Historitë e qytezave kineze
2022-08-26 13:39:48

 

Më 23 janar 2020, një punonjës dyqani po mbledh çadrën në qytezën Xuven të qytetit Zhanjiang të Kinës Jugore./ Chen Liang - 163.com

 Para dyzet vitesh, në vitet '80 të shekullit të kaluar, sociologu i famshëm kinez Fei Xiaotong shpallte mendimin se qyteza është një subjekt shoqëror midis qytetit dhe fshatit dhe duhet të nxitë zhvillimin e qytezave kineze përmes industrializimit në fshat dhe ndërmarrjeve të qytezave dhe të lokaliteteve. Asokohe dualizmi mes qytetit dhe fshatit në shoqërinë kineze ishte në thyerje e sipër. Sipas këtij sociologu, përfaqësuesit e zhvillimit të qytezave kineze ishin modeli i Jugut të provincës Jiangsu, që u zhvillua duke u mbështetur te qytetet e mëdha fiqinje, apo modeli i Wenzhou-ut me ekonominë private në thelb si dhe ai i deltës së Lumit Perlë me tregtinë e jashtme, falë fqinjësisë me Hong-Kongun. Atëherë studimi mbi qytezat kineze ishte ende në fazën fillestare, ndërsa ato evropiane ishin me famë botërore.

Mbi dhjetë vite më vonë, në fillim të vitit 2000, gjatë një vëzhgimi në terren, sociologu kinez Wu Yi zbuloi se kuadrot në qyteza e lokalitete po i kushtonin rëndësi të veçantë rolit të tërheqjes së investimeve për zhvillimin lokal. Në librin e tij “Zhurmat në qyteza”, Wu citoi fjalët e një kuadroje qyteze: “Dëshirojmë të tërheqim banorë të jashtëm dhe fshatarë të banojnë në qytezën tonë, përmes përmirësimit të qeverisjes dhe zbukurimit të qytezës. Por tani për tani një dëshirë e tillë kufizohet, sepse fshatarët s’kanë punë në qytezë dhe nuk mund të qëndrojnë gjatë. Vetëm ndërmarrjet do të krijojnë vende pune dhe pastaj, edhe qytezën.”

LIbri “Zhurmat në qyteza”

Shitja dhe dhënia me qira e tokave ishte mënyra kryesore e zhvillimit dhe tranzicionit të qytezave pranë qyteteve të mëdha, dhe për këtë kuadrot e qytezave u angazhuan shumë. Por për të frenuar humbjen e tokave bujqësore qeveria qendrore mori masa të rrepta, duke kontrolluar seriozisht shfrytëzimin e tyre jo për qëllime bujqësore. Gjatë vëzhgimit në qyteza, Wu Yi shikoi se sa i ndërlikuar ishte procesi gjatë zhvillimit të qytezave. Ai shkroi në libër: “Zhvillimi i qytezave dhe thithja e investimeve atje nuk janë thjesht veprime ekonomike, por edhe veprime politike e shoqërore dhe ndërveprim e rivalitet midis qeverisë, fshatit dhe fshatarëve.” Gjatë një periudhe të gjatë qytezat kishin luajtur një rol kalimtar mes qytetit dhe fshatit. Qytetet e zhvilluara me popullsi të dendur janë të pasura si nga konsumi material ashtu dhe ai shpirtëror, duke gjeneruar burime dhe pasuri. Ndërsa në zonat rurale, bujqësia zinte ende vendin kryesor dhe arsimimi, novacioni dhe zhvillimi industrial, ishin të prapambetura.

Mes qytetit dhe fshatit, u gjendën qytezat zhurmëplota. Qytetarët dhe fshatarët u mblodhën atje për banim, duke kërkuar të pasurohen përmes punës. Para njëzet vitesh kinezët zbuluan forcën tërheqëse të qytezave nga këndvështrimi kulturor dhe ai turistik. Qyteza Hongcun pranë malit Huangshan në provincën Anhui të Kinës Jugore njihet për shtëpitë e lashta afro njëmijëvjeçare. Qyteza Nanxun pranë qytetit Huzhou të Kinës Lindore është e famshme si vendlindja e disa dijetarëve të njohur. Qyteza Zhouzhuang pranë Shangait titullohet si “vendi nr.1 me ujë në Kinë”. Ndërsa qyteza Shuhe, konsiderohet si “shembulli i gjallë e kalimit nga qytetërimi bujqësor në kulturën komerciale”.

Në krahasim me qytetet e ngjeshura dhe zhurmëmëdha, qytezat janë të qeta, por nuk janë aq të largëta. Pra, kur hapësirat në qytet janë të mbushura, qytezat bëhen vendi i ri për ngjizjen e pasurive dhe etjeve. Sot qytezat kineze janë më të lulëzuar dhe me karakteristika më të larmishme. Qyteza Changan pranë qytetit Dongguan të provincës Guangdong të Kinës Jugore quhet tani “qyteza e smartfonëve”. Në këtë zonë kalimtare midis qytetit dhe natyrës, dislokohen mijëra ndërmarrje që merren me celularët e zgjuar, përfshirë hallka si dizenjim, kërkim-zhvillim, prodhim, marketing, biznes elektronik, softuerë etj. Vëllimi i prodhimit i kaloi 200 miliardë juanë. Qyteza Datang në qytetin Shaoxing të provincës Zhejiang të Kinës Lindore është tjetër përfaqësuese e pasurisë së re. Mbi 500 ndërmarrje u vendosën atje duke i çuar 4.3 miliardë juanë investimet, krijuar mbi 20 mijë vende pune dhe dhënë 330 milionë juanë taksa. Edhe qyteza e ëndrrës është rast i shpeshpërmendur. Shumë njerëz shkuan atje për sipërmarrjen në bazë të internetit dhe për fonde investimesh, falë lehtësive për sipërmarrjen, si kostoja e ulët, shërbimet e përsosura, mjedisi i hapur etj.

Qyteza Uzhen/ foto nga Acan-163.com

Historitë e pasurive nga qytezat kineze kanë tejkaluar kufirin e Kinës. Qyteza Lianzi pranë qytetit Xingtai të provincës Hebei të Kinës veriore është bërë baza nr. 1 e makaronave të shpejta në botë. Qyteza Huangqiao pranë qytetit Taixing të provincës Jiangsu të Kinës Lindore filloi të merrej me prodhimin e violinave qysh nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar, ndërsa sot violinat e prodhuara atje zënë 70 për qind të tregut kinez dhe 30 për qind të tregut botëror. Qyteza e transmetimit të drejtpërdrejtë në internet, qyteza e biznesit elektronik, qyteza e internetit, qyteza e mirëmbajtjes së shëndetit, qyteza ekologjike, qyteta e operës, qyteza e filmave...

Historitë rreth qytezave kineze, që dikur gjendeshin mes qytetit dhe fshatit, sot kanë më shumë versione, falë zvogëlimit të hendekut, përparimit teknologjik, plotësimit të informacionit dhe politikave përkrahëse. Këto histori kanë të bëjnë me pasuri, me etje, por edhe me ideal dhe prehje shpirtërore. (Wang Lei/ Edmond Laçi)