Tirana në festë me Sunny Hill Festival
2022-08-26 11:54:26

Hap siparin e tij për herë të parë në Tiranë, Sunny Hill Festival Tirana 2022. Koncerti madhështor zhvillohet në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, ku për tre netë me rradhë do të ngjiten në skenë yje të muzikës botërore, të ftuar nga këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, por edhe shumë artistë shqiptarë.

Sunny Hill Festival Prishtine 2022 (Foto nga Instagram)

Ky konsiderohet si  aktiviteti më i madh kulturor në vitin që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Këtë vit stafi i “Sunny Hill Festival” pas Prishtinës, u transferua për herë të parë në Tiranë, i cili nis më 26,  27 dhe 28 gusht 2022. Festivali zhvillohet në hapësirën nga Fari dhe fusha e kalçetos, që është përballë pjesës së vjetër të liqenit.

Në skenën e Tiranës  do të ngjiten rreth 40 artistë ndër të cilët, reperi i famshëm italian mjaft i pëlqyer edhe në Shqipëri, Fedez, këngëtarët e dashur për publikun shqiptar Dren Abazi dhe Elgit Doda, këngëtarja kosovare Dafina Zeqiri, DJ Regard, Dj Merk & Kremont, DJ Drop G dhe Tananai, gjithashtu pas rikthimit të tij masiv në Ultra Music Festival, DJ-i rekord në botë Hardwell do të luajë pjesët e tij kryesore në Festivalin Sunny Hill, Stormzy, etj. Shumë surpriza pritet që të ndodhin në këto tre netë të festivalit.

Fati Gjakova Organizator i Sunny Hill Festival (Foto nga Instagram)

Fati Gjakova, një ndër organizatorët e këtij festivali ka treguar për mediat shqiptare disa nga rregullat e festivalit: “Prej ditës së parë kur të gjithë personat hyjnë në festival bëhet kontrolli, ditët e tjera nuk ka nevojë që të bëhet procedura e njëjtë. Të gjithë artistët që do të performojnë në Tiranë janë zbuluar, është DJ Regard që ka marrë vëmendjen e gjithë botës, Fedez, e shumë artistë të tjerë lokal dhe internacional”. 

Sa i përket shitjes së biletave ai shprehet se ka interesim shumë të madh.

“Nga ekipi i shitjes së biletave se pak bileta kanë mbetur pa shitur, por ka interesim të madh jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera si Italia, Greqia, Maqedonia, Kosova. Mund të vizitoni Sunny Hill Tirana në website dhe aty mund të merrni të gjitha informacionet. Gjithashtu për ata që nuk janë pajisur me një biletë, mund të gjejnë në pikat e Union Net si dhe në Shesh”.

Më tej Fati Gjakova shtoi sa i përket personave që duan të konsumojnë ushqime në Sunny Hill Festival, se nuk do mund të blejnë me lek kesh, por nëpërmjet një aplikacioni, ai shtoi. “Të gjithë ata që kanë blerë bileta e një kod me emrin dhe mbiemrin e tyre, të vijnë tek pika e festivalit, të marrin kodin, gjithashtu duhet të shkarkohet një aplikacion Sunny Hill Festival dhe bileta e tyre bëhet e  vlefshme, gjithashtu dhe kuleta e tyre në festival. Kështu që në festival nuk paguhet me kesh, por mbushet aplikacioni nëpërmjet bankës në pikat që janë vendosur në festival për të mbushur dhe pagesat nëpërmjet aplikacionit në telefon” përfundon organizatori i Sunny Hill Festival Fati Gjakova.

Edicioni i parë i “Sunny Hill” është mbajtur në vitin  2018 në Prishtinë, I dyti në 2019, duke u bërë destinacioni i një ngjarjeje të madhe kulturore. Ndërsa në vitin 2020 u  anulua për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Këtë vit u zhvillua edicioni i tretë i Sunny Hill Festival në Prishtinë në 4, 5, 6 dhe 7 gusht, ku këngëtarja Dua Lipa nisi performancën e saj para publikut pas mesnatës. E shoqëruar nga publiku, Dua Lipa këndoi disa prej këngëve të saj dhe "New Rules" ishte një prej këngëve që ndezi më së shumti atmosferën. Me mijëra adhurues të muzikës u mblodhën në Parkun Nacional të Gërmisë për të shijuar performancën e Dua Lipës dhe artistëve të ndryshëm. Ndërsa në Tiranë Sunny Hill Festival, po zhvillohet për herë të parë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Përgatiti: Sava Lena