Ushtria kineze ndjek Nismën e Sigurisë Globale dhe paqen botërore
2022-08-26 11:55:48

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare tha të enjten se ushtria kineze do të vazhdojë të ndjekë me vendosmëri Nismën e Sigurisë Globale, duke promovuar zhvillimin inovativ të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar dhe duke dhënë ndihmesë për qëndrueshmërinë globale.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare Tan Kefei i tha këto gjatë një konference të rregullt shtypi kur u pyet në lidhje me fjalimet e këshilltarit të Shtetit dhe ministrit kinez të Mbrojtjes Wei Fenghe në mbledhjet e fundit.

Gjatë Konferencës së 10-të për Sigurinë Ndërkombëtare të Moskës më 16 gusht dhe Mbledhjes së 19-të të Këshillit të Ministrave të Mbrojtjes të Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) të mërkurën, Wei mbajti videofjalime në lidhje me promovimin e Nismës së Sigurisë Globale të propozuar nga presidenti kinez Xi Jinping, duke theksuar se Kina do të ndajë interesat e përbashkët dhe do të përpiqet ta nxitë këtë nismë, për të krijuar një të ardhme më të sigurt dhe më paqësore, tha Tan.

Zëdhënësi shtoi se ushtria kineze i kushton rëndësi të madhe dialogut shumëpalësh të sigurisë. Duke marrë pjesë në mënyrë aktive në dialogë si ai i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe Forumi Rajonal i ASEAN-it, Kina ofron këshilla konstruktive për rritjen e bashkëpunimit rajonal të mbrojtjes. Veprime si krijimi i Forumit "Xiangshan" të Pekinit u mundësojnë delegacioneve ndërkombëtare të diskutojnë mënyrat e trajtimit të kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë rajonale, tha Tan, duke shtuar se Kina luan rol aktiv në nxitjen e dialogut të sigurisë të Azi-Paqësorit dhe të bashkëpunimit e besimit të ndërsjellë.

Presidenti Xi propozoi Nismën e Sigurisë Globale për të promovuar sigurinë për të gjithë në videofjalimin e tij kryesor të mbajtur në ceremoninë e hapjes së Konferencës Vjetore të Forumit të Boaos për Azinë për vitin 2022 në prill, duke synuar të ofrojë ide të sigurisë gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese e të qëndrueshme për të dhënë një drejtim i ri në çrrënjosjen e konflikteve ndërkombëtare dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme. (Artan)