Rama: Jemi gati për të hapur negociatat me BE-në por jo për t'u bërë pjesë
2022-08-27 11:25:03

Kryeministri shqiptar Edi Rama(Foto:VCG)

Kryeministri shqiptar Edi Rama(Foto:VCG)

Gjatë konferencës për shtyp në Tiranë me me homologun e Luksemburgut kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama i është përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me integrimin në BE. Rama tha se Shqipëria nuk është ende gati, pasi sipas tij duhet së pari të përmbushen të gjitha detyrat. Po ashtu, Rama theksoi se edhe ukrainasit nuk duhet ta marrin statusin e vendin kandidat si futje në BE, pasi ky proces theksoi Kryeministri, do të kërkojë shumë kohë.

“Kur ne i kishim bërë detyrat dhe merrnim refuzim pas refuzimi, ne i meritojmë çeljen e negociatave. Jemi gati për të hapur negociata por jo për t'u bërë pjesë. Për veten tonë se është proces që do na ndihmojë jashtëzakonisht. Pastaj të jemi pjesë e familjes evropiane si shtet anëtar.

Ne nuk kemi arsye të kërkojmë përshpejtim artificial për shkak të luftës në Ukrainë. Edhe në Kiev e thashë që uroj që ukrainasit statusin e kandidatit të mos e marrin si futje në BE, se do zhgënjehen, sepse do kërkojë kohë të gjatë edhe për Ukrainën. Por mendoj që për shkak të kësaj situate duhet bashkërisht të përshpejtojmë procesin e përafrimit politik mes vendeve që negociojnë jo anëtarë dhe anëtare në aspektin e Komunitetit të ri politik.

Thellim të procesit të evropianizimit të të gjithëve së bashku. Ne kemi idetë tona. Po punojmë edhe me qeverinë holandeze për një propozim të përbashkët si mund të bëhet ky thellim. Këtë proces mund ta përshpejtojmë. Por anëtarësimin s’mund ta përshpejtojmë dhe këtu s’mund t’i kërkojmë asgjë askujt. Ne duhet të bëjmë detyrat tona, për veten tonë, jo për Evropën. Tani ne nuk jemi gati, kur të përmbushim detyrat do themi jemi gati”, tha Rama.