“Festa e Birrës” kulmoi sërish sezonin turistik të Bashkisë së Korçës, duke u cilësuar si një prej festave më të mëdha në vend. Birra Korça, u vendos këtë vit edhe më tepër në qendër të vëmendjes, bën të ditur drejtoresha e Turizmit pranë Bashkisë së Korçës, Sofjola Kotelli. Sipas saj, “Birra Korça” mund të quhet mbretëresha e festës së birrës, pasi ka edhe numrin më të madh të stendave ku u ofrua birrë për qytetarët, të cilët festuan deri në orët e para të mëngjesit për 4 netë rresht.
Festa e Birres (Foto facebook)
Për 4 vjet, “Festa e Birrës” ka promovuar vlera të vërteta për turizmin, jo vetëm për qytetin, por për gjithë rajonin e Korçës. Në këtë festë të traditës nuk ka se si të mungojë birra e traditës, siç është birra ‘Korça'”, u shpreh Kotelli. Prej edicionit të parë e deri në edicionin e katërt, birra “Korça” është konsumuar gjithnjë e më tepër. Numri i gotave të pira me këtë birrë ka kaluar në mbi 100 mijë, duke konfirmuar edhe njëherë suksesin e saj, e cila ka konkurruar denjësisht mes gjithë birrave të tjera.
Bashkia e Korçës për këtë vit ka shpenzuar vetëm 6 milionë lekë për organizimin e “Festës së Birrës”. Ndërkohë, duket se mbështetjen kryesore në organizimin e kësaj feste e sjellin bizneset pjesëmarrëse, të cilat janë edhe financueset më të mëdha për këtë edicion.
Edhe deputeti i qarkut të Korçës, Ardit Konomi e sheh këtë festë si një katalizator të mirë për zhvillimin e turizmit. “Festa e Birrës” sipas tij, është festa e të gjithë shqiptarëve.
Nga ana tjetër, Larisa Katundi, drejtore e marrëdhënieve me publikun pranë Bashkisë Korçë shprehet se kjo festë nga viti në vit vjen me risi, të cilat dukshëm shfaqen në aspektin kulturor, por edhe ekonomik.
CMG: Si e kujtoni Korçën e disa viteve më parë krahasuar me Korçën sot?
Ardit Konomi: 2007-ta është pika fillestare e ndryshimeve tepër të mëdha.
Korça që pas menaxhimit të ri që mori bashkia në këtë vit, fitoi një dinamikë tërësisht të re. Deri në atë vit asnjë nga këto potenciale nuk kishte marrë vëmendjen e duhur. Festat ishin hapi i parë që bëri bashkia në atë periudhë, e bëri këtë për t’i riorientuar njerëzit drejt turizmit. Pjesa më e madhe e korçarëve, por edhe qytetarëve të tjerë kanë arritur të shohin se sa ndryshime ka pësuar ky qytet në aspektin kulturor dhe ekonomik. Jemi një qytet i cili lakmohet haptazi për mirëqenien që ofron.
Festa e Birres (Foto facebook)
Ardit Konomi: E bukura e kësaj feste është që nuk i tregon sfidat që kalohen për të arritur deri aty. Ne të gjithë punojmë fort nga pas që kjo feste të jetë perfekte deri në detaj. Andaj, unë mund të them që deri në ditën e fundit për këtë festë vijon të punohet dhe të mbahet gjallë ritmi për të nxjerrë në dritë një aktivitet kaq të madh. Kjo është një festë që e ka treguar suksesin. Ky ka qenë guri i parë i themelit për t’i dhënë panoramë turistike. Ajo që dëshmojmë është se për këtë event bëhet një punë shumë e madhe.
CMG: Kjo festë është një katalizator për turizmin. Çfarë ndodh me hotelet dhe bujtinat ? A ka Korça kaq shumë kapacitete akomoduese ?
Ardit Konomi: Korça nuk ofron thjesht një festë, është shumë më tepër se kaq. Të gjitha hotelet janë të zëna dhe bujtinat deri në Pogradec madje. Kjo festë është një e mirë e përgjithshme sepse nxitet edhe ekonomia. Nëse flasim për birrën ajo rritet zinxhir bashkë me hotelet etj.Pra, është një zinxhir, i cili zhvillohet nëpërmjet kësaj feste.
CMG: Sidoqoftë në Korçë ka dhe elementë që duhet të ndiqen për t’u përmirësuar?
Ardit Konomi: Është pjesë e zhvillimit edhe përmirësimi. Ndaj, patjetër që Korça ka tepër elemente, të cilët sipas meje duhet të përmirësohen.
Aktualisht jemi duke punuar për disa plane në lidhje me këtë, po përpiqem të bashkerendoj disa faktorë që kryesohet me fokusin e turizmit. Duam të fusim në punë resurset të cilat janë të shumta, mjafton thjesht t’i vendosim në punë.
Ne duam që mos prekim mjedisin, por të punojmë për menaxhimin e tyre.
CMG: A ka marrë Korça një rigjenerim që pas restaurimit të pazarit të saj?
Ardit Konomi: Pazari i Korçës doli në pah si një atraksion, por në fakt ai vend ashtu ka qenë përherë. E rëndësishme për ne ishte që të restaurohej dhe të merrte një pamje tjetër më të pastër. Sot pazari i Korçës është destinacion i pashmangshëm për këdo që e viziton këtë qytet dhe vendos të kalojë pushimet në Korçë.
Kjo festë prej shumë vitesh është menaxhuar nga një grup i madh njerëzish, të cilët karakterizohen nga vullneti për punë dhe për të bërë gjera te bukura.
Një nga këta njerëz është edhe Larisa Katundi, që e kemi parë edhe në moderimin e “Festës së Birrës” dhe në tërë organizmin e kësaj feste të madhe.
Larisa Katundi( Foto Facebook)
CMG: Larisa, a rritet kjo festë nga viti në vit më risi të ndryshme?
Larisa Katundi: Po! Këtë vit ishim 3 skena për t’i ofruar dëgjuesit shumëllojshmëri shijesh në përzgjedhjen e muzikës. Më pas kishte dhe një after party tek "Markata a shijes" një destinacion, që duhet promovuar shumë. Korça është qyteti i të gjitha stinëve e sigurisht që do të vinte kështu edhe në këtë sezon.
Nuk është e vërtetë që të gjithë njerëzit zgjedhin bregun e detit në gusht sepse e kemi parë prej vitesh tashmë që në gusht të gjitha rrugët të dërgojnë në Korçë.
Mund të flasim për më shumë se 100 mije vizitorë në këtë festë. Nga viti në vit numri i vizitorëve rritet njësoj me numrin e bujtinave dhe hoteleve. Me këtë festë dhe jo vetëm, turizmi ka marrë gjallëri.
Intervistoi: Megi Latifi