Qeveria shqiptare ka sjellë sërish për diskutim projektligjin për amnistinë fiskale, drafti vjen me disa ndryshime, duke zgjeruar përfshirjen te çdo shtetas shqiptar, që jeton brenda ose jashtë vendit. Për Grupin Mediatik të Kinës eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli tregon qasjen që synohet të arrihet lidhur me këtë amnisti fiskale.
Foto:VCG
CMG: Çfarë ja sjellë ky projektligj i ri i cili është kundërshtuar nga bizneset?
Fatos Çoçoli: Po e vërtetë është kundërshtuar dhe madje disa shoqata janë shprehur se kjo nismë nuk na duhet. Në këtë periudhë të vështirë që po kalon ekonomia botërore dhe e jona, amnistia është një mjet për të gjeneruar para dhe është mirë sepse në momentin kur bizneset kanë para të lira do t’i kenë brenda bilanceve, mund të kërkojnë kredi më shumë. Ka dhe të mira, por njëkohësisht ka edhe rreziqe.
CMG: Si do të funksionojë dhe a do të ketë pasoja penale?
Fatos Çoçoli: Po është një amnisti e gjerë fiskale, por edhe penale. Do të falen dhe në nivel të atyre që nuk kanë deklaruar të ardhura në sy të shtetit. Për arsye se këto veprime devijimi, shmangia fiskale konsiderohet dhe në nivel të penalitetit të tyre, ndaj ajo është edhe amnisti penale. Këtu qëndron dhe pasiguria e bizneseve, disa me të drejtë shprehen se kanë qenë të rregullt, ndërkohë që dikush ka punuar në të zezë, papritmas vjen dhe falet.
Ka shumë kundërshti të tilla, flitet ndërkohë që biznesi paguan një sasi të caktuar taksash, taksa e amnistisë është e ulët, sepse është nga 7-10%, 7 % për të gjitha kompanitë, individët, të cilat deklarojnë se kanë para të pa regjistuara më parë, në rast se i bëjnë brenda 4 muajve të parë niveli i taksës është 7%, ndërsa në 5 muajt e tjerë 10%. Biznesi me të drejtë ankohet se këto janë shifra shumë të ulta, duke qenë se kanë paguar taksa ndaj shtetit 20-25%.
Foto:VCG
CMG: Sa është numri bizneseve dhe individëve që kanë pasuri të padeklaruara?
Fatos Çoçoli: Mendoj se është i gjerë, por nuk mund të themi një numër fiks, sepse gjithmonë ekonomia gri nuk ka shifra të sakta, por shikohet në mënyrë të tërthortë.
Nga studimet e Bankës Botërore dhe FMN-së mendohet se niveli i informalitetit dhe kompanive që janë jashtë tatimeve të fiskut shqiptarë është në nivel të lartë 30 - 35%. Nëse mendojmë se të paktën gjysma e tyre kanë kryer njëkohësisht të regjisturar, edhe evazion fiskal bëhet fjalë për mijëra biznese. Është mirë që të ndodhi njëherë në 100 vjet, por jo gjithmonë duhen mësuar bizneset me falje, sepse kjo nuk është e mirë për ekonominë tonë dhe moralin e të bërit biznes.
CMG: Si funksionon amnistia në vendet e tjera, krahasuar me vendin tonë?
Fatos Çoçoli: Kemi vende fqinje që e kanë kryer, Italia mbi shtatë herë, atje ka funksionuar, sepse ka dy arsye shteti italian ka parë të tërheqë para të emigracionit të tij. Disa nga këto amnisti kanë qenë të suksesshme sepse shteti italian ka bërë marrëveshje me shtete si Gjermania, në mënyrë që emigrantët italianë të mos tatoheshin apo të kalonin në çeshtje penale. Këto marrëveshje janë të domosdoshme dhe për emigrantët tanë. Në momentin e realizimit të amnistisë të njoftohen se me shtete të caktuara ne kemi një marrëveshje.
Foto:VCG
CMG: Nëse ndalemi në njërin nga këto vende, cilin mund ta konsiderojmë si rast suksesi dhe shembull ideal?
Fatos Çoçoli: Mendoj se më mirë e ka realizuar Italia, pra ka bërë një mbrojtje të plotë të emigrantëve dhe qytetarëve të saj. Gjithkush që i afrohej shtetit italian dhe nënshkruante deklaratën ka qenë anonim, sepse menjëherë kur bëhet publik të tjerët druhen, duke u futur pastaj edhe taksa morale në mes. Konfidencialiteti duhet të ruhet në mënyrë të plotë dhe mendoj se shembulli italian është i duhuri.
CMG: Sa do të ruhet në vendin tonë fshehtësia e emrave?
Fatos Çoçoli: Është kusht kryesor, sepse në momentin që del qoftë një emër i vetëm menjëherë mosbesimi në rradhët e sipërmarrësve do të jetë shumë i madh. Ka shumë prej tyre që për një arsye ose tjetër kanë pasuri të padeklaruara dhe nëse emri i dikujt del, amnistia dështon sepse nuk do të guxojnë të afrohen për deklarime vullnetare.
CMG: Si ndikon në ekonominë e vendit dhe buxhetin e shtetit ky projektligj?
Fatos Çoçoli: Buxheti i shtetit siguron të ardhura, pra nëse shikojmë në Itali apo Greqi kanë qenë me miliarda euro që buxhetet e këtyre shteteve kanë arkëtuar. Mendoj se në vendin tonë nëse kjo amnisti nuk dështon, do të jetë në nivelet e disa dhjetëra milion eurove, po të kemi një përqindje të sipërmarrësve që i besojnë proçesit dhe aplikojnë. Është në të mirën e vendit që kjo para, e cila qëndron e fshehur, të futet në qarkullim.
Foto:VCG
CMG: Të gjitha pasuritë që do të legalizohen duhet të qëndrojnë për të paktën pesë vjet në territorin shqiptar, në të kundërt çfarë ndodh?
Fatos Çoçoli: Është një kërkesë, duke parë dhe nga dështimi i amnistisë së parë në 2011, rezultoi në 24 milionë euro të cilat kaluan menjëherë jashtë kufijve. Tani do të duhet të qëndrojë për pesë vite dhe duhet të investohet këtu.
CMG: Sipas jush, sa e suksesshme do të jetë kjo amnisti fiskale?
Fatos Çoçoli: Do të varet shumë nga sa besim do të ketë në të nga komuniteti i biznesit. Kryesore është që ata ta besojnë, sepse janë sipërmarrësit aktorët kryesorë të amnistisë. Strukturat përgjegjëse duhet të flasin sa më shumë dhe të shkojnë pranë biznesit, sepse tek e fundit është e mirë të zhvillohet një herë në 100 vjet. Sa më shumë të takohen përpara se projketligji të bëhet ligj dhe të fillojë zbatimi, aq më mirë është për të dyja palët.