Një aktivitet i organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit solli në qytetin bregdetar Festivalin Veror të Librit “Një det me libra”.
Një ngjarje e rëndësishme kulturore, që bëri bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues, pedagogë, aktorë, muzikantë e personalitete të tjera të fushës së letrave që kanë një qëllim të vetëm të gjallërojnë jetën kulturore të qytetit bregdetar dhe të nxisin dashurinë për librin e leximin, veçanërisht te të rinjtë.
Mbrëmje poetike, tryeza debatesh, biseda me personalitete, fragmente arti, tinguj muzike dhe shumë e shumë libra.
Alda Bardhyli ne festivalin e librit ne Durres 2022 (Foto QKLL)
“Durrësi është një qytet që mbart vlera të thella kulturore jo vetëm në trashëgimi, histori, por dhe tek libri. Ky festival synoi të rikthente në diskursin publik këto vlera dhe duke i ndërthurur ato me prirjet bashkëkohore të të rinjve që bëjnë kulturë, e shkruajnë letërsi sot në këtë qytet”, shprehet për Grupin Mediatik të Kinës Alda Bardhyli, drejtore e Qëndrës Kombëtare të librit dhe leximit.
Loer Kume shkruan dhe boton që në moshë të vogël në revista fëmijësh. Ai e quan punë të mesnatës “të shkruarit në mënyrë gjysmë të ndërgjegjshme”, duke punuar në mënyrë “josistematike por këmbëngulëse drejt fatit të shkrimtarit” si thotë vetë ai. Rezultat i kësaj pune këmbëngulëse në fillim kanë qenë tregimet e botuara në tërë periodikët letrarë brenda dhe jashtë vendit, Milosao, Obelisk, Drita, ARS, Fjala, Pelegrin, Mehr Licht etj. Në vitin 2011 nga Shtëpinë botuese Toena u botua libri i tij i parë, 'LUX'. Në vitin 2017 Albas botoi romanin e tij "Histori e shkurtër e rrëmujës".
Në qershor të vitit 2019, Loer Kume shpallet fitues i çmimit ‘Kadare’, në një listë me 54 konkurentë, me dorëshkrimin përmbledhje me tregime të quajtur ‘Amygdala Mandala’, me motivacionin ‘si përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit dhe të zakonshmes në letërsi, duke sjellë kështu një përmbledhje me tregime me frymë të re në letërsinë shqipe.’ Vepra “Amygdala Mandala” u botua në korrik të 2019 nga Shtëpia Botuese UET. Press.
Një tjetër shkrimtar i ri pjesëmarrës në këtë event ishte dhe Rei Hodo, i spikatur për talentin e tij në letërsi. Me një penë brilante, të cilën e ka shfaqur në librin e tij, “Intimitete Poetike” Rei premton shumë.
Për Grupin Mediatik të Kinës, Alda Bardhyli, drejtore e Qëndrës Kombëtare të librit dhe leximit flet rreth kësaj veprimtarie.
Festivali i librit ne Durres (Foto QKLL)
CMG: Si vijnë në optikën tuaj të tilla evente?
Alda Bardhyli: Është shumë e rëndësishme të kthejmë atë që quhet dielli kulturor në të gjitha hapësirat e qyteteve të Shqipërisë. Këtë diell po përpiqemi ta kthejmë duke u mbështetur tek libri, si mjeti më i mirë i cili mund të na çojë drejt progresit. Festivali veror i Librit në Durrës ishte një ftesë e bukur për lexim për gjithë qytetarët, pushuesit, të rinjtë përmes një maratone aktivitetesh dhe një panairi libri që bëri bashkë botues të ndryshëm në sheshin Taulantia.
Durrësi është një qytet që mbart vlera të thella kulturore jo vetëm në trashëgimi, histori por dhe tek libri. Ky festival synoi të rikthente në diskursin publik këto vlera dhe duke i ndërthurur ato me prirjet bashkëkohore të të rinjve që bëjnë kulturë, e shkruajnë letërsi sot në këtë qytet. Festivali u konceptua si një ndërthurje e muzikës, teatrit dhe librit, duke bërë bashkë në aktivitete dhe aktorë të Teatrit “Aleksandër Moisiu” në këtë qytet.
Do të vlerësoja aktivitetet kushtuar autorëve të rinj si Brajan Sukaj, Loer Kume dhe Rei Hodo që janë një vazhdimësi e mirë e traditës letrare të këtij qyteti. Kthimi i qyteteve, që na lidhin më shumë me turizmin në hapësira të mëdha diskutimi e dialogu mbi librin dhe leximin është një nismë që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, do ta vijojë në mbështetje të politikave mbi rëndësinë e leximit.
Uroj që ky festival dhe falë pasionit të kryebashkiakes Sako të kthehet në një traditë të mirë për qytetin dhe lexuesit.
Në këtë event nuk munguan as shkrimtarët, të cilët janë përpjekur që me origjinalitetin e tyre ta sjellin Durrësin në rreshtat e librave. Një ndër ta është edhe Loer Kume.
Festivali i librit ne Durres 2022
CMG: Loer, si lindi ky event dhe si u prit nga qytetarët?
Loer Kume: Ky ishte një event i cili erdhi në sajë të disa bisedave paraprake që ne kemi bërë per ta ringjallur qytetin e Durrësit dhe rëndësinë e librit.
Ky ishte “një det me libra” për Durrësin, u realizua me shume kujdes dhe doli mirë.
CMG: A ka evente të tilla të shpeshta në Durrës?
Loer Kume: Jo. Për këtë mua më vjen keq sepse dikur ka pasur shumë evente të këtij lloji.
Durrësi nuk mund të jetë vetëm me detin dhe rërën. Ndoshta, për një qytetet tjetër këto mund të ishin të mjaftueshme por jo për Durrësin.
Ky qytet, sa i lashtë aq dhe historik, e dikur i zhvilluar me evente të tilla nuk mund të flejë. Sidoqoftë, ky ishte një rifillim i mirë për qytetin dhe për t’i dhënë jetë eventeve të tilla në vijim.
CMG: Dikur Durrësi ka pasur një event të rëndësishëm siç ishte “Festivali i Filmit” por tani jo më. A është ky festival një vazhdim i atij lloji?
Loer Kume: Po me këtë festival, jam kthyer në një farë mënyre në ato vite ku çmimet e shumta sillnin në Durrës artistë të niveleve ndërkombëtare. Ai event u shua dhe u zhduk. Ndaj dhe ky event u prit me kaq entuziazëm. Për të gjithë qytetarët ishte nje rikthim në ditët apo netët e dikurshme të Durrësit ku festohej.
CMG: Cilat janë librat që do të rekomandonit për të njohur më tepër këtë qytet?
Loer Kume: Së pari unë do të rekomandoja që të gërmohet në arkiva. Libri i parë është “Historia e Durrësit” i Florian Hatibit për ta parë Durrësin në një panoramë të bukur dhe të ditëve të sotme. Do të shpërfaqja edhe romanin tim " Histori e shkurtër e rrëmujës", libër ky i cili ta sjell Durrësin më pranë. Ishte një strategji e imja që të ndërlidhja pika të ndryshme të Durrësit dhe t’i beja të njohura për qytetarët lexues.
Të rinjtë e integruar në shoqëri janë ata që i japin vlera dhe imazh të mirë një qyteti. Një ndër ta është edhe Rei Hodo, shkrimtar i ri, i cili flet me pasion për qytetin ku ka lindur, është rritur dhe ka lexuar e shkruar për të.
Rei Hodo ne festivalin e librit ne Durres 2022
CMG: Rei, për ty ky event i duhej qytetit?
Rei Hodo: Qytetit të Durrësit i duhej një aktivitetit i këtij lloji për vetë faktin sepse i zgjon dëshirën e mirë për të lexuar. Për ta bërë këtë event edhe më të rëndësishëm duhet patjetër që të kthehen në tradita këto evente. Duhet të kenë frekuencë shumë të lartë dhe qytetarët të kenë mundësi për të zgjedhur.
CMG: A do të mundeshit ju ta përmblidhnit qytetin e Durrësit në pak fjalë?
Rei Hodo: Qyteti i ngjan një qerreje plot me libra të pluhurosur, që sillet në udhët qorre të tij
CMG: A është leximi një sfidë, e cila lehtësisht mund të edukohet?
Rei Hodo: Nëse këta njerëz që e promovojë librin, kanë edukatën e duhur për t’i dhënë rëndësi librit, them se po. Nëse këta njerëz nuk e kanë civilizimin e duhur, atëherë libri nuk mund të promovohet për t’u lexuar.
Intervistoi : Megi Latifi