaj mend që në klasën e katërt kam qenë në një festival të interpretuesve në Korçë dhe vazhdoi pastaj me shkollën e mesme ku u formua dhe ansambli i shkollës. Unë kam qenë themeluesi i atij ansambli, ku fillova të këndoj këngë popullore. Kur mbarova gjimnazin shkova në konkursin e këngëtarëve popullorë pranë shtëpisë qëndrore të krijimtarisë, ku kam pasur mësues Mentor Xhemalin, Ramiz Kovaçin, Luiza Papën që na jepnin kanton. Folklorin ma ka dhënë i madhi Ramadan Sokoli, kështu që u formova nga pjesa folklorike. Gjithashtu kam shkuar në Ansamblin e Ushtrisë, ku kam kryer dhe shërbimin ushtarak dhe ishte një shkollë e veçantë ku me njerëz të mëdhenj si Kujtim Laro, Gëzim Kaceli, dhe me këto artistë kam arritur ta profesionalizoj këngën, ta marr nga burimi tradicional siç ishte familja ime, dhe shkallë- shkallë nëpërmjet këtyre rrugëve të cilat i kam kaluar, dhe sot besoj se kam përfituar një formim modest.
Endri Fifo me ansamblin e shkollës
Endri Fifo me Dritëro Agollin dhe Sadije Agolli
CMG: Flasim për aktivitetet muzikore dhe sidomos festivalet folklorike të Gjirokastrës ku ju keni marrë pjesë në disa prej tyre.
Endri Fifo: Unë në vitin 1978 kam qenë në festivalin e Gjirokastrës me grupin e valleve të shkollës së mesme të Bilishtit dhe ishim grupi i të rinjve ku përfaqësonim Korçën. Në atë festival morëm dhe çmimin laurant i festivalit. Gjithashtu laurant kam qenë dhe në vitin 1988 në festivalion folklorik po në Gjirokastër, ku u prezantova me këngën që u këndohet trimave dhe vazhduan festivalet e tjera. Unë veç festivaleve në Gjirokastër, kam marrë pjesë dhe në festivalet e këngës qytetare ku kam kënduar dhe me këngëtaren e njohur të ansamblit të shtetit Fiqerete Kapaj, me muzikë të të madhit Agim Krajka dhe tekst të Vasil Dedes. Unë vazhdoj prapë të këndoj në festivale tipologjike dhe të isopolifonisë ku kam qenë në Gjirokastër, Vlorë, Fier, Lushnje, Gramsh dhe në çdo vend të Shqipërisë kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj në festa të ndryshme gjithmonë në folklor.
CMG: Keni shkuar dhe në aktivitete jashtë kufijve të Shqipërisë për koncerte dhe si jeni pritur nga publiku?
Endri Fifo: Veprimtaria ime e parë folklorike ndërkombëtare ka qenë në vitin 1987 me ansamblin Skënderbeu të Korçës, ku kam qenë bashkë me këngëtaren Afërdita Zonja në Stamboll të Turqisë. Në atë koncert merrnin pjesë 24 vende të botës dhe ne u pritëm me shumë sukses. Unë këndova këngën “Shqipëri o nëna ime”, dhe ishte festival shumë i bukur. Gjithashtu kam qenë në koncert në Francë me Ferdinand Dedën dhe Ermira Babaliun, ku me ansamblin Devolli kishim sukses. Kam qenë në Holandë me këtë ansambël sepse shumicën e veprimtarisë e kam me ansamblin Skënderbeu, dhe dua ta theksoj dy nga njerëzit që kanë qenë mbështetës të mi Pavllo Sholla dhe profesor Josif Minga që i uroj shëndet dhe suksese. Duke parë aftësitë e mia ata më kanë mbështetur. Kam qenë edhe në Greqi e Rumani, në festivalin ndërkombëtar të isopolifonisë, në Zagreb jemi pritur shumë mirë. Vitin e kaluar isha në Trikaze të Italisë ku bëhej një aktivitet muzikor dhe kishin ardhur nga të gjitha vendet e botës. Këngët popullore priten shumë mirë, por shumë efekt pozitiv dhe emocional kanë vallet shqiptare, ajo devollitshe, e Tropojës apo e Tiranës janë mahnitëse dhe nuk pushonte salla duke duartrokitur. Edhe polifonia ka shumë efekt në koncertet jashtë vendit. Unë kam qenë dhe me grupin “Jehona labe” të Vlorës në një festival studimor në Austri, dhe na kanë pritur shumë mirë. Ne kemi një folklor të mrekullueshëm të cilin duhet ta ruajmë dhe ta transmetojmë tek brezat.
Endri Fifo me kolektivin e mësuesve
Endri Fifo me kostum popullor
CMG: Ju përveçse e interpretoni mjeshtërisht këngën popullore, e vishni dhe me kostumin tradicional të zonës tuaj. Gjithmonë e përdorni veshjen popullore kur këndoni?
Endri Fifo: Unë e kam thënë dhe e them vazhdimisht që Devolli ka tre monumente, ka lumin Devoll që na jep emrin dhe dritën, ka Dritëro Agollin e madh, ka dhe kostumin e valles devollitshe. Devolli ka larmi kostumesh dhe vallesh. Treva e Korçës në çdo festival nuk shkon dot pa vallen e Devollit sepse ne kemi vallen dardare, kemi vallen e Isuf Arapit dhe devollitshen apo 25 gërshetat që është valle e Sinicës. Unë kostumin popullor e kam veshur që i vogël dhe vazhdoj ta mbaj, e kam personal dhe ndjej kënaqësi, të vetmen gjë që nuk ja dhuroj askujt dhe kujdesem për të sepse është një traditë dhe një magji e kostumit popullor.
CMG: Ju keni pasur një miqësi të ngushtë me Dritëro Agollin. Si u njohët me shkrimtarin e madh ?
Endri Fifo: Dritëroin unë e kam njohur me këngë dhe jam ndarë në momente kënge me të. Kur kam qenë në klasën e shtatë, Dritëroi atëhere kishte botuar poemën “Nënë Shqipëri”, që ne e bënim në shkollë dhe kur na thanë se në familjen tonë do të vijë Dritëroi, mua nuk më zinte gjumi deri sa ta shikoja. Ai erdhi bashkë me kompozitorin e madh Nikolla Zoraqin dhe bashkëshorten, Sadijen. Dritëroi ishte një fonotekë e gjallë e folklorit dhe këndonte këngë të Devollit, këngë të Tropojës dhe këngë labe. Ai ishte një njeri i gjithanshëm, dhe librin që më ka dhënë me dedikim “Këngët e gjyshërve të mi”, ku më tregonte mua që kjo këngë të shkon dhe kishte aq shumë kënaqësi sa kur këndonte ai, unë i mbaja këngën. Në të shumtën e rasteve që flisnim në telefon më thonte t’i këndoja disa këngë. Unë i kam bërë dhe një këngë Dritëroit, dhe ajo ka qenë gjë e bukur sepse kam shkuar te shtëpia e tij. Kur ja tregova këngën Dritëroit, ai filloi të mallëngjehej dhe u ngrit e më puthi duke më falenderuar. Para se Dritëroi të ndërronte jetë, është ngritur dhe më përcolli deri te shkallët me gjithë Sadijen dhe më tha: “Mbamë Endri, se rashë nga shkallët. Malli më ka marrë të të puth në ballë. Edhe po rashë do të thyej qafën, në jastëk për mua do të qash tërë natën”.
Endri Fifo me shkrimtarin Dritero Agolli
Endri Fifo me vajzat e ansamblit te shkollës
Pra kjo ishte një këngë lirike që ai e këndonte, dhe u përqafuam. Kjo ishte ndarja e fundit sepse pas tre muajve ai vdiq. Ai ishte vërtetë njeri madhështor dhe i donte devollinjtë dhe artistët.
CMG: Endri ju keni dhënë një kontribut të çmuar dhe në fushën e mësimdhënies, ku vijoni akoma ta jepni këtë kontribut. Si ka qenë rrugëtimi juaj në fushën e arsimit?
Endri Fifo: Unë jam diplomuar në Universitetin e Elbasanit në degën e gjuhë letërsisë dhe pasi punova 7 vjet drejtor kulture në zonën e Devollit, hyra në arsim dhe po bëj 32 vjet që punoj në këtë fushë. Kam qenë dhe vazhdoj të jem drejtor shkolle dhe arsimi nga pasion tani është kthyer në mision. Unë ndjej kënaqësi shumë të madhe shpirtërore kur takohem me nxënës dhe ish nxënësit e mi, kur i shikoj që ecin në rrugët e dijes duke marrë grada shkencore, janë bërë prindër, janë bërë njerëz të suksesshëm, aq më shumë dhe me kolegët e mi ndjej një kënaqësi shumë të madhe. Arsimi është një pjesë e jetës time dhe unë nuk e ndaj dot tani, vazhdoj të jem dhe t’u përcjell përveç kurrikulave mësimore, mundohem të jap dhe një kontribut të madh në transmetimin e vlerave folklorike. Unë kam ngritur ansamblin e këngëve dhe valleve në shkollë, ku çdo klasë ka grup që kërcen devolitshen dhe valle të ndryshme shqiptare, ku çdo të mërkurë ansambli mblidhet për të bërë prova për vallet dhe këngët. Në mbyllje të vitit shkollor ne realizuam himnin e shkollës, dhe janë të pakta shkollat që kanë himne. Këtë e bëri një mësues i muzikës, ndërsa tekstin e bëra vetë dhe e orkestroi mjeshtri Ardian Jorgji. Fëmijët e kanë shumë me qejf vallen dhe këngët popullore dhe për këtë vit kam një opsion tjetër që të bëj një kor akapela me fëmijët me disa këngë të njohura të krahinave të ndryshme. Kjo është një gjë e bukur sepse dhe ne ndjejmë atë kënaqësinë tonë të madhe duke lënë diçka në trashëgimi. Ky është një hap i madh sepse është edukimi nëpërmjet folklorit për të cilën kemi shumë nevojë që ti drejtojmë fëmijët drejt asaj që na kanë lënë të parët, drejt trashëgimisë kulturore.
CMG: Si jeni ndjerë me vlerësimet që keni marrë gjatë karrierës artistike?
Endri Fifo
Endri Fifo; Unë kam marrë disa vlerësime, ku dy herë kam qeën laurant, kam marë çmmim “Mentor Xhemali”, për qarkun e Korçës nga Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve, si dhe çmimin “Tefta Tashko Koço”. Gjithashtu jam vlerësuar si ambasador i folklorit për transmetimin e vlerave, nga një organizatë me qendër në Zvicër. Jam vlerësuar dhe si ambasador i paqes dhe krenaria e Shoqatës Devolli. Në fund të fundit vlerësimet janë një copë karton që vendoset në mur, kurse kënga mbetet. Unë jam shumë i kënaqur që kam lënë këngë, të cilat këndohen dhe kujtohen me dashuri nga njerëzit.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Endri Fifo: Unë i uroj shëndet dhe lumturi gjithë popullit shqiptar, kudo që janë. Përshëndes devollinjtë e dashur dhe të shtrenjtë, duke ju uruar suksese dhe mbarësi në jetë.
Intervistoi: Gazmend Agaj