Kur 10-vjeçari Zhang Han vizitoi Muzeun Liangzhu, në Hangzhou, kryeqendra e provincës Zhejiang të Kinës lindore, vuri një palë syze të realitetit të shtuar (AR), duke nisur një turne që e ktheu atë më shumë se 5000 vjet më parë.
Një vizitues me syze të realitetit të shtuar (AR) në Muzeun Liangzhu, në Hangzhou, kryeqendra e provincës Zhejiang të Kinës lindore/ VCG
Muzeu shfaq objekte të ndryshme varrimi që gjenden në rrënojat arkeologjike të qytetit Liangzhu, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Rrënojat kanë fituar njohjen mbarëbotërore si dëshmi e ekzistencës së të paktën 5000 viteve të qytetërimit kinez.
Përmes syzeve inteligjente, Zhang u prezantua me imazhe virtuale të relikteve si dhe informacione të lidhura me kohën përkatëse, si mënyra e përdorimit të tyre, funksionet dhe rëndësia kulturore.
“Është një udhëtim kaq i mrekullueshëm. Gjithçka duket si reale”,- tha Zhang, nga komuna Tianjin e Kinës veriore.
Syzet AR janë ndër një sërë masash të marra nga muzeu për t'u dhënë vizitorëve një përvojë më të gjallë dhe të menjëhershme të qytetërimit Liangzhu, duke i ndihmuar ata të fitojnë një vlerësim më të mirë të kulturës kineze.
Turistët mund të vizitojnë gjithashtu faqen zyrtare të Muzeut Liangzhu për të shijuar një turne virtual përmes fotografive me definicion të lartë dhe realitetit virtual. Me një klikim të mausit, ata mund të kenë akses në sallat e ekspozitës që nuk mund t'i vizitojnë kurrë fizikisht. Teknologjitë e avancuara po luajnë gjithnjë e më shumë një rol të madh në muzetë kinezë.
“Shumë kohë përpara ekspozitës digjitale të relikteve kulturore, teknologjia digjitale u përdor gjerësisht në kërkimin arkeologjik dhe mbrojtjen e trashëgimisë”,- tha Ma Dongfeng, drejtor ekzekutiv i Muzeut Liangzhu.
Një qendër e madhe e monitorimit të të dhënave është ngritur për të ruajtur më mirë rrënojat e Liangzhu pranë muzeut. Ai monitoron nga afër temperaturën, lagështinë dhe fluksin turistik. Sipas Ma, nëse të dhënat nga vende të caktuara tejkalojnë kufijtë, nis menjëherë përgjigjja emergjente.
Shpella nr.57 e Mogao-s e rindërtuar me teknologjinë 3D/ VCG
Në qytetin veriperëndimor kinez Dunhuang, i cili njihet për sitin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s Shpellat Mogao, është përdorur gjerësisht digjitalizimi. Deri në fund të vitit 2021, ishte përfunduar koleksioni digjital i 268 shpellave, përpunimi i imazhit të 164 shpellave dhe rindërtimi 3D i 45 skulpturave të pikturuara, 146 shpellave dhe shtatë zonave të mëdha të vjetra.
Mbrojtja dhe rijetësimi i kulturës antike të Dunhuang-ut nuk është një rast i izoluar në Kinë. Shpellat Yungang në provincën Shanxi gjithashtu kanë arkiva digjitale 3D, të cilat lejojnë që reliktet e çmuara kulturore dhe arkivat historike të ruhen përgjithmonë.
Shpella nr.6 e Yungang-ut e rindërtuar me teknologjinë 3D/ VCG
“Teknologjia digjitale na mundëson të regjistrojmë dhe ruajmë më mirë reliktet kulturore, të cilat janë thesare të parinovueshme. Është një mjet efektiv për ne që të realizojmë qëllimin tonë kryesor, ruajtjen e trashëgimisë dhe përhapjen e njohurive historike dhe kulturore”,- tha Ma.
Sipas tij, Muzeu Liangzhu synon të përmirësojë më tej platformat e tij digjitale dhe pritet të eksplorojë më shumë burime për të treguar më mirë historinë e qytetërimit kinez.